Duka-Fino, pas garës së komplikuar, a do të gjykohet fituesi?

Duka-Fino, pas garës së komplikuar, a do të gjykohet fituesi?
Koment nga Aranit Muraçi

Kandidati për president i FSHF-së, Bashkim Fino, nuk ka pranuar të dorëzojë mandatin e deputetit, me argumentin gjatë shpalosjes së platformës se, nuk e parashikon statuti një gjë të tillë. Ndaj edhe me mandatin e deputetit të PS-së, i është futur njëkohësisht garës për kreun e ri të FSHF-së. Por statuti i FIFA-s dhe i UEFA-s, që është implementuar automatikisht nga FSHF-ja, nuk lejon asnjë ndërhyrje politike apo përzierje të politikës me sportin, e konkretisht me futbollin. Gjithsesi, Fino nuk ka dashur të rrezikojë me mandatin e deputetit, teksa rivali i tij, Armand Duka, pasi ka fituar bindshëm në zgjedhjet e kaluara përballë çdo kandidature, kërkon mandatin e pestë radhazi. Në rast se FIFA dhe UEFA do ta kërkojnë që asnjë kandidat të mos jetë njëkohësisht edhe njeri i zgjedhur politikisht, Fino mund të detyrohet para votimit për ta dorëzuar para kohe mandatin, ndërkohë që nëse ai shpallet fitues mësohet se do të bëjë me dëshirë të njëjtën gjë. Por platforma e Finos me mandatin e deputetit, rrezikon “të njolloset” nga rivali i tij, Armand Duka, i cili nga përvoja, e njeh mirë statutin e organizmave ndërkombëtarë. Armand Duka, përveç platformës për të bindur anëtarët e Asamblesë që ta votojnë më 7 shkurt, ka shtuar akuzat ndaj rivalit që vjen nga shumica qeverisëse, me idenë se ndaj autonomisë që gëzon futbolli, po ushtrohet jo vetëm influencë, por edhe “presion politik”, çka kjo është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dënueshme nga FIFA dhe UEFA.  A do të shkojë gara mes tyre në dyert e organizmave ndërkombëtarë?

Edhe nëse gara për kreun e ri të FSHF-së, kërkon zgjidhje ndërkombëtare, Duka nuk ka më sigurinë sikurse në të kaluarën. Gara mes Dukës dhe Finos, kur mbetet më pak se një muaj nga zgjedhjet për presidentin e ri të federatës, po bëhet gjithnjë e më e ashpër, por edhe më e komplikuar, se çdo garë tjetër e mëparshme. Armand Dukës i duhet të garojë në këto zgjedhje, për herë të parë, pa dy drejtues, që ishin gjithnjë në favorin e tij si, Blatter e Platini. FIFA e UEFA dënuan me ashpërsinë më të madhe, “ndërhyrjet politike” që ata i konsideronin të tilla, kur u tentua gjatë qeverisjes së djathtë rreth një dekadë më parë, të largohej Armand Duka, madje përjashtuan edhe Shqipërinë nga arena ndërkombëtare, derisa qeverisja e asaj kohe hoqi dorë, një herë e mirë, nga pretendimet mbi FSHF-në. Por si Blatter, ashtu edhe Platini, i lanë postet e tyre, fill pas mandatit të radhës që siguruan, nën akuzë për afera korruptive, duke u bërë objekt edhe të një hetimi nga FBI. Në këtë situatë, autonomia e pretenduar nga organizmat e futbollit është lëkundur ndjeshëm, çka ka sjellë lëkundje edhe në kupolat e drejtuesve të disa prej federatave anëtare, sidomos nga Europa.

Federata Shqiptare e Futbollit ka 66 anëtarë të cilët, në bazë të statutit, mund të jenë Klube futbolli ose subjekte, të cilat përfaqësojnë grupe të caktuara profesionesh apo rajone të caktuara gjeografike. Ndaj Armand Dukës janë ngritur akuza, se ka regjistruar shoqata futbolli fantazmë, me qëllim manipulimin e zgjedhjeve, çka detyroi FSHF-në të reagonte mbi këtë çështje. Mirëpo, nga ana tjetër, disa futbollistë të Kombëtares shqiptare, si dhe më keq akoma, disa gjyqtarë futbollit, të cilëve u është e ndaluar të shprehën publikisht pro ose kundër kandidatëve të mundshëm, janë shprehur pro presidentit aktual, Armand Duka. Shumica e votave vijnë nga përfaqësuesit e klubeve. Duke qenë se shumica prej tyre janë nën varësitë e bashkive dhe këto të fundit kontrollohen nga PS-ja, Bashkim Fino, i cili jo rastësisht u propozua nga Lushnja, klubi i vetëm i Kategorisë Superiore që varet plotësisht nga partia e majtë në pushtet, ka numrat e mjaftueshëm për të fituar pa bërë fushatë. Rivali i kreut aktual të FSHF-së ka terren të mjaftueshëm për ta zbritur Dukën nga “froni”, që e mban prej 16 vjetësh. Por megjithatë, pas ’90, padyshim këto janë zgjedhjet më të komplikuara e më të vështira, për të zgjedhur presidentin e ri të FSHF-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: