Viti 2017: Romela Begaj udhëheq 10 personazhet e spikatura të sportit shqiptar

Viti 2017: Romela Begaj udhëheq 10 personazhet e spikatura të sportit shqiptar
Dhjetë personazhet më të dalluar të sportit shqiptar për vitin 2017, në bazë të statistikave dhe performancës së secilit prej tyre: Romela Begaj, Izmir Smajlaj, Luiza Gega, skuadra e futbollit të Skënderbeut, Igli Tare si drejtues, si dhe disa futbollistë të Kombëtares shqiptare së Seria A: Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Etrit Berisha e Thomas Strakosha e Taulant Xhaka  

Nga Aranit Muraçi

Cilë janë personazhet më të spikatur të këtij viti për sportin shqiptar? Portalet dhe mediat kryesore në Shqipëri, kanë publikuar sondazhe online për të përzgjedhur personazhin sportiv të vitit. Albanian Free Press, në bazë të performancës dhe arritjeve, ka përzgjedhur pikërisht këto gjashtë personazhe, si më të spikaturat e sportit shqiptar për vitin që po mbyllet.

Romela Begaj

E lindur më 2 nëntor 1986, ajo mund të konsiderohet shpirti i sakrificës, i këmbënguljes, e cila me pasion, punë e përkushtim, falë talentit, shkëlqeu në botërorin e peshëngritjes që u zhvillua pak kohë më parë në SHBA.  Sportistja shqiptare garoi në peshën deri në 69 kg dhe mori medaljen e artë në shkëputje, si dhe u shpall nënkampione e botës në dygarësh. Begaj i kaloi me sukses të tre provat në stilin e shkëputjes, me 103, 105 dhe 107 kg, kurse në shtytje bëri një garë të mirë me dy provat e para të realizuara me sukses, me 125 dhe 128 kg. Por pavarësisht se dështoi me provën e tretë, kur Romela Begaj tentoi 131 kg, ajo u rikthyer me medalje ari dhe argjendi duke rrëzuar çdo akuzë për doping, e çdo nënvlerësim për t’i mos i dhënë vëmendjen dhe mbështetjen që kërkon çdo sportist i niveli të saj. Padyshim, rezultati i Romela Begajt është ndër më të mirët në historinë e sportit tonë.

Izmir Smajlaj

Izmir Smajlaj ka lindur më 29 mars 1993 në Shkodër, atlet shqiptar në kërcim së gjati dhe në trehapësh. Nuk është i njohur sa duhet për publikun shqiptar, jo për fajin e tij. Izmir Smajlaj u shpall kampion europe në Beograd të Serbisë më 4 mars 2017, ku u zhvillua Kampionati Europian në Atletikë në salla të mbyllura. Ai është i vetmi shqiptar, që e mbyll vitin 2017 me këtë titull. Në rast se nuk e besoni kërkoni të gjeni një kampion tjetër Europe! Smajlaj përfaqëson krenarinë e vërtetë shqiptare në garat ndërkombëtare, është model suksesi në një sport që Europa dhe bota investon çdo vit dhe e kanë tepër të zhvilluar. Edhe pse në kushte të disfavorshme me rivalët, Smajlaj ia doli të fitonte ari duke premtuar suksese të tjerë në garat e ardhshme.

Skënderbeu

Është skuadra e futbollit model në Shqipëri. Pjesëmarrja e këtij sezoni në fazën e grupeve të Europa League, në të njëjtin kompeticion ku morën pjesë skuadra elitare të kontinentit si Milan, Arsenal, Everton, janë tregues i qartë i suksesit të rrallë ndërkombëtar për një klub futbolli nga Shqipëria. Ishte pjesëmarrja e dytë për këtë skuadër në tre vitet e fundit në Europa League, ndërkohë që asnjë ekip tjetër shqiptar nuk ka arritur ende asnjëherë në këtë fazë. Pavarësisht se e mbylli grupin në vend të fundit, Skënderbeu humbi me Young Boys në sekondat e fundit të kohës shtesë, 2-1, duke rivalizuar denjësisht me të tre kundërshtarët. Kujtojmë se edhe Everton u eliminua si vendi i fundit nga ky kompeticion. Skënderbeu kryeson këtë sezon  bindshëm kampionatin dhe humbi garën për titull sezonin e shkuar pas javës së parafundit në përballjen e debatueshme me Kukësin.

Igli Tare

I lindur në Vlorë më 25 qershor 1973, Igli Tare, mbylli një vit tjetër të suksesshëm në drejtimin e klubit të Seria A, Lazio. Tare është kthyer në një drejtor sporti model për italianët, duke u vlerësuar si një prej drejtuesve më të mirë sportivë të Seria A. Thuajse të gjitha afrimet në merkaton e Lazio-s rezultuan të suksesshme, ku meritën kryesore e ka pasur pikërisht Igli Tare. Ishte pikërisht Tare ai që afroi dy portierët kuqezi, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, të cilët shkëlqyen të dy në Seria A. Tare afroi te Lazio talentin serb Sergej Milinkoviç-Saviç për një shifër modeste por gjatë verës së këtij viti refuzoi  oferta të klubeve të mëdha deri në 70 mln euro, duke fituar admirimin e klubit të tij, tifozëve dhe botës së futbollit mbi aftësitë e larta drejtuese.  Ish-sulmuesi shqiptar i Kombëtares shqiptare mbetet një shembull për të gjithë ish-futbollistët dhe futbollistët kuqezi, që të vijojnë rrugën e suksesit në futboll edhe pas karrierës futbollistike.

Elseid Hysaj

Elseid Hysaj lindur më 2 shkurt 1994 në Shkodër, mbrojtësi i djathtë i Napolit dhe i Kombëtares shqiptare, la pas një vit të shkëlqyer në Seria A. Ai ka luajtur rregullisht në formacionin bazë të Napolit, që sezonin e kaluar u shpall nën-kampion i Italisë dhe këtë sezon e kryeson atë. Hysaj është futbollisti shqiptar me i vlefshëm i momentit por edhe i tërë historisë së futbollit tonë. Kartoni i tij vlerësohet nga faqet e specializuara të merkatos në rreth 20 mln euro, ndonëse mediat italiane gjatë verës raportonin se Juve e kërkoi për 50 mln euro, ofertë që u refuzua nga Napoli. Edhe në ndeshjet e vitit që lamë pas Hysaj ishte garancia e mbrojtjes së kombëtares sonë, thuajse në çdo ndeshje.

Etrit Berisha

Lindur më 10 mars 1989 jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Kombëtarja dhe kombi shqiptar mund të thuhet se është me fat që ka në përbërje një portier me cilësi si të Etrit Berishës. Atalanta shpenzoi 5 mln euro gjatë verës për të blerë kartonin e tij, një vit pasi e mori në formë huazimi dhe dihet se janë të rralla klubet që shpenzojnë shumë të tilla për të blerë portierë. Berisha është garancia e portës së skuadrës së Seria A, që pas 17 javëve të para ndodhet në vend të 7-të, duke lënë pas skuadra si Milan. Ai  pati të njëjti shkëlqim edhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe mbetet titullar e pikë kyçe e formacionit kuqezi.

Thomas Strakosha

Thomas lindi më 9 mars 1995 në Athinë, në kohën kur ish-portieri dhe kapiteni legjendar i formacionit kuqezi, Foto, shënonte kulmin e karrierës me skuadrat helene të kryeqytetit grek. I biri i Foto Strakoshës pas një sezoni të vetëm me Lazio në Seria A ka bërë krenar të gjithë shqiptarët, ndoshta përveç babait të tij, që me humor thuhet “se po ndjehet xheloz”. Thomas Strakosha nuk ka qenë thjesht pjesë e formacionit të parë të një prej skuadrave më të mira të këtij sezoni në Seria A. Ai ka shkëlqyer këtë sezon duke i pritur penallti Dybala, ashtu sikurse i priti edhe Berisha me Atalantën, por ndryshe nga kolegu tjetër i portës kuqezi ndali Juves me humbje në minutën e fundit. Me Thomas në stol, Shqipëria ka ndoshta një nga përbërjet më të mira të portës në Europë.

Arlind Ajeti

Arlind Ajeti u lind më 27 shtator 1993 në Basel të Zvicrës. Mbrojtësi para se t’i bashkohej Kombëtares shqiptare ishte pjesë e ekipeve përfaqësuese zvicerane, madje me Zvicrën U-21, ai luajti 12 ndeshje e shënuar një gol. Ai vendosi të bashkohej me Kombëtaren A të Shqipërisë, duke shkëlqyer në finalet e Euro 2016. Kjo paraqitje ra në sy të ekipeve të ligave kryesore. Ajeti iu bashkua Torinos, por me fillimin e këtij sezoni ai u dha në formë huazimi te Crotone. Në radhët e Crotones Ajeti nuk ka qenë thjesht pjesë e formacionit bazë, por ndër pikat më të forta të mbrojtjes, duke u përzgjedhur disa herë në formacionin e javës së Seria A.

Taulant Xhaka

I lindur më 28 mars 1991, Taulant Xhaka ka qenë pjesë e ekipeve përfaqësuese zvicerane deri te U-21. Vëllai i tij Graniti zgjodhi Zvicrën, ndërsa ai vendosi të luante me Kombëtaren A të Shqipërisë. Taulanti në fushë ngjason me një “shkëmb graniti” duke marrë më shumë nga emri i të vëllait. Vitin që lamë pas ishte simbol i lojtarit që nuk dorëzohet kurrë, madje nga dëshira e madhe për të qenë mes “luftëtarëve në fushën e betejës”, ai pati kontradikta me ish-trajnerin Gianni de Biasi, duke mbetur jashtë kombëtares për disa muaj, pas ndeshjes kualifikuese të botërorit me Italinë. Gjithsesi te skuadra e tij zvicerane, Basel, Xhaka mbetet titullar i padiskutueshëm dhe i vlerësuar shpesh si një ndër mesfushorët më të mirë të kampionatit zviceran. Është i vetmi futbollist i kombëtares sonë, i cili vazhdon aventurën me Basel në Champions League, mes 16 më të mirave të Europës

Luiza Gega

Luiza Gega lindi më 5 nëntor 1988. Ajo është atletja shqiptare që ka thyer vitet e fundit dhe në vitin që lamë pas disa rekorde që ka mbajtur po vetë, në vrapimin 800, 1500 dhe 3000 metra. Luiza Gega pati thyer rekordin vendas edhe në Kampionati Europian Paris 2011 e Kampionati Botëror Koreja 2011 në 800 m, duke mbetur një sportiste elitare. Ndonëse nuk mori pjesë në Kampionatin e fundit botëror të Atletikës, Londër 2017, për arsye që mbeten ende të paqarta, Luiza Gega rikthehet dhe fiton Maratonën e Tiranës. Ajo vazhdon të stërvitet me të njëjtin pasion për të fituar garat e ardhshme ndërkombëtare, me qëllim pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” .

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: