Fantazma e totalitarizmit

Fantazma e totalitarizmit
Në romanin e tij të fundit, Ismail Kadare depërton në vijën që ndan vdekjen nga jeta dhe individin nga shteti.

Nga Josefinë Livingston

Ismail Kadare mund të konsiderohet si shkrimtari më i suksesshëm, i të gjitha kohërave, në Shqipëri. Pjesa më e madhe e letërsisë së pas luftës në Shqipëri, është shkruar sipas stilit të realizmit socialist, e mishëruar mjaft mirë nga veprat e Sterjo Spases. Ndonëse është e paimagjinueshme që një shkrimtar i vetëm të arrijë të përkufizojë letërsinë e një vendi, Kadare ia doli mbanë mjaft mirë, këtij qëllimi. Që në romanin e tij të parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i shkruar në vitin 1963, Kadare e ka përdorur shoqërinë shqiptare si subjekt artistik të veprës së tij. Ai i referohet mitologjisë, subjekteve klasike dhe fesë, ndërkohë që, me mjaft dashuri dhe melankoli, përqendrohet te përvoja njerëzore e totalitarizmit.

Thelbi i vetë Kadaresë është paradoksi. Kadareja lindi në qytetin e Gjirokastrës, nga ku gjeti frymëzim edhe romani “Kronikë në Gurë”, 1971, jo larg vendlindjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha. Në “E penguara”, shteti totalitar shkrihet me vetë vdekjen.

Romani hapet me një grup hetuesish që thërrasin për të marrë në pyetje një dramaturg nga Tirana, i quajtur Rudian Stefa. Autoritetet e shtetit kanë rezerva për veprat e tij dhe atë e shqetëson tej mase kjo gjë. Autoritetet po ashtu, po rishikojnë një nga veprat e tij. Kohët e fundit, ai ka pasur një zënkë me të dashurën e tij – jo me partneren e tij, e cila është larg, por me një vajzë të re me emrin Migena – të cilën ai e ka zënë për flokësh dhe ia ka përplasur kokën te rafti i librave. Mos vallë, ajo është spiune? Kjo është arsyeja pse ai ndodhet këtu?

Struktura e romanit është si një rreth i zi gjigant: një hënë e eklipsuar. Protagonisti ynë është Stefa, por ai nuk e di se çfarë po ndodh me të apo arsyen pse atij po i ndodhin këto gjëra. Dalëngadalë, përreth kontureve, fillon të shfaqen rrezet e dritës. Hetuesit fillojnë ta pyesin se çfarë di ai mbi vajzën, por bëhet fjalë për dy vajza të ndryshme: Një tjetër vajzë, diku tjetër, ka kryer vetëvrasje dhe ka shkruar për Stefën në ditarin e saj. Ajo po ashtu, zotëron një kopje të veprës të tij, ku ndodhet edhe një autograf: për Linda B. Sigurisht që Linda B. është një fantazmë në veprën e tij dhe ajo nuk lejohet të hyjë në histori, sepse Kadare nuk ka krijuar një botë magjike. Megjithatë, fantazma është e pranishme, si në veprën e Stefës, ashtu edhe te “E penguara”.

Figura e fantazmës përfaqëson jo vetëm vellon e paditurisë që ndan të gjallët nga të vdekurit, por edhe individin nga shteti totalitar. Kështu, Linda B. rezulton se ka qenë pjesë e një familjeje të internuar, që jetonte nën masën e arrestit shtëpiak, dhe nuk lejohej të largohej nga qyteza e vogël ku qëndronte. Në roman, kjo masë shtrënguese zbatohet si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit. Deri në heqjen e masës së dënimit, të vdekurit nuk mund të zhvendoseshin nga varrezat ku ishin caktuar të varroseshin.

Ndërkohë që reflekton mbi veprën e tij, ai vendos ta ndryshojë atë që mund të bëjë fantazma në skenë. “Asnjë dramaturg nuk ka guxuar t’i bëjë një ndryshim të tillë fantazmës, në mijëra vite me radhë”. Ndryshimi nuk është sipërfaqësor. Për shembull, fantazma nuk shfaqet pjesërisht në formën e avullit e pjesërisht si person dhe nuk vishet me një xhaketë dhe me një maskë kundërgaz. Fantazma bëhet një qenie apo një instrument, jo vetëm e programuar në dy mënyra, por në dy mënyra që kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Një nga skenat e pjesës së Stefës, flet për një njeri i cili merret në pyetje në lidhje me vrasjen e një partizani. Këtu, kur trupi i partizanit u ngrit në breg dhe u shndërrua në një fantazmë, biseda e fantazmës me hetuesin nuk mund të dëgjohej nga personi që e vrau atë, dhe fjalët që ai shkëmbeu me vrasësin e tij, nuk mund të dëgjoheshin nga hetuesi. Fantazma e Kadaresë mund të qëndrojë në vijën ndarëse mes jetës e vdekjes dhe mes personit e regjimit, por ajo nuk shërben si një përkthyese r besueshme. Fantazma u flet dëgjuesve të saj në mënyrë kalimtare dhe personave të ndryshëm u thotë gjëra të ndryshme. Ajo persekuton të gjallët dhe thotë të vërtetën, por nuk flet dot qartë.

“E penguara” është vepër e shkruar nga një talent historik, i cili vazhdon të qëndrojë në majën e krijimtarisë së tij. Kjo vepër e konfirmon Kadarenë si shkrimtarin më të mirë, i cili jo vetëm e kujton shumë mirë, por po ashtu refuzon ta harrojë totalitarizmin europian. Tani, Shqipëria është një vend krejt ndryshe, por mënyra se si ka qenë ajo për Kadarenë, do të ekzistojë për aq kohë sa ai të shkruajë. Fantazmat nuk vdesin.

*Jozefinë Livingston është gazetare e republikës së kulturës në “The New Republic”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: