FRIKA PO USHQEN KRIMIN - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

FRIKA PO USHQEN KRIMIN - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të gjithë jetojnë gati në jerm. Populli i kafeneve po shikon nga dritaret e mëdha të bareve që të shikojë udhëheqës në pranga, kokëulur drejt gjykatës. Njësoj si në vitin 1946 para kinema “17 Nëntori” kur armiqtë, të studiuar në Perëndim, parakalonin nën armët e partizanëve për në bankën e të akuzuarve...

Veçse kësaj here, me një ndryshim të madh: Ata nga Perëndimi janë bërë garantë se do të arrestojnë “partizanët” e vendit. Prej kohësh është ndërtuar një piramidë ndëshkimi, nga ai lloji që u pëlqen shqiptarëve: “Të dënohet fqinji, pa për vete nuk dua gjë tjetër!”. Të huajt e kanë adoptuar këtë “legjendë” dhe kanë dalë fushës, duke premtuar arrestime dhe burgime të shqiptarëve zyrtarë e politikanë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara deklaroi se “në janar arrestohen peshqit e mëdhenj”. Nuk ka rëndësi se ky janar nuk do të vijë kurrë; mjafton që njerëzit vazhdojnë të jenë të gëzuar se “do të arrestohen”.

Të gjithë janë në pritje, askush nuk e di çfarë pret; askush nuk e di çfarë është, veçse presin. Prangat mund të vihen edhe në duar të atyre “peshqve cironka” që rrinë në rrugë e presin një gotë raki dhe fëmijët i kanë pa bukë. Sepse edhe ata janë të parët që vlerësohen të korruptueshëm; madje nuk ka njeri në këtë vend që nuk është i korruptuar. Nëse nuk ka në duar pozita shtetërore, ai tjetri i plaçkit diçka atij njeriut me të cilit pi rakinë. Ose edhe pastruesi i shkallës ka korruptuar dikë në pallat, që ta mbajë në atë punë...

Por këta nuk e dinë çfarë i pret në kohën kur dikush shpall “arrestime për të korruptuarit”. Sepse kjo është veç një parullë revolucionare, aspak solucion ligjor.

Ndërsa “peshqit e mëdhenj” që akoma nuk ekzistojnë, e dinë rrezikun. Tani mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve po ndodh si me sëmundjen e zemrës. Mjekët thonë se më shumë jetojnë ata që kurohen për atakun kardiak, sesa ata që nuk e dinë çfarë ndodh me ta. Pra, ata “të mëdhenjtë” e dinë rrezikun  dënimit me listë, dhe prandaj kanë marrë masa. Ata janë “të sëmurët” që nuk vdesin kurrë.

Frika që ka ngjallur parulla kërcënuese në ajër e ndërkombëtareve i ka vënë “peshqit” në pozitat më të sigurta se kurrë.

Cilat janë pozitat e sigurisë?

1.

Siguria që vjen nga paralajmërimi.

Askush, as budallai më i madh që ka firmosur një faturë ose një kontratë shtetërore, nuk mund të rrijë duarkryq kur “Amerika” paralajmëron se ‘po vij të të arrestoj”. Që nga kjo parullë e deri më sot, janë prishur mijëra e miliona prova. Që nga ajo ditë janë tërhequr miliona dosje dhe janë korrektuar, ose janë vënë në kushte “pafajësie”. Ministrat kanë dërguar te mamatë miliona euro, ose i kanë futur nën dyshekët e njerëzve të këputur, që jetojnë në periferi. Ose dhe po “i djegin” nëpër bare mizerabël që blihen miliona, boll që të mos kapen “gjallë”. Nga vitet e para të pas-Luftës vjen një personazh filmi, i cili zihet ngushtë me pasurinë e fshehur dhe një ditë ushqen lopën me grurin e fshehur: “Haje ti, haje ti më mirë se ta marrin ata”. Ndërsa tani kanë ndryshuar rolet: “Partizanët” po i thonë lopës së korrupsionit “haje ti, le ta hajë dreqi, veç këta të mos e marrin”. Frika i ka mbledhur dhe ka pritur provat.

2.

Frika që fshihet pas militantizmit.

Pasi nëpër kafene u shpall lista e llojit të njerëzve që do të arrestohen, ata reaguan. Përgjithësisht janë liderë politikë ata që dyshohen. Reagimi nuk kishte nevojë të ishte personal. Tani janë ngritur militantët e të gjitha anëve dhe kërkojnë luftë për të mbrojtur shefin. Shefi është sa në qeveri, aq edhe në opozitë; njësoj si në demonstratat e Iranit, ku populli “i dashuruar” me qeverinë doli në rrugë kundër opozitës.

Të gjitha janë ngatërruar. Frika e arrestimit nga Amerika, i ka mbledhur të gjithë bashkë. As ka ide politike, as ka pikëpamje, as programe... E vetmja gjë që po lëviz mbi kokat tona është mbrojtja e atyre që janë kërcënuar. “Drejtësia” tani mund të kthehet ndaj të të pambrojturve, d.m.th., e atyre që janë të vegjël dhe do të plotësohet lista “amerikane” dhe “BE-iste” për arrestimet.

Tani nuk bëhet më politikë, vetëm proteksion.

Frika që rrudh institucionet:

Ndoshta do të duhen njëmijë vjet deri në krijimin e institucioneve të Reformës në Drejtësi. Pse? Sepse frika nga parullat paralajmëruese i kanë mbledhur deputetët dhe shefat e tyre në një guaskë që nuk depërtohet. SPAK, institucioni që do të hetonte mbi fajtorët e të gjitha llojeve, as ka ndërmend të krijohet. Me këtë rast shpëtojnë edhe trafikantët, edhe bosët e krimit që nuk janë politikanë të drejtpërdrejtë.

E njëjta gjë ndodhi me racën tonë në Kosovë. Liderët më të lartë të shtetit më të ri u mblodhën bashkë për të demoluar Gjykatën Speciale, njëfarë SPAK-u. Nëse nuk e arrijnë qëllimin që ta bëjnë nul, atëherë ata shkojnë para drejtësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë bërë paralajmërime të forta kundër demolimit....

Mirëpo tani as SHBA, as BE nuk kanë shumë gjë në dorë; sepse të deleguarit e tyre, duke lëshuar parulla, u treguan rrugën liderëve fajtorë sesi të mbrohen.

Më në fund, më duket se vërtet këta e kanë bërë me qëllim zhurmën: Me qëllim që fajtorët të marrin masa, të mbrohen a të fshihen.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: