Vllaznia lë Fushajn në pritje deri në prill, Flamurtari pret firmën e Gafurit të Tetovës

Vllaznia lë Fushajn në pritje deri në prill, Flamurtari pret firmën e Gafurit të Tetovës
Para përgatitores së dimrit Flamurtari kërkon të mbyllë llogaritë me merkaton, kurse Vllaznia ka miratuar buxhetin e vitit që vjen dhe i ka hapur rrugë privatizimit, pra afrimit të një presidenti që pritet të ndodhë në prill, një muaj para se të mbyllet sezoni.

Mesfushori me tipare sulmuese Argjent Gafuri është pranë firmës me Flamurtarin. Bëhet fjalë për një mesfushor 28-vjeçar nga Tetova, i cili luan si fantazist, por edhe në të dy krahët e sulmit. Ai ka mbërritur pasdite në Vlorë e pritet të firmosë nesër me Flamurtarin.

Pas afrimit të sulmuesit Nedeljkoviç dhe mesfushorit me tipare sulmuese Muarem, klubi vlonjat kërkon përforcime të tjera në mesfushë e sulm. Dëshira e madhe e merkatos është ajo e Dejvi Bregut, i cili është bllokuar aktualisht nga Luftëtari.

Luftëtari mban vendin e dytë, 9 pikë pas Skënderbeut dhe kërkon që pas janarit të mbajë këto pozita, pse jo të konkurrojë me kryesuesit e momentit për titullin kampion.

Sakaq në Shkodër ka pasur zhvillime të rëndësishme, por jo shumë premtuese për të ardhmen e Vllaznisë. Këshilli Bashkiak i Shkodrës miratoi buxhetin që i akordon 550 milionë lekë të vjetra ekipit për vitin që vjen. Por në muajin prill pritet afrimi i presidentit të ri të klubit. Ish-presidenti Valter Fushaj u shpreh i gatshëm të merrte ekipin në janar, për ta ndihmuar që të mos rrezikojë rënien në një kategori më poshtë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: