Trafikimi i 2.5 ton kanabis në Itali, doganierë e policë të implikuar

Trafikimi i 2.5 ton kanabis në Itali, doganierë e policë të implikuar
Hetimet e trafikimit të 2.5 ton kanabis, kapur në portin e Ankonës në datën 9 janar 2017, tregojnë se në aktivitetin kriminal janë implikuar doganierë dhe policë.

Policia e Shtetit sqaron se hetimet disamujore u kryen në bashkëpunim me zyrën e ‘Interforecës’ italiane në Tiranë.

Po sipas saj, “Interforza” Italiane në Tiranë ka informuar drejtuesit e uniformave blu mbi sekuestrimin e një sasie prej 2 ton e 530 kg lëndë kanabis me datë 11.01.2017 në Portin e Ankonës në Itali, që ishte e ngarkuar në kamionin e drejtuar nga Dhimo Koraj, 47 vjeç, lindur në Fier e banues në Gjirokastër.

“Ky kamion më datë 09.01.2017 është nisur nga Porti i Durrësit me tragetin e linjës Durrës-Bari.

Policia italiane ka arrestuar në flagrancë shqiptarin Dhimo Koraj, i cili shoqëronte kamion në Portin e Ankonës, ndërsa në listën e pasagjerëve si shofer ishte regjistruar Demo Progonati,  46 vjeç, lindur në Progonat dhe banues në Fier”, njofton Policia e Shtetit.

Në bazë të informacionit të palës italiane, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal Nr.12 datë 13.01.2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në vazhdën e veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë arrestuar ne kuadër të këtij procedimi edhe shtetasit e mëposhtëm:

Në datë 04.12.2017, u ndaluan shtetasit Skënder Siqeca, 53 vjeç dhe Arbi Mustafa, 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Trafikimi i Narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Më datë 05.12.2017, u ndalua shtetasi Agron Kapllani, 51 vjeç, banues në Durrës, ish punonjës policie, trup shërbimi, shoqërues qeni në Portin e Durrësit, për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Neni 283/a/2 i Kodit Penal. Përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 18.07.2017.

Më datë 05.12.2017, u ndalua shtetasi Gëzim Dervishi, 59 vjeç, banues  në Durrës, ish specialist në trajtimin e  qenve të shërbimit në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës, në për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Neni 283/a/2 i Kodit Penal.  Përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 28.07.2017.

Më datë 05.12.2017, u ndalua nga SH.Ç.B.A,  shtetasi Festim Lelaj, 47 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier.

Më datë 06.12.2017, u ndalua shtetasi Altin Katundi, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë Doganier në Portin e Durrësit.

Më datë 06.12.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Mikail Hila, 28 vjeç, banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Po në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më parë edhe shtetasit e mëposhtëm:

Më datë 15.01.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Demo Progonati, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim.

Më datë 07.06.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Euron Hoti, 35 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve”. Neni 283/a/2 i Kodit Penal.

Më datë 21.06.2017, u ndalua shtetasi Malton Lleshi, 34 vjeç, banues në Tiranë,  për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.

Më datë 28.11.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Aurel Lazaj, 32 vjeç,  banues në Vlorë.

Në lidhje me këtë rast trafiku të lëndëve narkotike, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda  vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, duke çuar para drejtësisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: