Xhafaj-Hahn në Bruksel, në fokus beteja me drogën, azilkërkuesit dhe imazhi i vendit

Xhafaj-Hahn në Bruksel, në fokus beteja me drogën, azilkërkuesit dhe imazhi i vendit
Ministri i Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij në Bruksel.

Gjatë këtij takimi Fatmir Xhafaj u ndal te lufta antikanabis.

“Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë. Një vend të rëndësishëm në bisedën mes palëve, zuri njohja me Planin e Veprimit, Operacioni “Forca e Ligjit”, duke u ndaluar në elementë të tij, çfarë përfaqëson dhe si do të zbatohet. Ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale. Zoti Xhafaj informoi Komisionerin për procesin e Vettingut që do të kryhet në Policinë e Shtetit,” – thuhet në deklaratën për shtyp të MB.

Lidhur me masat për frenimin e azilkërkuesve dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera europiane.

Komisioneri Hahn sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medieve të huaja, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: