“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Damian Gjiknuri: Patentat e reja, vetëm armiqtë e kombit janë kundër tyre

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Damian Gjiknuri: Patentat e reja, vetëm armiqtë e kombit janë kundër tyre
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" hapet sot me një lajmi të mirë, për çdo mashkull dhe femër me patentë. Së shpejti do dalin në qarkullim patentat e reja. Ato do të kushtojnë diku te 3-4 mijë lekë secila, kuptohet, të reja.

Themi "lajm i mirë", pasi këto patenta do kenë të stampuar nga pas, fytyrën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Ju kërkojmë falje që nuk mundëm të merrnim vesh nëse aty, Skënderbeu do të jetë i fshehur apo i dukshëm.

Nuk besojmë që Ai, këtë herë, të jetë i mbuluar. Ajo që morëm vesh, është fakti që në patentë, nuk do të jetë fytyra e plotë e tij, por do të jetë profil.

Mendojmë se kjo zgjedhje është bërë për dy arsye.

E para, për qëllime ekonomike. Kushedi sa do të na kushtonte ajo patentë, nëse Gjergji do të ishte në pozicion tjetër.

P.sh., të ishte mbi kalë. Apo ta zëmë se do të ishte me shpatë në dorë.

Ne, si rubrikë, falënderojmë institucionin dhe ideatorin dizenjues të këtyre patentave, që heroin tonë e solli kaq thjesht, duke kursyer në koston e prodhimit, e duke na kursyer në blerje. Pavarësisht se kur bëhet llaf për heroin tonë, nuk ka çmim që të na bëjë të pakënaqur.

Mendojmë se qenia, apo siç i themi neve në gazetari, ekzistenca e Skënderbeut në këtë dokument, do bëjë që ngarësit e makinave të jenë më të përgjegjshëm. Jemi të bindur që, tani dhe pak më tutje, shoferët do ta thyejnë më pak kodin rrugor.

Makinat e vjetra p.sh., nuk do të shqetësojnë më makinat e reja, duke parkuar në trotuar pranë këtyre të fundit. Prania e Skënderbeut do të bëjë që shoferët, të mos ta kundërshtojnë policinë. (Sqarim: E kemi llafin për shoferët e makinave të vjetra).

Vetë shoku Damian Gjiknuri, lidhur me këtë çështje, shkruajti në një rrjet shoqëror:

... Shoferët nuk do kenë sy e faqe t'ju bërtasin forcave të rendit, pasi kështu turpërojnë direkt Heroin tonë Kombëtar. Boll e kemi turpëruar! Vetëm armiqtë e kombit janë kundër blerjes së këtyre patentave të reja.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: