Trafiku i klandestinëve çon në pranga dy efektivë të policisë

Trafiku i klandestinëve çon në pranga dy efektivë të policisë
Dy punonjës të Policisë Kufitare dhe 1 shtetas u arrestuan për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Policia sqaron se arrestimi i tyre u bë me finalizimit e operacionit ‘Green border’, realizuar nga (SHÇBA) Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Prej kohësh në zyrën e SHÇBA kishin mbërritur informacionet për ekzistencën e një rrjeti të trafikimit të qenieve njerëzore, mes tyre edhe punonjës policie.

Madje, SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal prej disa muajsh, mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë në mënyrë ilegale.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.

Sot strukturat e SHÇBA kanë arrestuar në flagrancë: Timo Ciko, 50 vjeç, shef i ruajtjes së kufirit të gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër, Bledar Duçka, 43 vjeç, trup shërbimi për kufirin e gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër si dhe shtetasin Shpëtim Brakaj, 41 vjeç, nga Fieri.

Kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga shtetasi Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare, siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Shtetasit që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mos përmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollar, telefona celularë dhe 1 automjet.

Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: