TYM PA FLAKË – OPINION NGA PLATOR NESTURI

TYM PA FLAKË – OPINION NGA PLATOR NESTURI

Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Përdorimi i tymuesve gjatë seancës, për votimin për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm, e barazoi Parlamentin shqiptar me atë të Kosovës. Huazimi sidoqoftë mbeti një kopje e dobët. Në Prishtinë, përplasja e para disa muajve, midis deputetëve të opozitës e shumicës, shkoi deri në përdorimin e gazit lotsjellës brenda odës së deputetëve, ndërsa tymueset e opozitës në Tiranë, me ngjyrat e ndezura që kishin, i ngjanin veç lodrave për krishtlindje e që, më së shumti, përdoren për festime.

Tymi dhe retorika në tym që shoqëron çdo përplasje të kësaj natyre, që mbetet në kuadrin folklorik, duket se është dhe simbolika e gjithçkaje që po shoqëron raportin shumicë – opozitë - opinion publik. Vetëm se, në këtë tymnajë, ata që po mbeten të qorrollepsur e nuk kuptojnë se ç’po ndodh, janë veçse qytetarët. Ndaj në vend është shtuar numri i spektatorëve dhe jo i pjesëmarrësve që marrin përgjegjësi qytetare, për të kërkuar një të drejtë, kur ajo u mohohet atyre apo shoqërisë.

Prej kohësh duket se kemi një situatë të rënduar, ku kahet e politikës deklamojnë një antagonizëm të theksuar. Mjafton retorika në media, si dhe ligjëratat që mbahen në Kuvend nga përfaqësuesit e saj, për të thënë se jemi një shoqëri me krisje të thellë dhe gati në shpërthim. Por nuk ndodh më kështu. Që prej protestave të çadrës në bulevard përpara zgjedhjeve, ndonëse akuzat politike janë shtuar, nuk kemi parë asnjë aksion ballafaqimi në terren, përveç se në epruvetën e Parlamentit. Që prej kohës së çadrës, kur u pa qartë se pjesëmarrja ishte në kuota minimale, edhe prova e djeshme ku u ftuan qytetarët të protestojnë për zgjedhjen e kryeprokurorit nga shumica, sërish rezultoi një dështim. Pavarësisht tentimit për rritje të agresivitetit. Në fund të fundit, një masë e madhe qytetarësh në protestë është dominuese me peshën e vet, dhe mungesa e kësaj peshe nuk mund të zëvendësohej me asnjë skenar konfliktualiteti.

Në të kundërt të këtyre ftesave, që bëhen gjithsesi në emër të së drejtës, kushtetuese apo qytetare, indiferenca dhe hezitimi për të ndjekur këtë rrugë, është një sinjal që ka mesazh brenda. Sidoqoftë, rritja e masës së spektatorëve, se çfarë po ndodh sot me politikën, ligjet apo dhe qeverisjen, nuk mund të përkthehet se janë dakordësi me shumicën, për mënyrën si operon apo si menaxhon vendin. Njerëzit thjesht janë lodhur nga të njëjtat fytyra, që për sa kohë janë në opozitë, dinë vetëm të ftojnë mbështetësit e qytetarët për kauza që mund të jenë të drejta, porse që vetë i harrojnë menjëherë kur hipin në pushtet. Dhe cikli përsëritet sërish dhe të njëjtat argumente të shkeljeve ligjore do t’i rithonë nesër, të sotmit e shumicës, kur më vonë të jenë në opozitë.

Ndaj, nëse e marrim të mirëqenë thënien se “çdo popull e meriton qeverisjen që ka”, duhet ta pranojmë që e meritojmë dhe këtë klasë politike që kemi. Pavarësisht nëse e duam apo jo, nëse na pëlqejnë përfaqësuesit tanë të të dy palëve. Kjo klasë politike i ka gjetur më së miri mekanizmat për të mos u shkulur nga drejtimi i vendit, dhe ne duam apo nuk duam, jemi të pafuqishëm, apo të pazotë ta ndryshojmë. Pasi dhe vetë mekanizmi i votës duket i pamjaftueshëm përballë makiavelizmit të kësaj klase politike. Votat jepen për subjektin, por skifterët e bletët punëtore i përcakton partia e shefat e mëdhenj, pasi kemi Shef për secilën palë. Në këto kushte akaparimi të gjithanshëm, gjithkush do të ndihet më pak qytetar dhe gjithmonë e më shumë spektator. Në fund të fundit, janë vetë shefat që e kanë gatuar ndër vite këtë çorbë që po shërbehet në pjata me logon e demokracisë në të. Ndaj së paku, kur kanë hall pushteti, nëse nuk i ndryshojmë dot dhe i meritojmë kështu siç janë, protestuesit t’i gjejnë diku tjetër. Diku ku nuk ua kanë pirë ende lëngun!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: