Gjithmonë e më pak depozita nëpër banka

Gjithmonë e më pak depozita nëpër banka
Në bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, po depozitohen gjithmonë e më pak pará prej qytetarëve shqiptarë, por edhe prej biznesit. Një dukuri të tillë e konfirmojnë vetë të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se në fundvitin e kaluar, depozitat kanë qenë më të pakta se gjatë viteve të fundit. Konkretisht, referuar depozitave në monedhën vendase, në fund të nëntorit 2017, totali i atyre të rejave ka qenë në nivelin e 160 miliardë lekëve. Pra, më pak se për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ato ishin vetëm në nivelin e 181 miliardë lekëve, apo edhe në vitin pararendës 2015, kur në dhjetorin e tij këto lloj depozitash kapnin një vlerë prej 256 miliardë lekëve. Një krahasim shifrash ky që vlen edhe për llojet e tjera të depozitave në monedhën, vendase, duke nisur që nga ato pa afat, deri në nivelet më të larta të maturimit. Kështu, gjithmonë referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se depozitat pa afat në fund të vitit të kaluar, 2017 kanë qenë në një vlerë prej 1.4 miliardë lekësh, ndërsa në vitin 2015 kjo shifër ka qenë 1.5 miliardë. Nga ana tjetër, dukuria e lartpërmendur duket se vlen edhe për llogaritë rrjedhëse, të cilat gjithashtu referojnë një rënie të dukshme të tyre. Sipas shifrave të BSH-së, rezulton se ato arritën deri në 136 miliardë lekë në fundvitin e kaluar, ndërsa vjet ishin në 155 miliardë lekë dhe një vit më lart, në 2015-tën, akoma edhe më të larta, deri në 193 miliardë lekë. Dhe nëse vijojmë më tej me tabelën statistikore që banka qendrore ofron për depozitat në lekë, rezulton se për të gjitha afatet e tjera të maturimit, duke nisur nga ato 1-mujore, deri në 60-mujore, që të gjitha në fund të vitit të kaluar kanë patur një rënie të tyre.

 

Edhe me depozitat në monedhën evropiane po shfaqet e njëjta dukuri

Edhe me depozitat në monedhën evropiane, euro, mund të thuhet se nëpër banka po shfaqet e njëjta dukuri, pra ajo e rënies së depozitave të tyre. Kështu, gjithmonë referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se totali i atyre të reja në këtë monedhë në fundvitin e kaluar ka qenë në nivelin prej 678 milionë eurosh. Një shifër kjo më e ulët se ajo prej 854 të tillash për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, apo 919 në vitin pararendës, 2015. Krahasim ky që mund të vijojë për të gjitha depozitat me maturim, por qofshin edhe ato pa afat. Konkretisht, për këto të fundit rezulton se në fund të vitit të kaluar niveli i tyre ka qenë në kuotën e 14 milionë eurove, nga 15 të tilla një vit më parë. Sikundër, e njëjta logjikë vazhdon edhe për llogaritë rrjedhëse të hapura prej qytetarëve shqiptarë si individë, apo edhe nga bizneset që ata drejtojnë. Respektivisht, shifrat që banka qendrore ofron rreth tyre është ajo e 568 milionë eurove në fundvitin e kaluar, krahasuar me 690 të tilla për të njëjtën periudhë të një viti më parë, apo 724 milionë euro për vitin pararendës 2015. Kujtojmë sakaq, se gjatë muajve të vitit kaluar në fakt, sidomos atyre para zgjedhjeve të vitit 2017 një rritje të nivelit të depozitave në monedhën evropiane. Dhe këtë ekspertët e shpjeguan me një “boom” të kësaj monedhe në vendin tonë, prej burimeve edhe të dyshimta. Dukuri kjo që mesa duket erdhi duke u reduktuar drejt fundit të vitit.

 

Norma mjaft e ulët e interesit, arsyeja kryesore e “heqjes dorë” nga depozitat

Norma mjaft e ulët e interesit, duket se ka qenë arsyeja kryesore e “heqjes dorë” prej qytetarëve shqiptare, por edhe bizneseve, nga depozitat bankare. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se norma mesatare e interesit për monedhën vendase, lekun, ka arritur aktualisht në nivelin prej 1.25%, pas disa uljeve të njëpasnjëshme që ka ndërmarrë ndaj saj Banka e Shqipërisë. Duke ndikuar në këtë mënyrë në mënyrë direkte në norma mjaft të ulëta të interesit për të gjitha llojet e depozitave, qofshin ato në monedhën vendase, por edhe në valutë të huaj. E kësisoj, edhe në një tërheqje të qytetarëve shqiptarë nga forma tradicionale e kursimit të parave, siç është pikërisht ajo e depozitimit të tyre. Në tërësinë e tyre, shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i depozitave në fund të muajit nëntor 2017 ishte 997.5 miliardë lekë, apo rreth 7.3 miliardë euro. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të pritshëm për 2017-n, depozitat janë rreth 66.5%, duke iu larguar nivelit prej 70% e PBB-së të arritur vitet e kaluara. E duke folur kështu për një rënie të dukshme të tyre, nga viti në vit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: