Tregjet, rritje e lehtë çmimesh për festat e fundvitit

Tregjet, rritje e lehtë çmimesh për festat e fundvitit
Ky fundvit nuk shënoi rritje të ndjeshme të çmimeve, te produktet ushqimore.  Në një vëzhgim në disa tregje në kryeqytet, u vu re  që ka një rritje të lehtë deri në 10 lekë, tek produktet e importit. Sipas qytetarëve, çmimet në ditët e fundit të vitit 2017, janë të përballueshme.

“Në përgjithësi, mund të lëvizi 10 lekë, por për ata që janë në punë, nuk është problem. Çmimet që kanë qenë janë. Ulliri i Beratit, 300 lekë ka qenë, 300 lekë është”, - pohojnë tregtarët.

Sipas tyre, një rritje e lehtë e çmimit është vënë re te produktet e importit.

“Te perimet jo, vetëm të artikujt e jashtëm, ato që hyjnë nga importi. Domatet janë rritur me 20 lekë, lulelakra është rritur pak më shumë” - pohojnë shitësit.  Lidhur me çmimin dhe cilësinë e produkteve ushqimore, ekspertët e sigurisë ushqimore, Aelita Mani, thekson se çmimi nuk e justifikon cilësinë e produktit.

“Jo gjithmonë kostot dhe çmimet e tregtimit, justifikohen në cilësinë e produkteve, pasi e gjejmë më lirë në qendrat tregtare, se sa në tregjet e vogla brenda Tiranës”.

Ekspertët japin këshillat e tyre për qytetarët në këtë prag festash, ku qarkullimi i ushqimeve është edhe më i madh, që të bëjnë kujdes në përzgjedhje dhe të blejnë pranë njësive tregtare të certifikuara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: