Turizmi, rreth 1.3 miliardë euro të ardhura financiare gjatë këtij viti

Turizmi, rreth 1.3 miliardë euro të ardhura financiare gjatë këtij viti
Turizmi është një sektor i cili po ndikon gjithmonë e më shumë në përforcimin e ekonomisë shqiptare. Këtë e tregojnë dhe të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se gjatë nëntë muajve të këtij viti të ardhurat e siguruara nga ky sektor kanë qenë në shifrën e 1.3 miliardë eurove, duke shënuar një rritje në kufijtë e nivelit prej 13%.

Në tërësinë e tyre, të ardhurat nga turizmi po shfaqin një tendencë në rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa për vitin e kaluar arritën shifrën rekord të 1.5 miliardë eurove. Nga ana tjetër, sipas Institutit të Statistikave, për periudhën e muajve janar-tetor të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë rreth 4.6 milionë shtetas të huaj, 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periu-dhë të vitit të kaluar. Por nga ana tjetër, në rritje paraqiten edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit, që janë treguesi kryesor i tërthortë përsa i takon turizmit dalës.

Po sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit shqiptarët shpenzuan 407 milionë euro, në rritje me afro 10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: