Xixa për të tëra...

Xixa për të tëra...
 

Një look “vezullues” për bukuroshet shqiptare, për fundvit!

E ku ka rast më të mirë se periudha festive e fundvitit, për të ndjekur me përpikmëri tendencën e modës, në ngjyra, forma, stil. Bukuroshet shqiptare, këtë fundvit i kanë pasur idetë tepër të qarta, sa i takon fustaneve dhe veshjeve që kanë zgjedhur për të ndriçuar fotot e tyre, në festa e aktivitete, këtë fundvit. Ndoshta, nisur edhe nga një vit jo shumë i lehtë botëror si ai që po lëmë pas, stilistët kanë vendosur se kryefjala do të jenë xixat, teminat, ndriçimi, me shumë guxim, e duke treguar në sasi bujare format, të pasmet, dekoltenë. Pra, nënvizimi është, edhe për bukuroshet shqiptare, sensualiteti. Madje, të qenit seksi, pavarësisht moshës ose stilit në përditshmëri. Këtë pra e gjejmë edhe në fustanet “luksoze” të bukurosheve tona, të showbiz-it. E para që bën tendencë, sigurisht, Luana Vjollca, që xixat e shkëlqimin e do aq shumë, pavarësisht se të veshura mbi portretin e lakuar dhe format, e bën atë aspak të thjeshtë. Ajo ka zgjedhur një fustan të tërin me ndriçim dhe ngjitur pas trupit, në ngjyrë gri hiri. Po në këtë trend, por shumë më shumë me fisnikëri dhe elegancë, vijnë këngëtarja Leonora Jakupi, e cila ka zgjedhur një fustan festiv të rëndë e më prej zonje. Sikurse edhe këngëtarja patriote me të, Yllka Kuqi, e cila shquhet për një elegancë pa moshë dhe kohë. Në të njëjtin trend klasik, por me një ngjyrë të kuqe të ndezur, edhe moderatorja kosovare, Liberta Spahiu, e cila ka zgjedhur fustanet luksoze të Valdrin Sahitit. Prezantuesja simpatike, Orinda Huta, risjell minifundin, që nuk është edhe shumë në modë, me temina të mëdha, prerje të thjeshtë, duke e zbutur me një peliçe blu, një ngjyrë kjo që është trendi i këtij fundviti. Këtë ngjyrë, por në një copë kadifeje mbretërore, e ka zgjedhur edhe Dorina Mema, mbretëresha e fitnesit shqiptar. Me shumë ekzagjerim në ngjyrë e formë, vjen këngëtarja e njohur e Kosovës, Mihrije Brahja, e cila zgjedh të kuqen me ndriçim, hedhur shkujdesur mbi një trup të zhveshur, rrëzë një peme rrëzëllitëse. Në këtë rrymë, edhe provokuesja Alesia Bami, që zgjedh veshjen e kuqe provokuese, së cilës i mungon vetëm një kamxhik. Këngëtarja vlonjate dhe ajo kosovare, Sheila Haxhiraj dhe Flaka Krelani, zbusin tonet te ngjyra e bardhë dhe okër, por Sheila pafajësinë e së bardhës, e flak tutje, duke na treguar pa ia kërkuar, fundshpinën!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: