Dhimbjet e shpinës dhe të qafës tek fëmijët, çfarë duhet të dimë

Dhimbjet e shpinës dhe të qafës tek fëmijët, çfarë duhet të dimë
Mjekët këshillojnë për aktivitet fizik dhe qëndrim të rregullt në shtrat, si dhe dyshek dhe jastëk me një butësi mesatare, për të mos pasur dëmtime të shtyllës kurrizore. Por çfarë duhet të kenë parasysh prindërit, në rastet kur fëmija e tyre shfaq këto probleme dhe cilat janë zgjidhjet

Sonila Isaku

Mbajtja e çantave të shkollës, mënyra se si qëndrojnë, mbajtja e tabletave dhe celularëve, shpesh herë, mund të bëhen shkak për dhimbje të qafës dhe të shpinës te fëmijët. Çfarë duhet të bëjmë në këto raste dhe cilat janë shenjat e para që duhet të sinjalizojnë prindërit për fëmijët të cilët kanë probleme me shtyllën kurrizore. Mjeku pediatër-reumatolog, Aurel Vula, tregon të gjitha këshillat e nevojshme.

Dhimbja e shpinës

Dhimbja e shpinës është një projektim i shtypjeve mekanike, i një dëmtimi mekanik të jashtëm apo një dëmtimi muskulor, mund të jetë pasojë e një dëmtimi nervor, apo një dëmtimi kockor. Pra, në varësi të nivelit se ku ndodh, kemi shfaqjen e dhimbjes si pasojë e dëmtimit kockor, në indin lidhor apo në tendinat apo ligamentet që lidhin kockat dhe muskujt, apo në rastet e një formimi jo të duhur të kockës. Po kështu, kemi edhe raste të tjera të dhimbjeve të shpinës të cilat mund të ndodhin edhe për shkak të dëmtimeve mekanike. Këto dhimbje shpërndahen ndryshëm dhe perceptohen në intensitet të ndryshëm. Madje në grupmosha të ndryshme, është e lokalizuar ose e perceptuar në intensitet të ndryshëm. Jo çdo njeri percepton të njëjtën shkallë dhimbje. Për shembull, nëse themi që një dëmtim të caktuar muskulor me një forcë të caktuar traumatike, persona të ndryshëm e perceptojnë në mënyra të ndryshme dhe kjo në varësi të dëmtimit muskulor në secilin individ të caktuar.

Në pjesën pediatrike, dhimbja shfaqet kryesisht e natyrës muskulore, të traumave që fëmijët mund të shkaktojnë gjatë lodhjes apo gjatë lojërave të ndryshme, - siç janë traumat e kontaktit me njëri-tjetrin, apo rrëzimet nga lartësitë. Mund të jetë si pasojë e kontrakturave dhe atyre shtrëngimeve muskulore që ndodhin për shkak të qëndrimeve jo të duhura, jo korrekte. Sot, fëmijët nuk janë me aktivitet fizik në natyrë dhe të gjallëruar, por janë fëmijë të mbyllur në mjedise të kufizuara, duke u fiksuar para ekraneve, apo para elektronikës. Kjo bëhet shkak për fillimin dhe shfaqjen e dhimbjeve.

Sëmundja

Fillimi i dhimbjeve, apo mënyra se si fëmija e shpreh dhe shqetësohet, detyron prindin dhe fëmijën për paraqitjen tek mjeku. Përgjithësisht fëmijët i kalojnë këto situata, pasi përhumben përmes lojërave dhe situatave të ndryshme, për pasojë dhe rrallëherë e shprehin dhimbjen. Kemi raste të tjera kur ata bëjnë imitim të dhimbjes, për shkak të asaj çka dëgjojnë tek familjarët. Pjesa e imitimit të të rriturve, ndodh shpesh herë tek fëmijë fare të vegjël, të cilët dihet shumë mirë që nuk mund të lokalizojnë dhe të fokusojnë dhimbjen, por me aq fjalë sa mund të thonë prindërit, pohojnë se fëmijët e tyre ankohen për dhimbje te qafës apo të mesit.

Ndërsa pjesa tjetër që arrin të perceptojë dhe të ndjejë dhimbjen, janë fëmijët e moshës 10-14 vjeç të cilët kanë qëndrimet e deformuara të cilat përmendëm më sipër, duke filluar të ndiejnë dhe të shfaqin dhimbjen në mënyrë të vazhdueshme. Është një dhimbje që zgjat për orë e orë të tëra, që ndodh kryesisht në orët e pasdites pas krijimit të një aktiviteti fizik, apo pas një qëndrimi të zgjatur. Vetë akumulimi i kësaj kontrakture, pra mospërdorimi i muskujve për një kohë të gjatë, fillon dhe shfaq ato problemet që përmendëm më sipër. Kur bëhet fjalë për dhimbjet me origjinë kockore, siç mund të jenë dëmtimet e mineralizimit kockor apo dhimbjet e formave të artritit, këto sëmundje kanë një shtrirje moshore nga më të ndryshmet, por janë dhimbje qe nuk fokusohen në një orar të caktuar, por janë të shtrira përgjatë gjithë ditës.

Origjina e dhimbjeve të shpinës

Ajo që është e rëndësishme për prindërit, por edhe për mjekët, është identifikimi i shkakut të kësaj ankese apo dhimbjeje. Ajo që prindërit duhet të kuptojnë është që kjo dhimbje ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë kohës, dhe vërtet ndikon në stilin e jetës së fëmijës apo është një dhimbje që vjen nga akumulimi i aktivitetit ditor, një traume ose në raste të caktuara, kur kanë të bëjnë me ndonjë inflamacion apo infeksion në pjesën e kafazit të kraharorit, apo muskujve të thellë të kurrizit. Por, dhimbjet e shpinës mund të kenë edhe origjinë të dëmtimit të shtyllës kurrizore, siç janë  skoliozat apo lordozat, që janë edhe patologjia më e zakonshme që kanë të bëjnë me deformimet e kolonës të cilat gjithmonë lidhen me qëndrimin keq të fëmijëve, apo edhe mbajtjen e çantës së shkollës, e cila mund të jetë më e rëndë se sa lejohet për peshën trupore të tyre.

Rastet

Rastet e deformimeve të shtyllës kurrizore si skolioza dhe lordoza, janë edhe ato që hasen më shpesh nga mjekët pediatër te fëmijët, sidomos ata të moshës shkollore. Problemi më i madh i këtyre pacientëve, është se nuk arrijnë të fokusohen se ku duhet të drejtohen për të marrë shërbimin jetësor, pasi është një dhimbje që përzien disa profesione bashkë, duke futur mjekun e familjes pediatër, reumatolog pediatër, ortoped, neuropediatër. Në rastet kur kjo sëmundje nuk zbulohet që në gjenezë, mund të shkohet deri në agravim të situatës, duke prishur cilësinë e jetës së fëmijës, duke shkuar në shkallë të parikthyeshme të dëmtimeve dhe deformimeve të kolonës.

Trajtimi

Kur themi që këto sëmundje janë të parikthyeshme, e fundit gjithmonë mbetet pjesa kirurgjikale. Pra, çdo gjë varet nga gradët e deformimit  të kolonës, dhe kjo përcaktohet përmes ekzaminimeve radiologjike, për të parë nëse ka vetëm dëmtime të indeve kockore apo edhe të pjesës përreth, për të identifikuar problemin. Në varësi të shkallës së dëmtimit përcaktohet edhe mënyra se si do të trajtohet dhe veprohet me pacientin. Ky trajtim ka të bëjë me këshilla të cilat lidhen me mënyrën e qëndrimit, mund të jetë sportiv nëpërmjet bandazheve të ndryshme të kolonës dhe në shkallët shumë të avancuara, është konsultimi me kirurgun apo ortopedin për të kryer rregullimin e deformimit.

Sa i takon dhimbjeve të para të cilat mund të vijnë pas një aktiviteti të shtuar fizik, mund të përdoret një qetësues i thjeshtë, nga ato që i quajmë vrasës të dhimbjeve. Nëse kjo dhimbje nuk qetësohet me masazhim apo me medikamentet në formë xheli, atëherë kalohet në fazën e dytë ku futen antiiflamatorët që jepen edhe pa përshkrimin e mjekut. Në rastet kur kemi dhimbje të cilat zgjasin nga 3 javë deri ën 3 muaj, atëherë duhet të drejtohemi tek mjeku specialist pasi kemi të bëjmë me dhimbje kronike dhe duhet të zbulojmë shkakun e vërtetë të tyre.

Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik është faza e parë ku synohet të shkohet për përmirësimin e situatës, duke u nisur nga momenti i parë i identifikimit të shkakut që ka krijuar problemin. Pas identifikimit të shkakut, përcaktohet se cilët janë hapat që duhet të ndiqen për trajtimin. Jo gjithmonë me trajtim duhet të kuptojmë përdorimin e një medikamenti apo ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Trajtimi nuk të jetë edhe këshillimi i prindit dhe fëmijës se si të shmangin dhe të korrigjojnë posturën, qëndrimin. Ka raste që dhimbjet mund të vijnë nga qëndrimi i keq në shtrat, apo edhe nga shtrati i keq. Për fëmijët këshillohet një dyshek mesatarisht i butë dhe jastëk jo shumë i lartë dhe me butësi maksimale. Po kështu, një këshillë e rëndësishme është edhe mënyra e qëndrimit në shtrat ku për fëmijët këshillohet qëndrimi në shpinë dhe jo i deformuar apo palosur.

Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme është edhe aktivizimi i muskujve, pra, aktiviteti fizik. Ne shpesh i shohim fëmijët që mbeten me orë të tëra para ekraneve ose para librave. Edhe kjo është problematike, pasi në çdo një orë prindërit, duhet ta mësojnë fëmijën të bëjë lëvizje dhe ushtrime gjimnastike për të paktën 5-10 minuta.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: