Energji e gaz, aty ku kanalizohen investimet e të huajve në Shqipëri

Energji e gaz, aty ku kanalizohen investimet e të huajve në Shqipëri
Pará të hedhura kryesisht për të prodhuar apo transmetuar  energji elektrike dhe gaz. Ky është trendi më i fundit i investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Të paktën referuar të dhënave që ofron vetë Banka e Shqipërisë rreth tyre, sipas të cilave, rezulton se energjia elektrike dhe gazi, është sektori kryesor ku po kanalizohet pjesa më e madhe e parave që sipërmarrësit e huaj kanë derdhur së fundmi në vendin tonë në formën  e IHD-ve. Një “vrull” ky i treguar sidomos gjatë vitit të kaluar, kur pikërisht në kuadrin e investimeve të realizuara për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), apo edhe ato për hidrocentralin e Devollit, stoku  IHD-ve për sektorin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar”, vlera e tyre arriti deri në shifrën e 1.5 miliardë eurove. Një shifër mjaft e lartë me atë të tre viteve më parë, kur për të njëjtin zë, nga të huajt në Shqipëri, i njëjti stok rezultonte vetëm në nivelin e 30 milionë eurove. Por edhe me vitin pararendës, 2016, që e kishte këtë tregues në vetëm 960 milionë euro. E duke treguar kështu sesi nga viti në vit, nga të huajt Shqipëria po konsiderohet gjithmonë e më shumë si një vend i denjë ku mund të investosh për hidrocentrale apo edhe projekte gazi. Duke ia marrë kështu këtë pozicion zërave të tjerë si “informacioni dhe komunikacioni”, të cilat vetëm 2-3 vjet më parë, kapnin shifrat që sot i kanë në fakt IHD-të për energji dhe gaz. Ndërsa në fundvitin e kaluar, ato zunë vetëm nivelin e 1.2 miliardë eurove. Sikundër, me një rritje modeste mund të konsiderohen edhe investimet e realizuara në tërësi në fushën e aktiviteteve financiare, apo atë të sigurimeve. Kështu, ndërsa në vitin 2014, stoku i IHD-ve në to ka qenë vetëm në shifrën e 725 milionë eurove, në fundvitin e kaluar, ato arritën deri në 987 milionë euro.

 

Menaxhimi i plehrave e uji, “thithin” më pak investime 

Menaxhimi i plehrave dhe i mbetjeve në tërësi, apo furnizimi me ujë është fusha që duket se paraqet më pak interes nga të huajt për të hedhur paratë e tyre në Shqipëri. Edhe pse debati rreth tyre është zhvilluar prej shumë kohësh në vend, për për-punimin e mbetjeve apo jo, ende kompanitë e huaja duket se janë treguar pak skeptike për të investuar në këtë fushë. Kon-kretisht, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar, stoku i investimeve të huaja direkte në vendin tonë kapi një nivel prej vetëm 3 milionë eurosh. Një shifër mjaft minimale kjo, së cilës i afrohet vetëm ajo prej 8 milionë eurosh IHD në sektorin e bujqësisë apo peshkimit.  Ku ky i fundit duhet thënë se është gjithashtu, një sektor mjaft i lënë mënjanë nga investimet e huaja, edhe pse së fundmi qeveria po bën të gjitha përpjekjet që ta lançojë atë para sipërmarrësve të huaj. Apo edhe arsimimi, i cili zë një shifër mjaft të ulët të IDH-ve, me vetëm 17 milionë euro, në fundvitin e kaluar, si stok investimesh. Një nivel ky aspak i ndryshuar gjatë viteve të fundit, e qe flet kësisoj për interesimin mjaft të ulët të të huajve ndaj tij.

 

Bankat dhe sigurimet, mbeten ende një fushë e preferuar për investime

Bankat dhe sigurimet, mbeten gjithashtu ende një fushë e preferuar për investime direkte në vendin tonë nga ana e sipërmarrësve të huaj. Edhe pse nuk mund të thuhet se ato kapin shifrat e sektorit të HEC-eve apo të gazit, sërish mund të konsiderohen mjaft të larta, me një stok që ka kapur shifrën prej 987 milionë eurosh në fundvitin e kaluar. Teksa tre vjet më parë, kjo shifër ka qenë më e ulët, përkatësisht prej 725 milionë eurosh. E që tregon sesi aktiviteti financiar si i tillë, apo edhe ai i sigurimeve, vazhdon të jetë në fokusin e sipërmarrjes së huaj që vendos të hedhë paratë e saj në Shqipëri. Kujtojmë sakaq, se bankat e nivelit të dytë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë janë thuajse tërësisht me kapital të huaj, sikundër edhe një pjesë e konsiderueshme e kompanive të sigurimeve figurojnë me një kapital të tillë.

 

Ndërtimi edhe transportet, aktivitete që në vend po realizohen kryesisht me paratë e shqiptarëve

Ndërtimi edhe transportet janë aktivitete që në vendin tonë po realizohen kryesisht me paratë e shqiptarëve, sesa me ato të sipërmarrjeve të huaja. Një fakt të tillë e tregojnë edhe shifrat më të fundit të servirura nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se investimet e huaja direkte të realizuara në këta dy sektorë nuk janë në nivele optimale. Kjo të paktën, krahasuar me ecurinë aktuale që ata kanë në vendin tonë vitet e fundit. Kështu, gjithmonë sipas BSH-së, rezulton se sektori i ndërtimit ka shënuar rënie të investimeve të huaja drejte brenda tij, në një kohë që po sipas BSH-së, ai ka patur një ecuri pozitive të tij. IHD-të për ndërtimin rezultojnë të kenë qenë përkatësisht në nivelin e 110 milionë eurove në fund të vitit të kaluar, më të ulëta se ato të 2-3 viteve më parë kur kanë arritur edhe deri në 140 milionë euro. Dukuri pak e ngjashme kjo edhe me sektorin e transportit, e cila edhe pse shifrat e IHD-ve nga viti në vit nuk mund të thuhet se i ka patur të në rënie, sërish mund të konstatohet se ato kanë qenë të ulëta. Konkretisht, sipas BSH-së, në fund të vitit të kaluar, rezultoi se stoku i investimeve të huaja direkte në sektorin e transporteve ka qenë në nivelin e 160 milionë euro, teksa 3-4 vjet më parë ato vërtiteshin në kufirin e 153 milionë eurove.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: