“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Lindita Nikolla: Në Rrëshen u plevitosa, pasi fjeta një natë jashtë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Lindita Nikolla: Në Rrëshen u plevitosa, pasi fjeta një natë jashtë
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, për te gjithë ata që e duan arsimin.

Përpara disa ditësh, ndryshoi orari mësimor i nxënësve në shkollë. Themi një lajm i mirë, pasi tashmë nxënësit do mbajnë mbi shpinë më pak peshë librash, e kështu do kemi më pak shtrembërime kurrizore.

Sigurisht, kjo do lërë pa punë shumë fizioterapeutë, por ata mund të vazhdojnë të shkojnë dhe të punojnë në Gjermani.

Ne, si rubrikë, kemi zbuluar se, kjo masë u mor pikërisht për këtë gjë. D.m.th., numri i problemeve kurrizore po rritej, ndërkohë që i fizioterapeutëve që merreshin me to, po ulej.

Kjo detyroi edhe ministrinë e Arsimimit të vendoste masën që thamë.

E meqë ra llafi te kjo ministri. Ne, pardje, shkuam për të ndjekur takimin e Kryeministrit, e sigurisht për të ngrënë një paçe në Rrëshen. Në restorant, gjetëm edhe ministren e Arsimit, shoqen Lindita Nikolla. Ajo sa na pa, la tryezën dhe erdhi ngadalë pranë nesh.

Me të bëmë këtë bashkëllafosje.

(Sqarim: Shoqja ministre mezi nxirrte llafet)

Lindita Nikolla: Përshëndetje, juve!

Antena: Përshëndetje, shoqja ministre! Shumë faleminderit, që erdhët! Juve ju prisnim, sa te hanit dhe t'ju takonim.

Lindita Nikolla: E pashë, ndaj erdha. Nuk më rrihet fare pranë disave prej tyre. Rrethojnë dhe i servilosen Kryeministrit. Bëjnë muhabete koti, të cilat unë, si ish-mësuese e matematikës, do t’i quaja pa vlerë pozitive në boshtin numerik. Më vjen ndot të rri, por s'kam ç'bëj!

Antena: Mund të na zbuloni se ç'bisedonin?

Lindita Nikolla: Gëzonin që çështjen e atij pallatit në Vlorë, e fitoi ndërtuesi e jo shteti.

Antena: Si është e mundur kjo, shoqja Lindita?

Lindita Nikolla: Epo, të gjithë aty i kanë ndërtues të afërmit. S'kanë faj ata, por sistemi.

Antena: Këtë e ka thënë edhe Kryeministri ...

Lindita Nikolla: Nuk e kisha llafin te sistemi që ka thënë ai kopani. E kisha llafin te sistemi i drejtësisë që ekziston në Europë. Kam bërë gabim që e shkollova çupën në Francë!

Antena: Në fakt, nuk deshëm të flisnim për çupën tuaj. Deshëm të dinim diçka për çështjen e lëndëve në orarin mësimor. A mendoni se ...?

Lindita Nikolla: Hiç, nuk mendoj. Më është ngrirë truri komplet. Jam pa gjumë dhe e plevitosur. Kam fjetur jashtë, gjithë natën.

Antena: Jeni pa gjumë?! E plevitosur?! Përse?

Lindita Nikolla: Më urdhëroi shoku Edi, të isha këtu. "Shko shpejt në Rrëshen, se do përurojmë atje platformën që do vendosë në shina ...!" -më tha, duke më urdhëruar në telefon. Nuk e dëgjova të gjithë fjalinë, pasi isha në një shkollë ku po bëheshin disa punime. Nuk ma mbajti ta pyesja më shumë, megjithëse e kam shumë mik.

Antena: Ju kuptoj, por nuk kuptoj se, përse jeni e plevitosur? Ç'lidhje ka kjo gjë me platformën që po fliste Kryeministri?!

Lindita Nikolla: Eh, unë e gjora! Mendova se ai më tha se do përuronte ndonjë platformë hekurudhore, meqë foli për shina. E gdhiva gjithë natën në ish-stacionin e trenit, këtu në Rrëshen, që vetëm një kolonë i ka mbetur. Prisja të vinte shoku Edi dhe të përuronte platformën hekurudhe. Ai e kishte llafin për platformë bashkëllafosje me njerëzit. Atë që kam kaluar këtu në Rrëshen, varrit do ia tregoj!

Antena: Sa e bukur është gjuha jonë shqipe, me këto figura letrare! E meqë ra llafi te gjuha. Në Maqedoni. ajo tashmë do jetë gjuhë zyrtare. A keni ndonjë koment për këtë, meqë jeni edhe ...?

Lindita Nikolla: Eh, lere Maqedoninë! Ne, as sa ata nuk jemi. Para një jave, një firmë sllovake e quajtur Iskra, fitoi të drejtën të ndërtonte hekurudhën me lokomotiva elektrike, nga Bitola deri në kufi me Greqinë, 15 kilometra të gjatë. Ne bëjmë platforma për llafe, Maqedonia bën hekurudha...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: