JANARI, SI PARATHËNIE PËR POLITIKËN SHQIPTARE GJATË 2018-s - OPINION NGA ALFRED PEZA

JANARI, SI PARATHËNIE PËR POLITIKËN SHQIPTARE GJATË 2018-s - OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Java e parë e janarit, kaloi mes pushimit të festave dhe inercisë së post festave, duke e lënë politikën në plan të dytë për mediat dhe qytetarët. As mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, në përpjekje për të ndezur motorët politikë të partisë më të madhe në Shqipëri, as ndonjë takim i Bashës jashtë Tirane, në përpjekje për të ndezur motorët e protestës së paralajmëruar qytetare, as përpjekja e Kryemadhit për të operuar me lajme gossip-i, në përpjekje për të harruar skenën e çizmes në Parlament, dhe as sjellja mes asaj presidenciale dhe sportive e Ilir Metës, nuk kanë mjaftuar për ta rikthyer politikën në plan të parë këto ditë.

E parë me syrin e një gazetari, ky është një lajm i keq, për aq kohë sa është një lajm i mirë, i parë nga ana tjetër, me sytë e një qytetari. Një lajm i mirë, për aq kohë sa edhe në Shqipëri, ndoshta pas çerekshekulli lodhje nga atmosfera shumë politike e vendit, qytetarët duket se po duan që t’i thonë festave, festa. Pushimeve, pushime. Krishtlindjeve, Krishtlindje. Vitit të Ri, Vit i Ri. Post festave, post festë. Pushimeve të punës, pushime. Pushimeve të shkollës, pushime gjithashtu. Dhe sezonit politik, sezon politik.

Për aq kohë sa nuk kemi mbërritur në momentin e rifillimit të punimeve të Parlamentit, që është edhe gjeneratori kryesor i bërjes, aktrimit dhe konsumimit të politikës në vend, motorët e makinës së partive, duket se do të rrinë edhe për pak kohë të shuar, për të bërë pak pushim. Duke u ndezur, herë pas here, thjeshtë sa për të mos i rënë bateritë, si edhe ndezja që i bëjmë makinës në dimër, për ta ngrohur herë pas herë, që të mos na "tradhtojë" kur të nisemi për udhë.

Nëse e marrim pamjen e kësaj jave të parë të fillimit të 2018-s, si një mundësi për të parë apo parashikuar atë që pritet të ndodhë me politikën shqiptare gjatë muajit janar, ose periudhën e gjuetisë së "peshqve të mëdhenj", apo edhe për 11 muajt e tjerë, ajo duket sikur nuk na ofron gjë. Pasi nuk na jep lëndë të mjaftueshme për të krijuar nëpërmjet miniaturës së saj, "statujën" e vërtetë të veprës reale që pritet të prodhojë politika shqiptare, në vitin në vijim.

Por kjo nuk duhet të na "shqetësojë", sepse pikërisht në ndihmë për këtë, na vjen pasqyra politike e muajit dhjetor. Por edhe disa lëvizje të tjera gjatë 2018-s, siç janë vendimet e para të Kryeprokurores së Republikës brenda organit që ajo drejton dhe vendimet e KQZ-së në datat 3, dhe sidomos ai përfundimtar i 5 janarit, për heqjen e mandatit dy deputetëve, në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin.

Paralel me këto zhvillime, ka vijuar puna për plotësimin e strukturave të reja të institucioneve që po ngrihen, në kuadër të implementimit të reformës në drejtësi. E nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të rëndësishme të luftës antikrim të vendeve fqinjë, sidomos nga Italia, kanë ardhur e do të vijnë në Tiranë, për të forcuar bashkëpunimin në terma konkret, me homologët e tyre ligjzbatues në Tiranë, për sezonin e ri "të gjuetisë".

Kjo pasqyrë mjafton për të zgjeruar më shumë ekranin dhe këndin e shikimit, e për të kuptuar se përgjatë 51 javëve të tjera të vitit të ri, politika shqiptare do të ballafaqohet si kurrë më parë në këto vite të postkomunizmit, me efektet e një reforme të vërtetë, të një drejtësie të re. Një drejtësie që mbi të gjitha, do të tentojë t’i japë fund, njëherë e përgjithmonë, kulturës së mos ndëshkueshmërisë në jetën shqiptare në përgjithësi dhe asaj pjese të elitës së korruptuar e të kriminalizuar të vendit, në veçanti.

Prishja e kësaj "status quo"-je, pritet të krijojë një përplasje të re, të fortë, pakompromis në dukje deri tani, e cila mund të sjellë zhvillime të parashikuara në planin e drejtësisë, e të paparashikuara në planin politik në terren. Efektet e para të kësaj turbullire, sipas "sinoptikanëve" të zhvillimeve të ardhshme politike, i ka bërë palët që të marrin masa që tani. Duke i paraprirë me ndryshime të papritura dhe të forta në mediat kryesore të vendit. Si rrallëherë në mes të sezonit televiziv, kanë ikur dhe kanë ardhur në disa nga ekranet kryesore të Shqipërisë, gazetarë dhe drejtues të emisioneve e departamenteve të tyre kyç. Duke sjellë imazhin dhe shijen e një ere të re, si parapërgatitje për një luftë të pritshme në horizont, mes palësh.

Pasoja më e dëmshme që mund të sillte një situatë e tillë, do të ishte një tensionim i brendshëm politik, që mund të krijonte një situatë aspak miqësore dhe relaksuese, për pritshmërinë e madhe që ka Shqipëria gjatë këtij viti, në raport me integrimin. Për shkak të një bashkësie fatlume rrethanash dhe faktorësh, pritshmëritë realiste janë shumë të larta, që Shqipëria të marrë në pranverë, një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Një moment i shumëpritur ky, megjithëse i vonuar në kohë, për meritë të shqiptarëve në radhë të parë, por "me të mirat e të këqijat e veta", edhe të të gjitha palëve politike, herë në qeverisje e herë në pakicë.

Mosshfrytëzimi i këtij momenti, i kësaj konjukture gjeopolitike në Bruksel dhe në Ballkanin Perëndimor, përveçse edhe brenda Shqipërisë, do të ishte një gabim i pafalshëm, që mund të na kushtojë shumë e shumë vite dhe sakrifica të tjera, për të patur përsëri një shans si ky. Ndaj, ajo që pritet të ndodhë në 2018-n në planin politik, nuk i duhet lënë në dorë vetëm liderëve të caktuar politikë, apo disa partive parlamentare ose jo. Por, fatet e këtij momenti, duhet t’i marrë në dorë çdo qytetar shqiptar, çdo media dhe çdo faktor tjetër, që mund të krijojë sado pak apo shumë presion pozitiv, në mënyrë që procesi i pakthyeshëm e i pandalshëm i bërjes së Shqipërisë europiane, të mos pengohet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: