Urgjencat, në gatishmëri gjatë natës së ndërrimit të viteve

Urgjencat, në gatishmëri gjatë natës së ndërrimit të viteve
Festat e fundvitit, përveç gëzimit, shpesh shkaktojnë edhe dhimbje. Ata që e teprojnë me alkoolin, me shpejtësinë ose dhe lojërat me fishekzjarrë, përfundojnë në spitale për t’u mjekuar. Urgjencat presin zakonisht çdo fundvit, 50 deri në 100 raste të aksidentuarish, të helmuar nga ushqime të ndryshme ose nga alkooli, apo të djegur. Drejtuesit e ministrisë se Shëndetësisë kanë garantuar se, këtë fundvit urgjencat në të gjitha spitalet e vendit, do të jenë në gatishmëri me staf dhe medikamente, ndërkohë që në çdo pavijon, do të ketë mjekë dhe infermierë sipas një grafiku të përcaktuar. Në këtë mënyrë, asistenca mjekësore do të jetë gjithmonë në shërbim të personave në nevojë.

Masat

Me anë të një urdhri të përgjithshëm i cili përmban një plan masash parandaluese për çdo të papritur në këto ditë festash, ministria e Shëndetësisë ka vënë në dijeni të gjitha qendrat shëndetësore në vend, për mënyrën si duhet t’i menaxhojnë këto raste. Ministrja gjithashtu gjatë një aktiviteti në shtëpinë e fëmijës "Zyber Hallulli" ku ishte e pranishme, tha se gjatë gjithë kësaj dite do të ketë organizime dhe aktivitete festive në të gjitha institucionet e përkujdesit në vend.  Një plan masash të posaçme për periudhën e festave të fundvitit, është shpërndarë në te gjitha qendrat shëndetësore në vend, me anë të një urdhri nga ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Kemi ngritur urdhrin e përvitshëm tashmë, për gatishmërinë në të gjithë spitalet e vendit, në mënyrë që gjatë gjithë festave të fundvitit të jenë në gatishmëri të plotë, personeli mjekësor, stafi infermieror dhe padyshim të mos mungojë asnjë nga medikamentet, materialet e nevojshme, të cilat duhen për të përballuar çdo rast emergjence”, - ka pohuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Festat

Në këto ditë festash te fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, ishte ministrja Manastirliu, e cila premtoi mbështetje për të gjitha nevojat që ata kanë. Në këtë institucion gjenden rreth 35 fëmijë të cilët janë sjellë aty, pasi familjet nuk kanë mundësi financiare t’u sigurojnë ushqim, rroba dhe shkollim. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  foli dhe në lidhje me aktivitetin kombëtar i cili vjen nën moton “Festat duan dashuri”, ku tha se gjatë gjithë ditës do të ketë organizime dhe aktivitete festive në të gjitha institucionet e përkujdesit në vend. Në fund, ishte vetë Ministrja e cila shpërndau dhurata për gjithë fëmijët, duke mos harruar të falënderojë gjithë ata punonjës të cilët punojnë me përkushtim, çdo ditë të vitit, përkrah kësaj shtrese e cila ka nevojë më shumë se kushdo për përkujdesje dhe ngrohtësi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: