“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet raporti drejtuar shokut Arben Ahmetaj: Ja përse Erion Braçe po na tradhëton!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet raporti drejtuar shokut Arben Ahmetaj: Ja përse Erion Braçe po na tradhëton!
"Antena Jashtë Familjes", së pari, ju kërkon ndjesë për foton e djeshme të gjermanit.

Atje nuk ishin shkruajtur fjalët e tij që nxori nga goja teksa kryente nevojat. Ato ishin "Po largohem sot, më 31 nëntor 1944, i kënaqur nga Shqipëria!"

Kjo ndodhi për shkak të internetit. Ja pra, ç'proçka bën teknologjia! Të ishte mirë ajo, nuk përdornin akoma letër institucionet tona.

Sot, në këtë të premte të ftohtë, sjellim së pari një lajm fringo, e një jo shumë të ri.

E nisim me këtë të dytin: Priten reshje të shumta shiu në vend. Këto reshje më së fundi, do na rregullojnë balancën energjetike, se vajtëm kohë që vetëm marrim energji nga jashtë.

E meqë ra llafi te energjia. Lajmi jo fringo është se, qeveria uli akcizën për pijet energjike.

I vetmi që votoi kundër këtij vendimi, ishte deputeti i shumicës, shoku Erion Braçe.

Ne si rubrikë e dimë përse ai doli kundër shokëve të tij.

E themi këtë, pasi siguruam raportin që një deputet i shumicës, i dërgon shokut Arben Ahmetaj, ideatorit largpamës të ekonomisë socialiste.

Ja çfarë shkruhet në këtë raportim, drejtuar shokut Beni: (në respekt të tejdukshmërisë, apo siç thuhet në gazetari, transparencës, po e botojmë siç ajo është shkruajtur);

"I dashurë strateg i ekonomis son! Sapo dolëm nga mbledhja e Komisionit të Ekonomdhisë, ku siç na kishe thënur, votuam për uljen e akcizës për pijet energjitike.

Jemi të gëzuarë që do i shtojm xhepave të miqve tan biznesmenë, mbi 2 milionë euro.

Dua të të spiunojë diçka shum të rënd, që ndodhi gjatë votimit që bëmë, o Gjigand.

Erioni, ai Tradhëtari, votoi kundër propozimit që na kishe sjellur ti, o Tigër.

Ata të opozitës bën sikur ishin kundra dhe nuk erdhën fare në Komisionë.

Dihen lidhjet e tyre me ata që sjellin nga jashtë vendit, pijet e atilla. Ndalemi te ky Tradhëtari.

Erioni ka frikë se duke u ulur akciza, rrisin fitimet biznesmenët e këtyre pijeve.

Kjo do të thotë që disa vetë që merrem me biznesin e këtyre pijeve dhe që japin lekë për klubin e futbollit të Skënderbeut pe Korçe, mund të shtojnë në të ardhmen, sasinë e parave për këtë klub. Më kupton, o Gjigand i Ekonomisë?

Erioni, si tifoz i Partizanit, i druhet këtij fakti...

Arsye tjetër që shoku Erion ishte kundër uljes së akcizës, është fakti që, ai duke qenë vetë një njeri me shumë energji, nuk do që edhe njerëzit që do konsumojnë këto pije energjike, të bëhen si ai. Xhelozia, kjo ndjenjë e vjetër që me krijimin e jetës, ndikoi në votën e tij kundër. Erioni e tregoi veten që e ka shpirtin e zi, o Tigër.

Por ti mos u merakos, o Gjigand i Ekonomisë Socialiste! Do llafosim nga afërë."

E meqë ra llafi te llafi "Shpirt i Zi", ne po ju themi diçka që vumë re në ballkonet e shqiptarëve, këtë 28 nëntor. E keni vënë re edhe ju, padyshim, nëse keni ecur krenarë që jeni shqiptarë, pra keni ecur me kokën lart.

Në ballkonet e shqiptarëve, nuk pati shumë flamuj kuq e zi, si disa vite më parë. Dhe kjo gjë, sigurisht e ka një arsye, madje madhore. Ajo është: Kreu i Lëvizjes Kuq e Zi, është larguar nga Shqipëria. Ne këtë ja u kemi spiunuar më parë, në një intervistë Ekskluzive me të.

Vitet e kaluara, shoku Kreshnik në cilësinë e kryetarit të kësaj lëvizjeje të madhe, i bënte thirrje shqiptarëve që të blinin flamuj me shkabën dykokë, e ato t'i vendosnin nëpër ballkone. Dhe shqiptarët ia dëgjonin përherë llafin Kreshnikut, pavarësisht se nuk i jepnin ndonjëherë votën. Flamujt mbushnin ballkonet.

Këtë vit, shoku Kreshnik nuk e bëri një thirrje të tillë, e ja rezultati që patëm.

Ballkonet, bosh. Ne kontaktuam nëpërmjet e-mailit me vetë Kreshnikun i cili, pyetjes sonë se a mendon ai se, mosthirrja nga ana e tij, ka ndikuar në mosvendosjen e flamujve në ballkone. Shoku Kreshnik na u përgjigj shkurt: "Po, sigurisht! Danke shën!" - e na mbylli telefonin.

E lëmë Kreshnikun atje ku është jashtë vendit, e kthehemi te një ngjarje këtu.

Sipas të dhënave të kolegëve tanë të revistës Monitor, pjesa e trungut tonë Kosovë, e ka pagën mesatare për të punësuarit, 15% më shumë se të punësuarit në trungun Shqipëri.

Neve na bëhet qejfi që vëllezërit tanë përtej doganës, paguhen më shumë.

Pagat e shqiptarëve do ishin më të ulta, por shyqyr që kemi edhe disa opinionistë politikë që paguhen shumë, e kjo gjë rregullon mesataren e pagës të shqiptarëve të tjerë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: