Zbulohet objektivi i Skënderbeut të 2018-ës: Grupet e Champions

Zbulohet objektivi i Skënderbeut të 2018-ës: Grupet e Champions
Aranit Muraçi

“Viti i Skënderbeut”/ Skuadra e Dajës po përballon me sukses kampionatin dhe Europa League, duke bërë diferencën me rivalët për shkak të financave. Europa League i solli mbi 3 mln euro arkëtime dhe kjo bëri që klubi korçar të nisë hartimin e një plani tjetër ambicioz: Champions     

Skënderbeu i Korçës pritet të mbyllë këtë të enjte në Bernë të Zvicrës aventurën e Kupave të Europës, ku pavarësisht çdo rezultati misioni konsiderohet i suksesshëm. Përveç faktit se Skënderbeu u kualifikua këtë sezon për herë të dytë në grupet e Europa League, madje është e vetmja skuadër shqiptare që arrin në këtë fazë të avancuar, ndeshja e fundit nuk e gjen jashtë Europës skuadrën e Ilir Dajës.

Por pavarësisht çdo rezultati në Zvicër, presidenti Ardian Takaj ka falënderuar lojtarët dhe stafin drejtues për ecurinë spektakolare të pjesës së parë të këtij sezoni di dhe për avancimin në Europa Laegue, duke e konsideruar misionin historik dhe që i garanton skuadrës së tij financa të mjaftueshme për të shkuar shumë më larg sezonin që vjen. Falë fitores së fundit ndaj Kukësit, skuadrës kampione në fuqi, ndeshja e mbetur e Europa League e gjen Skënderbeun në krye të kampionatit, plot tetë pikë para vendit të dytë. Kësisoj, me moral të lartë kanë nisur në Durrës përgatitjet e korçarëve për takimin e fundit ndaj zviceranëve të Young Boys. Presidenca, stafi teknik dhe trajneri Ilir Daja tashmë janë të bindur se ky është pikërisht “viti i Skënderbeut”.

Skuadra që mban emrin e heroit tonë kombëtar, e sheh titullin kampion një mision gati të kryer, ende pa përfunduar gjysma e parë e garës. Për “Albanian Free Press” konfirmohet se plani i Skënderbeut për merkaton e janarit ka në fokus jo vetëm afrimin e lojtarëve që do të garantojnë titullin kampion por është projektuar ndërtimi i një skuadre që do t’i siguronte fazën grupeve në Champions League. Po ku bazohet Skënderbeu, për të shpresuar se mund të shkojë vitin tjetër në fazën e grupeve të Champions League kur ende nuk ka siguruar titullin kampion? Pikërisht te pjesëmarrja e fundit e Skënderbeut në Europa League, kalimi i tre tureve kualifikuese, kualifikimi në fazën e grupeve, fitorja e kaluar me Dinamon e Kievit dhe dy barazimet e arritura, pa llogaritur të drejtën televizive, apo të ardhura të tjera. UEFA për çdo tur kualifikues, fitore apo barazim në grupe akordon shpërblime, çka kanë siguruar afro 3 mln euro në arkën klubit korçar. Nëse për ekipet e tjera pjesëmarrëse në grupet e Europa League si Milan apo Arsenal, kjo shumë nuk vlen as për të paguar gjysmën e një futbollisti, për Skënderbeun është gati buxheti që i nevojitet një ekipi shqiptar për të fituar titullin kampion për dy sezone. Mësohet se do të afrohen gjatë janarit edhe 3-4 lojtarë cilësorë e me të ardhme të sigurt, që Skënderbeu të mos e vërë në diskutim asnjëherë kryesimin e kampionatit. Por lojtarët që do t’i bashkohen Skënderbeut në merkaton e ardhshme janë projektuar edhe për të garantuar suksesin historik të Skënderbeut: atë të fazës së grupeve në Champions League. Një sukses i mundshëm në grupet e Champions do t’i siguronte Skënderbeut plot 12 mln euro. Janë pikërisht arkëtimet e fundit nga Europa League që presidenti Ardian Takaj synon t’i investojë për ta kthyer skuadrën e tij në një model suksesi për Shqipërinë.

Europa League - Grupi B (7 dhjetor)

19:00 Dinamo Kiev- Partizani B.

19:00 Young Boys - Skënderbeu

Klasifikimi

Dinamo K.                        10

Partizan B.                         8

Skënderbeu                       5

Young Boys                       3

Shpërndajeni me miqtë tuaj: