“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Pandeli Majko: Si më qëlluan policët e doganës. Jap dorëheqjen nga ministër!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Pandeli Majko: Si më qëlluan policët e doganës. Jap dorëheqjen nga ministër!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë. Nuk e kemi llafin te përplasja e prokurorëve në Elbasan. Dihet se atje gjërat po ndryshojnë dhe do ketë edhe përplasje. Kur ka diçka të tillë, ka zhvillim, apo siç themi ne në gazetari, progres.

Ajo që ne quajmë "lajm i mirë", ka të bëjë me njeriun e mirë, shokun Erion Veliaj.

Siç edhe u bë publike, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin të dielën e kaluar, shoku Erion "do ishte kaluar." Ai do të arrinte të merrte mbi dy mijë vota më shumë, se ç'mori në zgjedhjet e vitit 2015. E ta mendosh: Popullsia e kryeqytetit ka pësuar plakje dhe rrudhje.

Deri të dielën, ishin mbi 20 mijë votues më pak, se para dy vitesh.

Kjo tregon që shumë votues të kryeqytetit, përpara se të shkojnë në dynjanë tjetër, apo të emigrojnë pasi nuk gjejnë dot punë në Tiranë, lënë amanetin: Aman, votoni Erionin!

E s'kishte si të ndodhte ndryshe. Kush nuk e voton njeriun që i rri punës dhe kamerave, te koka!

E meqë ra llafi te koka. Sot, po sjellim lajmin që ka të bëjë me një kokë të re në moshë, por të vjetër për nga vitet në radhët e larta të Partisë Socialiste.

Bëhet llaf për shokun Pandeli Majko, të cilin hallet e partisë, ja zbardhën kokën përpara kohe.

I ftuar në një emisionin televiziv, shoku Pandeli tha se, bizneset nuk lejojnë të hapet kufiri me Kosovën, e se ata nëpërmjet parave, bëjnë presion në qeverinë në Tiranë.

Kjo ishte një dekllaratë bombë, që asnjë ministër nuk e kishte bërë më përpara. Sapo tha këtë gjë, shoku Pandeli na solli me postë, këtë letër.

Ja letra:

"Të dashur shokë, shoqe, socialiste dhe jo vetëm! Duke qënë se e kam kuptuar se, jam vënë në postin e Ministrit të Diasporës, sa për t'ju hedhur hi syve të mi, sot jap dorëheqjen!

Nuk mund të duroj dot më! Sa bëhem gati unë të ngre traun e doganës që ndan dy vendet tona vëllezër, i vjen urdhri policit që ta ulë.

Vetëm gjatë muajit dhjetor, kam qënë në doganë të Morinës, mbi 10 herë. Jam përpjekur që mallrat të kalonin kufirin pa qënë trau, por s'munda, ju betohem!

Bile një polic atje as ma fëshkëlleu fare, kur i thashë se jam përgjegjës për diasporën. Më qëlloi edhe me traun e doganës, kokës. Për këtë kam dëshmitar edhe dy bashkëkombas të mi prej Gjakove, të cilët u futën të na ndanin sherrin.

Së shpejti, do të bëj publike xhungat në kokë, që për fat, janë të dyja në anën e majtë. Duke qënë se e kisha afër, njërën xhungë shkova dhe e mjekova me jod, në Kukës.

Mjekët atje m'u lutën të trajtoja edhe plagën tjetër, por unë vendosmërisht ju thashë se, do shkoja e ta mjekoja në anën e Kosovës martire. Dhe kështu bëra. U nisa drejt Prizrenit. Atje prita mbi dy orë sa të puthnin secili prej vëllezërve kosovarë, e pastaj hyra te doktori.

Për mua, Shqipëria dhe Kosova janë të barabarta. Nuk ia lejoj askujt dhe madje as mund t'ia lejoja kokës time, që të bënte diferencime.

Nuk mundem më! Nuk dua të rri në kolltuk, e mos të bëj asgjë për çështjen kombëtare.

Do jap dorëheqjen, që sot! Të rrojë partia!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: