URA E THYER – OPINION NGA FRROK ÇUPI

URA E THYER – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Këta morën një urë të thyer në Fushë Krujë dhe e krahasuan me Urën e Mesit. Me të dy urat, bënë politikë opozitare...

Ura e Fushë-Krujës u thye në mes, nga vërshimet e tmerrshme të ujit që përmbyti Shqipërinë këto ditë. Ende pa mbaruar një postim në facebook se, “shikoni, kjo urë e thyer është ndërtuar veç para dy vjetësh”, dhe duke shtuar se “kur është ndërtuar Ura e Mesit”, bash në atë moment, u thye në dysh Ura e Drojës, po në veri të Fushë-Krujës. Pas kësaj, u thyen edhe tre ura në Shijak dhe 12 ura në gjithë vendin. Stuhi shiu si kësaj here, ishte parë rrallë në vendin tonë. U përmbytën toka, shtëpi, u rrezikuan njerëz...

Ne i mësuam të gjitha dhe gati na pushoi zemra, duke i parë. Tani jetojmë në epokën e informacionit. Ura e Mesit nuk ndjeu asgjë. Kam frikë se u bë aq e fortë, veç pse u ndërtua në epokën e territ të informacionit. U ndërtua fshehurazi, si një grua që zbukurohet para pasqyrës në dhomën  e izoluar jashtë vëmendjes të të gjithëve...

... Pse e zbuloi opozita Urën e Mesit? E zbuloi dhe ndërkohë nuk e zbuloi. Zbuloi vetëm pjesën që i duhej dhe i duhej pjesa kundër qeverisë. “E shikoni që ura 600-vjeçare nuk shembet, ndërsa urat e tua 2-vjeçare, u shembën?” - iu drejtuan qeverisë... Ndërsa nuk zbuloi pjesën kulturore, edhe pse politikës nuk i intereson kultura. Po të jetë e kulturuar, nuk votohet politika. Kultura e munguar ose e deformuar e politikës opozitare, u shfaq në provën që tha se, Ura e Mesit është 600-vjeçare. Njerëzit e dinë se Ura e Mesit nuk është 600, por vetëm 300-vjeçare. Po t’i gënjesh njerëzit që në fillim (me mungesën e kulturës), edhe se ura është 600 vjet, atëherë nuk të besojnë as për reshjet që po përmbytin tokën tonë.

Urat e thyera mbi Drojë, mbi Osum, mbi Erzen..., dhe krahasimi me urat tona tradicionale të kombit, kanë simbolikë të përditshme. Ra ky fillimdimri me përmbytje dhe na solli para syve thyerjet.

1.

Po të ishte shekulli i 18-të në këto momente 2017, sigurisht që nuk do të kishim as përmbytjet e 1 dhjetorit 2017. Jo vetëm përmbytjet, por asgjë si atëherë. Njerëzia po gabon kur po bën krahasime me epokat. Kam dëgjuar këto ditë, njerëz që i falen diktatorit. “Të ishim në kohën e tij, s’do të kishte përmbytje”, - thonë. Sepse në këtë rast, të mbyturit nuk i venë re përmbytjet. Prandaj “nuk do të kishte” përmbytje(!) Krahasimi është metoda primitive e studimit dhe e matjeve... As Ura e Mesit nuk mund të sillet në këtë dritë. Pas asaj epoke kur ura u ndërtua “si grua në dhomën e fshehtë”, nuk ishte më koha për “zonja” të tilla. As kishim më ura me 12 harqe, as nisëm një urë këtë shekull për ta mbaruar shekullin që vjen... Na duhet konsumi. Aq më tepër tani. Na duhet ura si mall konsumi për kalimtarët (ose për të mashtruar kalimtarët)... Por na duhet edhe si konsum e përfitim zyrtarësh. Të gjithë hanë mbi hekurbetonin e urës. Jo vetëm ata që sot kanë qeverisjen e ujërave, por edhe ata që e kishin. Edhe ata që do ta kenë qeverisjen, do të hanë mbi hekurbetonin e urave të thyeshme. Ky është ndryshimi. Këtu ndahen epokat si me lumenj të furishëm. Në këtë epokë, të gjithë qeveritarët dhe ata që duan të bëhen qeveritarë, hanë mbi veprat e popullit. Kjo është edhe arsyeja pse thyhen urat.

2.

Rasti i “Urës” u duk se i vuri njerëzit dhe politikën në dy anët të kundërta. Në fakt, në këtë kuptim, gjithë epoka e përmbytjeve thuajse biblike, nuk shkaktoi thyerje. Qeveria ka shpallur se investon vetëm 1 miliard lekë për ujin në vitin 2018, dhe ujërat na përmbytën. 1 miliard lekë janë veç 10 milionë dollarë, ose dhjetë herë më shumë se sa shuma e lekëve të ministrit Tahiri, që mbante në makinë miku i tij biznesmen Sota. Sa për lekë xhepi ishin, kaq! Ndërsa gjithë ujërat e vendit janë një milion herë më pak se lekët e drogës që posedon ministri bandit...

Megjithatë, as “thyerja e urës”, as përmbytjet e llahtarshme,  nuk e vunë popullin në dy brigje. “Në dy brigje” them për rivendosjen e frymës së kundërshtimit të qeverisë nga opozita dhe ndërrimin e pushtetit me rastin e përmbytjes së “Urës”. Nuk ka faj populli, por edhe kur u thye ura, populli nuk pa dy brigje, vetëm Një. Opozita politike në vend, nuk po funksionon. Kur nuk funksionoi edhe kësaj here në përmbytjet e mëdha, atëherë do të thotë se nuk ekziston. Askush nga opozita nuk u pa në betejën për përballimin e përmbytjeve. Kryetari i PD-së doli vetëm sot, ditën e tretë, kur doli edhe dielli. Ai shkoi aq “larg” - deri në Fushë-Krujë, pesë kilometra larg Kamzës së Tiranës. Aq. Askush tjetër. Deputetët u thërritën dhe iu thanë “mos bëni këmbën”.

Pse mungon njëra “këmbë e Urës”- Opozita?, pyetën të gjithë ...

Opozita ka bërë betimin e “martesës” me qeverinë për “ditë të mira e të liga” - kjo është njëra arsye. Arsyeja e dytë, se opozita është caktuar për në Çadër. Që ditën kur u ngjiz marrëveshja me qeverinë, Opozita ndodhej në Çadër. Në ditët me shi, ndodhet në Çadër, edhe në ditët me diell - në Çadër. Opozita ka të njëjtën linjë të kundërt me Ujorin; ndërsa ujori nuk jeton në stere, Opozita nuk jeton dot në shi e në diell...

Njëra këmbë e “Urës” mungon në çdo kohë.

3.

Vetë shteti ka kuptuar pse “u thye ura”. Shteti ka ecur “përpara” deri në shekullin e 18, kur Urën e Mesit e ndërtoi Karamahmud Pasha. Përmbytjet e mëdha që nuk morën jetë njerëzish, fatmirësisht, mund të merrnin jetën e qeverisë, nëse do të kishte Demokraci dhe Opozitë. Por vetë qeveria e shtetit, nëse do, ka mundësinë të mësojë pse ra ura. Brenda qeverisë mungon gjithnjë, njëra këmbë. Kësaj here mungoi “këmba” e investimeve në Realitet. Çfarë është kjo? - mund të pyesë dikush. “Realiteti” nuk është as një biznes dhe as një qytet ku investohet, por miliona herë më shumë. Qeveria, prej gati pesë vjet, investon në “Virtualitet”. Bëhen reklama, bëhen viza në rrugë, mbillen palma, ngrihen flamujt me ngjyra ylberi, zbukurohen fasadat, ndërtohet dekor, jepen dekorata, mirëmbahen bunkerë dhe tunelet e diktatorit..., të gjitha prodhuan përmbytje.

Edhe Opozita u kap duke investuar në qytetin “Virtual”. Sipas akuzave të depozituara në Hetim, Opozita ka investuar 1 milion dollarë në Amerikë, veç për fushatë elektorale dhe për fotografi mburravece. Edhe të tjerat i paska investuar në qytetin virtual “Offshore” ...

Zoti dërgoi një dorë dhe paralajmëroi shtetin,  qeverinë dhe opozitën, por ruajti nga vdekja njerëzit e popullit. Herën e dytë, në qoftë se nuk investohet në qytetin magjik “Realitet”, atëherë do të bjerë gjithë ura e shtetit.

Kësaj here, ranë veç 12 ura të vogla ku ishin vjedhur 12 miliardë tonë hekurbeton.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: