“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Deputeti i PD-së, Klevis Balliu: Si i vura flakën Kishës në Korçë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Deputeti i PD-së, Klevis Balliu: Si i vura flakën Kishës në Korçë!
Satirë

"Antena Jashtë Familes" vjen sot me një lajm të mirë, pasi ka mundur të zbulojë se kush ka qënë ai që i vuri flakën Kishës në Korçë. Shyqyr që nuk u përhap ai zjarr se, do kishte përvëluar edhe Voskopojën! Zjarrvënësi do kishte mbetur në histori, si Ali Pasha.

E meqë ra llafi te Aliu. Ja ku po e deklaroj publikisht se, nëse investitorët turq p.sh., do hapin ndonjë biznes në Tepelenë, unë do jem i pari që nuk do t’i lejoj!

Nuk ia fal unë atyre, për atë që i bënë Ali Pashës në veçanti dhe stërgjyshit tim në përgjithësi, që ishte Shef i Policisë Sekrete në atë Pashallëk. Kryespiun, me një llaf. Me pasion të zjarrtë, do e kundërshtoja investimin e tyre.

Shqiptari ka treguar se, gjakun nuk e bën ujë, sidomos kur bëhet llaf për investime për vendin.

E meqë ra llafi te zjarri. Ka qenë vetë shoku Klevis Balliu, i cili na ka telefonuar e na e ka thënë troç, atë që ju thamë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Klevis Balliu: Alo, antena Jashtë Familjes? Desha t'ju thosha se, atë zjarrin para katër ditësh te Kisha Ortodokse në Korçë, e vendosa unë.

Antena:Përshëndetje! Kush jeni juve, ju lutem?

Klevis Balliu: Jam deputeti i PD-së, Klevis Balliu. Nuk më njihni nga mjekra?

Antena: Më falni, shoku Klevis, por në telefonatë pa kamera, ajo nuk duket. Flisni, ju lutem!

Klevis Balliu: Për atë zjarrin në Kishën e Korçës, desha të flisja. E vendosa unë.

Antena: E vendosët ju?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për neve. Po si ndodhi? E vendosët gabimisht apo qëllimisht?

Klevis Balliu: Kur e vendosa, ishte qëllimisht. Tani e quaj, gabimisht "man"!

Antena: Pak më i qartë shoku Klevis, ju lutem! Si mundet të ketë qënë qëllimisht e pastaj, gabimisht? Qenka si korani i Pogradecit, që s'është koran, por shitet si koran. Ju e dini më mirë këtë gjë, jeni deputet i Pogradecit.

Klevis Balliu: Jo, nuk e dija këtë punën e koranit. Nuk kam jetuar shumë kohë në Pogradec, në fakt. Vetëm kur më tha miku im, Lul Basha, që të shkoja atje për zgjedhje, shkova disa herë me makinë. Edhe humba, "man"

Antena: Si humbët?! Mesa di unë, ju në zgjedhje fituat ...

Klevis Balliu: Humba rrugën. Në vend të shkoja te lagjja pranë stadiumit, shkova në Ohër. Histori e gjatë. Vetëm juve po jua them. Ju flisja shqip ohrianëve, por ata s'më përgjigjeshin. "Mos nuk më kuptojnë, meqë e flas shqipen me theks anglez", - pyesja veten. Se që ta dish ti, unë edhe kur mendoj, në fillim mendoj në gjuhën angleze, "man"!

Antena: Ashtu? Shumë mirë, ju lumtë!

Klevis Balliu: Ndaj më ka dalë nami që bëj gabime kur shkruaj dhe flasë shqip. S'më vijnë shpejt mendimet në shqip, man.

Antena: Ju kuptova. Kthehemi te zjarri. Thatë që ju i vutë zjarrin Kishës. Përse e bëtë?

Klevis Balliu: Po lexoja para, disa ditësh, disa gazeta që mban babi, koleksion në dosje të veçantë. Te njëra prej tyre p.sh., thuhej: "Të djegim me zjarr, zakonet prapanike! Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, e kishës, të xhamisë ..."! Ja kështu, kishte shumë gazeta aty në koleksion, që thoshin se u duhej vënë flaka objekteve të kultit, "man".

Antena: Po pastaj, çfarë ndodhi?

Klevis Balliu: Kur babi me Ilir Metën shkoi në kishë në Korçë, shkova edhe unë. Se s'duhet të ndahem nga miqtë, se kështu forcohet më tepër miqësia, më ka thënë babi.

Aty m'u kujtua ai shkrimi te gazeta që kishte ruajtur babi, për vënien e zjarrit objekteve të kultit. Ndeza një qiri që digjet ngadalë. E pastaj, kur ikëm neve, zjarri u përhap në kishë.

Antena: Ju kuptoj. A ja thatë Presidentit Meta dhe babit këtë gjë që bëtë?

Klevis Balla: Ja thashë, posi. Doja t'ia thosha në vesh, por babi më tha që Ilirin e kemi mik të mirë dhe duhet të dijë gjithçka. Kur ua thashë në Përrenjas, Iliri qeshi aq shumë, sa jam i sigurt që do e ketë dëgjuar Monika në Tiranë.

Antena: Po shoku Ilir, ç'tha pasi mbaroi së qeshuri?

Klevis Balliu: Iliri, në Sauk, mbaroi së qeshuri. Desh u mbyt nga të qeshurit, rrugës. "Po atë që ke lexuar ti, për t'ju vënë zjarrin kishave dhe xhamive, e ka thënë shoku Enver në vitin 1967, - më tha. - I mban babai yt koleksion, gazetat e asaj kohe, meqë atëherë shkruante te ato ..."

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: