BE-ja CAKTON NJË DATË PËR ETAPËN E ARDHSHME TË ZGJERIMIT - ANALIZË NGA ANDRJU RETMAN

BE-ja CAKTON NJË DATË PËR ETAPËN E ARDHSHME TË ZGJERIMIT - ANALIZË NGA ANDRJU RETMAN
Nga Andrju Retman

EUobserver

Bashkimi Europian po përgatitet të caktojë 2025-ën, si vitin e etapës së ardhshme të zgjerimit të unionit, me vende nga Ballkani Perëndimor.

“Tashmë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një mundësi me rëndësi historike. Për herë të parë, e ardhmja e tyre e integrimit ka një kornizë kohore të përcaktuar”, - do të shprehet komisioni, në një strategji e cila do të miratohet ose në datën 7 ose në datën 14 shkurt.

“Me një vullnet politik të fortë, duke zbatuar reforma reale dhe duke dhënë zgjidhje afatgjata të çështjeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025”, - do të thuhet po ashtu në tekst, sipas draftit të parë nga EUobserver.

Strategjia do të përmendë edhe faktin se, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, “do të kenë bërë përparime të mëdha në rrugën e tyre të integrimit”.

Dokumenti në fjalë shënon një pikë kthese nga deklarata e bërë nga kreu i komisionit, Zhan Klod Junker, në vitin 2014, sipas të cilit, nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Europian në të ardhmen e afërt.

Serbia dhe Mali i zi i kanë hapur tashmë bisedimet për anëtarësim. Shqipëria dhe Maqedonia po shpresojnë t’i hapin bisedimet këtë vit, nëse Maqedonia arrin të zgjidhë çështjen e emrit me shtetin grek.

Bosnja po kërkon të fitojë statusin e kandidates së BE-së, ndërkohë që Kosova po shqyrton mundësinë për të bërë kërkesë zyrtare për t’u pranuar si kandidate.

Sipas dokumentit të komisionit, mosmarrëveshjet në rajon mund ta ngadalësojnë procesin.

“BE-ja nuk mundet dhe nuk do të importojë në gjirin e saj mosmarrëveshje dypalëshe. Kjo është arsyeja, pse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin këto mosmarrëveshje, në mënyrë urgjente”, - thotë drafti.

Dokumenti i Komisionit Europian po ashtu, propozon se çështjet kufitare duhet të zgjidhen me anë të arbitrazhit ndërkombëtar dhe se çdo vendim duhet të jetë përfundimtar dhe i zbatueshëm.

Çështja më akute

Çështja më akute lidhet me mosnjohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Dokumenti i komisionit thotë se “normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në formën e një marrëveshjeje me fuqi ligjore”, është “thelbësor” për të ardhmen europiane të të dyja vendeve.

Megjithatë, problemet e Kosovës shkojnë përtej Serbisë, sepse janë edhe pesë shtete të tjera që nuk e njohin pavarësinë e këtij vendi.

Ndërkohë, kreu i ri i qeverisë së Prishtinës, Ramush Haradinaj, është zotuar se do ta shfuqizojë të ashtuquajturën Gjykatë Speciale me qendër në Hagë, e cila do të hetojë akuzat për krime lufte të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Të hënën, ambasada amerikane në Prishtinë e refuzoi kërkesën për vizë të kreut të qeverisë kosovare, për të marrë pjesë në një aktivitet në shtetin e Ajuas, më 11 shkurt. Ky vendim u duk si një vendim ndëshkues ndaj kreut të kabinetit qeveritar.

Çështja e emrit

Mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë, mund të marrë një zgjidhje përfundimtare në muajin qershor. Greqia e ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO, për një dekadë me radhë, me pretekstin se emri Maqedoni nënkuptonte një pretendim territorial të një rajoni në Greqi, që mban të njëjtin emër.

Por, Shkupi dhe Athina, thonë se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

“Ekziston një dritare mundësie për zgjidhje”, tha kryeministri grek, Aleksis Tsipras të hënën pas mbajtjes së bisedimeve me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev.

Ndërkohë, nga ana e tij, kreu i qeverisë në Shkup, tha:

“Mendoj se ekziston një mundësi për zgjidhje, deri në mesin e vitit 2018”.

Mosmarrëveshjet kufitare

Lista e mosmarrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit, vazhdon edhe sot, 20 vjet pas përfundimit të luftërave në këtë rajon. Kroacia dhe Sllovenia, të cilat janë anëtare të Bashkimit Europian, nuk arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mbi kufirin detar. Kreu i komisionit Junker, tha se kjo mund të shërbejë si pengesë e zgjerimit. Kroacia është po ashtu në proces bisedimesh për kufirin me Bosnjën, Malin e Zi dhe Serbinë. Kosova ka rënë dakord për kufijtë e saj me Malin e Zi, por Prishtina nuk pranon ta zbatojë këtë marrëveshje.

Më 18 maj të këtij viti, Bashkimi Europian pritet të mbajë një samit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofie, 15 vjat pas samitit të Selanikut në Greqi, kur vendet anëtare u zotuan se do ta bënin rajonin pjesë e familjes europiane.

Faktori rus

Planet e kreut të Komisionit Europian kanë marrë shtysë edhe nga ndikimi gjithnjë e në rritje i Rusisë. Rusia ka ndërmarrë një fushatë intensive, me qëllim që të mbushë median në Ballkan, me propagandë kundër BE-së dhe të nxitë nacionalizmin serb me marrëveshje armësh.

Dyshohet se pas puçit të dështuar të shtetit në Mal të Zi, gjatë vitit të kaluar, fshihen spiunë rus. Kjo tentativë kishte për qëllim ta pengonte anëtarësimin e vendit në NATO. Ndërkohë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, i tha kohët e fundit “Euobserver” se, ai priste të tilla manovra edhe në Maqedoni këtë vit.

“Ky është një skenar i mundshëm”, - tha Bushati.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: