“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet komploti i shokut Edi, me shokun Luli, që çoi shoqen Monika në protestë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet komploti i shokut Edi, me shokun Luli, që çoi shoqen Monika në protestë
Satirë

Antena Jashtë Familjes" vjen sot, si përherë, më një lajm të mirë për vendin tonë në veçanti, e sidomos për hotelet me pesë yje, që i kanë taksat e ulëta.

Revista "National Geografic"(N.G) e futi Shqipërinë në listën e 21 vendeve që duhen vizituar vitin tjetër. Këtë e morëm vesh nga një shkrim, hedhur në facebook-un e shokut Kryeministër.

Përse e risjellim për ju lexues, këtë lajm? Sigurisht që, jo kot!

Ne kemi zbuluar se, ky shkrim ka qënë një mesazh i fshehur në drejtim të shokut Lulzim Basha, apo siç i themi në gazetari, ka qënë një konspiracion.

Ja shpjegimi se përse ne si redaksi, mendojmë kështu.

National Geografic në artikullin e vetë, kishte futur në listën e vendeve që duhej të vizitoheshin për turistllëk, edhe Etiopinë e cila, siç e (s)dini, është në Afrikë.

Mirëpo, shikoni se ç'ka ndodhur atje.

Sipas lajmeve që jep BBC-ja, ky vend ka mbi një vit që është përfshirë nga protesta të shumta nga ana e opozitës së atjeshme. (Nuk besojmë se BBC-ja gënjen, pasi ajo me sa dimë, nuk bën shpesh pjesë, te Media e Kazanit).

Ne mendojmë se kjo revistë, kastile e nxori këtë artikull tani.

Për të thënë se, edhe në Shqipëri, opozita duhet të ngrihet në protesta, siç kanë bërë opozitarët në Etiopi.

A nuk mendoni edhe ju se, kjo listë ka qënë një sinjal?

Neve jemi të bindur për këtë. Ndryshe nuk ka shpjegim se, përse ta ketë përmendur shoku Edi, këtë media. Ka media të tjera më me emër në botë, që mund të përmendeshin.

P.sh., mund të zihej në gojë revista Economist e cila, para pak ditësh, tha të vërtetën për punën e madhe të shokut Erion, në Tiranë. Siç shkruajti po kjo, edhe përpara një viti, për punën e mirë të shokut Saimir dhe çunave të policisë, në luftën kundër hashashit në përgjithësi, e drogës në veçanti.

Le të kthehemi te kjo revista tani, që për mendimin tonë, as nuk e meriton fare, që t'i përmendej emri, nga Kryeministri ynë.

Ja përse e themi këtë gjë. Vetëm pak muaj më parë, N.G. largoi nga puna 180 vetë. Nuk janë pak, duke marrë parasysh se atje punonin vetëm dy mijë vetë.

Ky është kulmi i papërgjegjshmërisë nga një media, ndaj njerëzve të punës.

Neve u habitëm në fillim se, përse një Kryeministër që vetë ka hapur me mijëra dhe mijëra vende pune dhe e ka rritur punësimin me disa nënta për qind, i bën jehonë një artikulli të një reviste që largon nga puna, nëntë për qind të të punësuarve. Pastaj u thelluam dhe...

Sigurisht, jo më kot Kryeministri ynë e ka përmendur këtë revistë.

Ka dashur të jepte mesazhin te Luli, që ky të ngrihej të hënën në protestë.

Kjo si duket, është pjesë e marrëveshjes së tyre, të së famshmes të 18 majit.

Koha do ta tregojë se sa i drejtë është dyshimi ynë.

Po përse i duhej Edi Ramës një protestë, në këtë kohë plot me reshje shiu?!

I duhej që në kurthin e tij, të binte Monika. Shoku Edi, gjithë kunjin e ka me Monin dhe burrin e saj, të cilët ishin pjesë e tepsisë, asaj të kaluar. Dhe Moni ra në këtë grackë.

Ajo, jo vetëm ra, por i ra edhe çizmja, siç edhe ju informuam dje, në këtë orë.

Me rënien e çizmes, e me dëmtimin e saj në kokën e korruptuar të Kryeministrit, ajo çizme tani do fusë ujë. E rrjedhimisht, kur fut ujë çizmja e Monit, fut edhe LSI-ja.

Edi nuk e ka inatin aspak më Lulin dhe PD-në, që kanë mbaruar. E kush është ai që mund të ketë inat me udhëheqësin e PD-së. Të gjithë e dinë se ai është një njeri i urtë, e që vendos si deputetë, kë t'i japin.

E meqë pak më lart ra llafi te Prokurori...

Ju besoj e vutë re që, një deputet mashkull i PS-së, ishte dhunuar fizikisht nga një deputet femër i LSI-së. Ai, më pas, foli dhe tha që, ishte përdhunuar. Pra, deputeti në këtë rast, ngatërron "dhunimin" me "përdhunimin", që i ndajnë vetëm një "për".

Ne si rubrikë, jemi të bindur që ky lajm u shpërnda nga vetë Kryeministri.

Sigurisht që, ai lajm nuk u dha jo kot. Për t'ja u tundur nesër përpara syve këtyre deputetëve, e për t'ju thënë; "Pushoni, se jeni injorantë! S'dini ç'është dhunimi, e ç'është përdhunimi". Njëlloj siç ju kemi thënë që ja u bënte shoku Sali, deputetëve të tij që kur i dilnin kundër, u thoshte: Pushoni, se do të ta nxjerrë dosjen që ke qënë bashkëpunëtor i Sigurimit!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: