“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Armando Subashi: Edi Rama "i bëri naftën", naftës së Fierit, kërkon të mbushë buxhetin me fatura uji

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Armando Subashi: Edi Rama "i bëri naftën", naftës së Fierit, kërkon të mbushë buxhetin me fatura uji
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, për të gjithë ata që duan të jetojnë gjatë. Studimet e bëra me disa fshatarë në Itali, kanë nxjerrë se ata jetojnë deri 100 vjeç, jo sepse e kanë këtë gjë në ADN, por sepse e marrin jetën lehtë. E për çudi, zona quhet Çilento. Pra, edhe më emër, ata e kanë fjalën "lento", pra në shqip, "lehtë".

Ky studim, është një ndihmë e madhe për ata njerëz që përpiqen të bëjnë pasuri në jetë. Në fund të fundit, ajo nuk do t’i ndihmojë shumë në jetëgjatësi. Ka mundësi që stërmundimi për të bërë pará, në vend që t'ua shtojë, do ua pakësojë jetën.

E meqë ra llafi te shtimi.

Në qytetin e Fierit, u shtua sasia e ujit që banorët do të kenë në shtëpitë e tyre. Kjo edhe falë punës së mirë të Kryebashkiakut të këtij qyteti.

E meqë ra llafi te Kryebashkiaku i Fierit. Ne morëm vesh se, te zyra e tij, që pardje, shkoi shoku Kryeministër. Sapo mësuam këtë gjë, ne, sipas traditës së rubrikës sonë, e telefonuam shokun Armando Subashi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Armando! A mund ta dimë se, ç'biseduat me shokun Kryeministër?

Armand Subashi: Përshëndetje, edhe juve! Më ka mbetur qejfi që nuk më keni telefonuar edhe herë të tjera. Nejse. Sa për atë që më pyetët. Ku di unë, se mos mora vesh gjë unë se ç'llafosëm. Kryeministri fliste, unë vetëm tundja kokën. Kaq bëja.

Antena: S'e dëgjuat fare?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Do e shkruaj që, shoku Armando Subashi nuk ia vari fare Kryeministrit Rama!

Armando Subashi: Edhe ajo gjë më duhet mua, mos t'ia var Kryeminsitrit. Pastaj përfundoj relike te Apollonia.

Antena: Meqë ra llafi te Apollonia. Ç'u bë me rrugën që të çon te ky qytet i vjetër? A u ndërtua?

Armando Subashi: Kush foli për qyetin e Apollonisë?!

Antena: Ju pra, thatë togfjalëshin, "relike te Apollona".

Armando Subashi -Po, e thashë! Po nuk e kisha llafin për qytetin e Apollonisë.

Antena: Po bëhem lëmsh, shoku Armando!

Armando Subashi: E kisha llafin për klubin e futbollit, me këtë emër. Meqë është pribret fare, ne këtu në Fier, kemi krijuar shprehjen: "Je katandisur si Apollonia".

Antena: Thatë që nuk e dëgjuat, Kryeministrin. Përse?

Armando Subashi: Unë kisha hapur veshët ta dëgjoja, por s'mundja. Kam disa kohë që më janë lodhur veshët fare. Kanë filluar dhe më buçasin.

Antena: Ju buçasin?! E përse?

Armando Subashi: Më ishin lodhur daullen e veshit nga protestat e naftëtarëve të Fierit, që më mbetën pa punë. Edhe nga banorët e fshatit Daullas. Ishin ngritur në protestë përpara tre ditësh, se e kanë rrugën e dëmtuar. Daullasit bërtisnin aq shumë, sa akoma veshët më buçasin!

Antena: Meqë nuk e dëgjuat mirë shokun Kryeministër, atëherë po ja u themi ne, atë që ju tha ai. Shoku Edi, ju përgëzoi për ujësjellësin e ri të qytetit.

Armando Subashi: Atë punë ka ai! Sa vjen këtu në Fier, këtë gjë thotë. Pse ujë do hanë fierakët?! Qytetarët i kam pa punë. Në vend që të sjellë ndonjë investim, merret me ujin. Tani e hëngra unë! Më mirë të mos e bëja fare ujësjellësin e ri!

Antena: Nuk jeni i kënaqur për ujësjellësin? Përse?!

Armando Subashi: Tani që ka ujë, Kryeministri do më nxjerrë ujë të zi, mua. Do më kërkojë të mbush arkën e buxhetit të qytetit, me tarifën e ujit. Ai le ta mbushë me kompanitë e naftës, po mundi. Mirëpo, ato lekë i fut në xhepin e tij...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: