2018, si ka nisur ky vit për shqiptarët?

2018, si ka nisur ky vit për shqiptarët?
“Xhepat” e secilit qytetar shqiptar po përballen me një realitet të ri në ditët e para të vitit që sapo ka nisur. Pasi prej tyre tashmë duhet të dalin më shumë para’ për të përmbushur disa nga nevojat e tyre të përditshme, siç është ajo për shembull e të “tymosurit” të një cigareje. Dhe kjo, sepse duke nisur që nga data 1 janar e këtij viti ka nisur të vihet në zbatim masa e rritjes së akcizës për produktin e duhanit.

Konkretisht, duhanpirësit kanë nisur të përballen me rritjen e çmimit nga 7-10 lekë për çdo paketë në shumicën e pikave të shitjes. Por edhe në ato ku kjo rritje nuk ka nisur të aplikohet, kjo ka ndodhur pasi shitësit po tregtojnë paketat që i kanë gjendje nga viti i kaluar. Por shumë shpejt, pohojnë ata, do të nisin të aplikojnë rritjen e çmimit për paketat e reja që do të tërheqin në njësitë e tyre tarifat e reja të akcizës. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë gjatë ditëve të para të këtij viti, po për-ballen me një euro edhe më të forcuar, pas dominimit që ajo tregoi në tregun e brendshëm të këmbimit valutor kundrejt lekut, si pasojë e efektit sezonal në festave të fundvitit, teksa emigrantët shqiptarë sjellin më shumë të tilla nga vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Kështu, është fakt se monedha vendase e ka nisur këtë vit të ri duke u zhvlerësuar vazhdimisht në raportet e këmbimit të saj me euron. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në ditën e parë të punës për vitin 2018, një euro u këmbye me 133.07 lekë, duke u rritur me 0.12 lekë në krahasim me ditën e fundit të vitit të kaluar. Nga ana e tyre, ekspertët parashikojnë që leku do të vazhdojnë të jetë i dobësuar edhe gjatë javëve të tjera të janarit, teksa nisin të bëhen blerjet e para nga jashtë për kompanitë, apo kur shumë të tjera nisin dhe transferojnë fitimet e tyre jashtë Shqipërisë.

Por mes këtyre lajmeve, disi deprimuese për “xhepat” e shqiptarëve, duket se ka mbërritur edhe një i mirë, pikërisht ai i zgjatjes së afatit për skemat e lehtësimit me operatorin e shpërndarjes së energjisë për shlyerjen e borxheve të prapambetura të saj ndër vite. Konkretisht, raportohet se akt-marrëveshjet që parashikojnë pagesën e  faturës aktuale, detyrimet e vitit të fundit dhe këstin për borxhet e para 2017-ës, do të jenë funksionale për të gjitha kategoritë, duke nisur nga familjarët dhe shtresat në nevojë e deri tek bizneset.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: