Kanceri i qafës së mitrës, kur duhet të shqetësohen femrat

Kanceri i qafës së mitrës, kur duhet të shqetësohen femrat
Në muajin e sensibilizimit të kësaj sëmundjeje, mjekja gjinekologe, Kozeta Mustafaraj, tregon për “Albanian Free Press” shkaqet e kësaj sëmundjeje, si dhe simptomat të cilat duhet të çojnë femrat drejt vizitave te mjekët. Sipas saj, kryerja e pap-testeve, është një proces shumë i rëndësishëm për kapjen e sëmundjes në stadet e para

Sonila Isaku

Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit te femrat, por mund të trajtohet lehtë nëse zbulohet herët. Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet zakonisht nga Human Papilloma Virus (HPV), i cili transmetohet nëpërmjet rrugëve seksuale. Nëse sistemi juaj imunitar është i fortë, atëherë virusi mund të zhduket vetë, përndryshe ai mund të çojë në zhvillimin e qelizave kancerogjene. Kanceri i qafës së mitrës e merr origjinën nga qelizat e qafës së mitrës.

Simptomat

Në fillesat e tij, kanceri i qafës së mitrës nuk jep shenja, por me kalimin e kohës do të shfaqen shenja të tilla si hemorragji vaginale pas marrëdhënieve seksuale, hemorragji ndërmenstruale apo post menopauzike,  rrjedhje vaginale të ujshme me rrema gjaku me erë të rëndë, si dhe dhimbje të fundit të barkut gjatë marrëdhënieve seksuale.

Shkaqet

Kanceri i qafës së mitrës nis kur qelizat e shëndetshme fitojnë një mutacion genetik që i kthen në anormale. Nga qeliza që normalisht rriten dhe shumëfishohen në një gradë të caktuar dhe vdesin në një kohë të caktuar, në qeliza jonormale që rriten dhe shumëfishohen jashtë kontrollit dhe për më tepër që nuk vdesin. Akumulimi i qelizave anormale formon masën tumorale dhe qelizat përhapen në indet përreth, më pas kudo nëpër trup (metastazat). Nuk është e qartë se çfarë e shkakton kancerin, por dihet që prania e HPvs, luan rol të rëndësishëm, se bashku me faktorët genetikë dhe mënyrën e jetesës. Sa i takon llojeve, kemi të bëjmë me dy tipe të kancerit të qafës së mitrës. I pari ka të bëjmë me karcinoma, qeliza Squamoze e marrin origjinën në shtresën me qelizat që vesh qafën e mitrës dhe përbën shumicën e rasteve të kancerit cervical. Kurse lloji i dytë, adenocarcinoma, që e marrin origjinën nga qeliza glandulare që veshin kanalin e qafës së mitrës nga brenda dhe përbëjnë pjesën më të pakët. Ndonjëherë, mund të përfshihen të dyja tipet qelizore, në të njëjtën kohë.

Faktorët riskant

Janë një sërë faktorësh të cilët ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes. Kështu prania e partnerëve të shumtë seksualë, bën të rriten shanset për infektimin nga HPVS, apo infeksionet tjera seksualisht të transmetueshme. Po kështu, edhe kryerja e marrëdhënieve seksuale në moshë të re ,rrit riskun për tu infektuar nga HPVs. Faktorë tjetër ndikues, janë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme si clammidia, gonorea, sifiliz, HIV,  të cilat rrisin shanset për të patur në të njëjtën kohë, edhe HPVS.  Sistemi imunitar i dobët, por edhe konsumimi i duhanit dhe alkoolit, pagjumësia, jeta jo e rregullt, por edhe mbajtja e dietave, kanë një rol negativ në zhvillimin e këtyre sëmundjeve.

Depisitimi

Sa me herët të kapet ndryshmet kanceroze, aq me i suksesshëm është mjekimi. Depistimi i rregullt është i rekomandueshëm për çdo grua të paktën 21 vjeçe. Kur kanceri kapet në stadet e tij më të hershme, trajtimi i tij është i suksesshëm. Depistimi për kancerin e qafës së mitrës, përfshin: kryerjen e pap testit, si dhe HPV DNA test. Ky i fundit ka të bëjë me identifikimin e pranisë së virusit HPV.

Trajtimi

Trajtimi varet nga shumë faktorë, por më kryesori është stadi i kancerit, tipi i tij dhe problemet shoqëruese shëndetësore të pacientes. Një prej alternativave, është kirurgjia ku kryhet heqja e mitrës për stadet e hershme dhe heqja e vezoreve si dhe limfonodujve, për stadet e përparuara.  Rrezatimi i marrë me sondë të brendshme (brachiterapi) është efektiv në format e hershme të kancerit. Për format e përparuara bëhet i kombinuar me kimioterapi. Para ose pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërkohë, mënyrë tjetër është edhe kimioterapia e cila mund të merret si një medikament apo disa të kombinuar, jepet vetëm apo e shoqëruar me rrezatim në varësi të stadit dhe llojit të tumorit.

 

Stadifikimi

  • Stage I. Kancer është i kufizuar në cervix;
  • Stage II. Në këtë stad përfshin qafën e mitrës dhe uterusin, por nuk është përhapur ende në muret pelvic dhe as në vaginë;
  • Stage III. Kanceri ka kaluar më tej se uterusi, qafa e mitrës, muret pelvic dhe portionin e poshtëm të vaginës;
  • Stage IV. Kanceri ka prekur organet e tjera sikur fshikëzën e urinës, zorrën e trashë, apo në mëlçi, mushkri dhe kocka.

 

Parandalimi

  • Përdorimi i prezervativit në çdo marrëdhënie seksuale;
  • Fillimi i aktivitetit seksual në moshë madhore;
  • Të kufizohet numri i partnerëve;
  • Të shmanget duhanpirja;
  • Vaksinimi kundrejt HPV, për vajzat 9 -12 vjeç, apo ne 13 deri 26 nëse nuk janë vaksinuar ende. Vaksina është më efektiv, nëse merret tek vajzat që nuk e kanë nisur akoma aktivitetin seksual.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: