JANARI PA “PESHK” – OPINION NGA FRROK ÇUPI

JANARI PA “PESHK” – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ai kishte thënë se, “në janar do të kapim peshq të mëdhenj”. Madje, kishte caktuar edhe “fillimin” e janarit.

“Peshqit” - në këtë përrallë - janë të gjithë humanët që gabojnë me ligjin. “Peshqit e mëdhenj” janë kriminelët, sidomos ata që kanë pozita në mafie ose në shtet.

Ndërsa “ai” që tha ashtu, është ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, - më i madhi i pushtetit në Republikën tonë, ku ambasadori është një “guvernator i përgjithshëm” i pashpallur ...

Sa për janarin, u kapën...

U kapën dy fëmijë, njëri 19 vjeç dhe tjetri 32, duke kaluar në Muriqan, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për kot. Të dy fëmijë të Azem Hajdarit, nismëtar dhe Hero i Demokracisë. U kapën  në kufi edhe dy protestues opozitarë, që kishin guxuar me 18 dhjetor dhe kishin dalë në shesh, pse “po dhunohet Kushtetuta” në Kuvend. Sot është kapur edhe njëri nga dy djemtë që u arratisën nga një burg në Greqi. Kaq!

Dy djemtë në Muriqan, në fakt, nuk janë kapur sot, por që ditët e fundit të dhjetorit. Policia i shpalli sot si “të kapur”. Shteti i kishte “ruajtur” të pashpallur, me qëllim që t’i shpallte si “peshq” të janarit.

Ose i ruajti për të mbuluar lajmin se i vetmi “peshk i madh” i kapur, u lirua sot nga burgu. Orest Sota, miku i afërt i ministrit të akuzuar për pjesëmarrje në grupe mafioze, Tahiri,  u la i lirë. Ai u kap me 836 mijë euro “pará xhepi” në makinë, euro pa origjinë, pa shpjegim, padestinacion, por edhe “pa faj”. D.m.th., peshku që do të shërbente për të kapur peshkun e madh ish-ministër, u la i lirë për në shoqërinë e peshkaqenëve. Edhe bosi i klanit mafioz “Kavaja”, Davorin Baltiç, u la të kalojë në Muriqan, paçka se u vra pardje në Beograd...

Ja, ky ishte janari, në fakt, pa peshk. Me siguri, kështu do të kalojë edhe viti 2018. Shqiptarët peshkngrënës do të jenë duke parë, të mashtruar, rrjetat që do të hedhin ambasadorë pas ambasadorësh, qeveri pas qeverish, policia pas policisë...

Çfarë po ndodh në “detin tonë” të premtuar, se fshihen peshq të mëdhenj?

1.

Kureshtari po ngre alarme dhe sindroma

Kureshtari më i madh dhe i vetëm i janarit, mund të shpallet ambasadori Lu. Sigurisht që, i dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e ka për detyrë të bëjë rolin e kureshtarit dhe të tallet me njerëzit, por ja që ndodhi. Në vend që të mbajë rolin e diplomatit të caktuar nga Shtëpia e Bardhë, ai ka zënë pozicionin e kriminologut. Kriminologu - po, ky ka mision që të shkaktojë alarme, edhe jo të bazuara, duke thënë: “Eeeej! Po shikoj peshkaqenë...”. Me siguri  keni parasysh filmin me titull “Syndrom of Sea’s Fang” (Sindroma e dhëmbit të detit), ku dikush lëshon alarmin se po vijnë peshkaqenët dhe të gjithë lëvizin, alarmohen dhe mbrohen. Fati i kriminologut është njësoj si fati i mjekut. Si njëri edhe tjetri urrehen nga “pacientët” e tyre. Kriminologu urrehet pse ka bërë alarm të kotë mbi “peshkaqenin”, ndërsa mjeku pse i ka treguar të vërtetën të sëmurit me kancer. Por në rastin e “peshkut të madh”, ambasadori nuk kishte rolin për të alarmuar “viktimat”, kishte për detyrë për të lëvizur mekanizmat e superfuqisë kundër “peshkaqenëve”. Në fakt, bëri të kundërtën, duke iu dhënë mundësi peshqve që të fshihen në det.

2.

Verbimi i vullnetshëm dhe diplomati naiv

Janari u premtua si muaji që do t’i kapë “peshqit e mëdhenj” dhe do t’i tregojë para gjithë publikut. Në pamjen që i imponon njeriu vetes pas kësaj deklarate, shfaqen disa mafiozë që janë identifikuar, janë mbajtur në rrjetë, por tani dalin para gjyqit dhe publikut. Por nuk ndodhi pikërisht kështu. Edhe “peshqit” që ndodheshin në rrjetë, tani po nxirren dhe u jepet udhë të zhduken ose të pastrohen. Për kapjen e tyre, vepruan dy faktorë:

Rastësia dhe shërbimet inteligjente a policore europiane

“Rastësia” imponohet nga fakti se, në një metër katrore ujore këtu, ka numër peshqish me densitet të lartë; dikush bie në rrjetë - si në rastrin e ish-ministrit. Por rastësi është edhe kur mafiozët e qeveritarët guxojnë “over”, pasi kanë pushtet maksimal - siç është këtu...

Ndërsa shërbimet inteligjente dhe policore të Italisë, kapën një bandë kriminale të lidhur me qeverinë e Shqipërisë. Vetë ministri i Brendshëm ishte pjesë e saj.

Janari po shërben për të zhdukur provat e krimit. Tani që hyri janari, ambasadori “se ku ka shkuar” dhe nuk është. Vetë  “kureshtari” që tha se po shikon peshkaqenë, tani ka imponuar “verbimin e vullnetshëm”. Edhe prokuroria, sidomos pas zgjedhjes forcërisht kundër ligjit të Prokurorit të “përkohshëm”, ka rënë në verbëri të vullnetshme. Kjo është minimale, por në fakt kriminologët po thonë se Prokuroria i është përveshur punës për të “qëruar peshqit”, që do të thotë prishje e provave të krimit.

Policia, gjithashtu, ka bërë këtë punë me farën dhe mbjelljen e narkotikëve dhe trafikimin e drogës në Europë.

Vetë të deleguarit e BE-së që kanë vizituar vendin tonë, pa asnjë dyshim, kanë luajtur rolin e të verbrit...

Atëherë edhe ky vit, pa peshk.

3.

Shqiptarë të mallkuar nga të gjithë, por edhe nga të vetët

Si mund të mendohet se, janari do të jetë muaji kur kapet peshku i madh? Fraza bombastike, më shumë e ka fshehur mafien, se sa e ka trembur. Të gjitha gjasat janë kështu. Faktet tregojnë se, shqiptarët qenkan zgjedhur së fundmi si punëtorë të mafies dhe krimit. Këta punojnë për një çikë “bukë”, mbjellin, vadisin, paketojnë dhe dorëzojnë drogë ..., për çfarë? Fitimet i merr tjetri, edhe drogën ai tjetri. Droga shkon përtej Adriatikut - atje ku premtojnë “anëtarësim në BE”, sepse po punoni “mirë”.

Shqiptarët janë paracaktuar në një tabelë, si kombi që gëzohet kur përmend burgun për fqinjin, për liderin ose kushëririn. Sa herë e thonë dhe e zhvillojnë këtë “cilësi” të shqiptarëve, si liderët e vendit edhe të huajt. Prandaj, kurrë nuk kanë thënë se “do të sjellim paratë që u kanë vjedhur”, por vetëm thonë “do të arrestojmë”.

Në sy të shqiptarëve, janë përcaktuar udhëkryqëzimet e mafies: Trekëndëshi në Ballkan, ku Tirana është njëri prej tyre ... Rrugëkalimet e pastra të mafies nga Shqipëria për në Kalabri dhe në Pulja ... Zotërimet gjigande të mafies në Jug të Vendit, bashkë me hartën. Si dhe vetë Shqipëria ndodhet në projektet si udhëkalimi e mafies në Ballkanin Jugor...

Atëherë, ku do të shkojë gjithë ky investim i bosit sikur të kapet “peshku i madh”?... Ishte një iluzion, ose verbim i vullnetshëm.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: