KAPUÇ – OPINION NGA EDISON YPI

KAPUÇ – OPINION NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po sorollatesha nëpër qytet, duke rrotulluar nëpër mendje shqiptarët që ikin çdo ditë dhe Shqipërinë që tkurret pafund, si ai endacaku i Petro Markos: "Shpirtkëputur nëpër rruga/ zëri i tij më s'psherëtin/ se në sytë ku i dergjet muga/ lot' i heshtur, lot' i ngrohtë, rrokulliset me përtim/ mes fytyrës djersëftohtë/ duke shkruar, d-ë-s-h-p-ë-r-i-m". Tek mendoja për historinë tonë të lavdishme dhe të turpshme, plot me plehra që mbahen për patriotë, budallenj që hiqen për inteligjentë, hajdutë që krekosen si çlirimtarë, horra moralistë, dhe të tjera të tilla, befas, mu tek të pi një çaj. U nisa te një kafene, ku nuk kisha qenë kurrë, por më pëlqen nga jashtë, se duket si pub londinez. Lokalet që frekuentoj janë përgjithësisht gjellëtoret modeste të katundeve, me kuzhinierin banakier jo fort të pastër, të cilit po i dhe të kuptojë se do t’i lësh ndonjë bakshish, shndërrohet befas nga i mrrylët, në i qeshur. Ha fasule, pi dhallë, pa asnjë përkujdesje si po llafosem, si po bërtas, aq më pak si jam veshur. Kur rrallëherë hyj në ndonjë lokal në Tiranë, ngaqë sofistikimet ornamentale më bezdisin, kur bëj porosinë, kurrë nuk harroj t’i them kamerierit të ma sjellë çajin pa mrroklla, pa bustina, lugë, pjatë, por vetëm filxhanin, vetëm me lëngun, që unë vetëm ta pi. Asgjë tjetër. Te london pub-i i Tiranës ku hyra, kamerieri nuk ua vuri veshin nazeve katundareske, të një super të sofistikuari si i nënshkruari. Ma solli çajin të shoqëruar me aq shumë vegla, sa me to mund të ç’bllokoja një lavaman ose të ndreqja një lavatriçe. Nuk e zgjata. Mbështjellë me xhup dhe kapuç, nisa ta pi çajin. Për dijeni, të mirat shëndetësore të kapuçit që mban ngrohtë kokën, veshët, qafën, dhe të mbron nga ftohjet dhe pasojat përkatëse, bashkë me supën e perimeve të ziera dhe ca kollajllëqe të tjera kaurreske, i kam zbuluar së fundi. Aty nga gllënjka e tretë ose e katërt e çajit, vjen befas kamerieri dhe më rri mbi krye si skifter. Me surrat të merakosur, ton njëkohësisht konfidencial edhe ultimativ, më kërkoi të bëj diçka të pabesueshme, diçka të paimagjinueshme. Hiç më pak se të heq kapuçin. Pse?! - e pyeta. Sepse, tha, "nuk e përmban etika e veshjes së lokalit". E hoqa kapuçin. Ama, mendja më mbeti te kërkesa paradoksale. Kam lexuar qindra libra dhe parë pafund filma. Kam hyrë e dalë në kafenetë e Shqipërisë dhe të disa vendeve të botës. Kam parë njerëz të të gjitha racave dhe ngjyrave, që rrufisin turlilloj lëngjesh nëpër lokale, mbuluar nga koka te këmbët me ferexhe, xhupa dhe stërxhupa, kokore, kapuça dhe stërkapuça, me lesh dhe pa lesh, madje edhe me skafandër biçiklete ose motoçiklete në kokë. Që pirja e çajit me kapuç në kokë, të prekë ndonjë etikë, për këtë kurrë nuk do më kishte vajtur mendja se mund të ndodhte. Nuk mund të thuhet se kamerieri me kërkesën që më bëri, mbrojti klientët nga ndonjë traumë psikike, për shkak të tmerrit që mund t’u shkaktonte pamja llaftarisëse e kokës time me kapuç, përderisa, me sa di, nuk kam surrat banditi, vrasësi, vampiri. Nuk besoj as se kamarierit apo dikujt tjetër, i ngjalla dyshimin se mund të isha një i arratisur nga çmendina, kamikaz, apo terrorist me bomba dhe tritol në brez, dhe pretendimin për etikë e bëri në funksion të sigurisë publike, duke më verifikuar së pari surratin. Për cilën etikë e kishte vallë fjalën ai kamerier?! Në Shqipëri, në familje, në vendet publike, në media, e aq më pakë në politikë, nuk respektohet asnjë etikë. Mu kujtuan klubet e kurvit, plot me spiuna dhe pijanecë, ku e vetmja etikë ishin zhelet, klithmat, kollat, pështymat, teshtimat, drejt në surratin e tjetrit. Prej vitesh tashmë në Shqipëri, s'bëhet fjalë për qurre kurvi dhe as ulërima demokratike nëpër lokale. Nuk arrita të bëj gjithashtu, asnjë lidhje shkak-pasojë mes surratit tim, kapuçit të xhupit dhe ndjeshmërive estetike të klientave. Në këto e sipër, pak nga pak nisa, të ftillohem. Mos vallë, fjala ishte për më tepër se kapuç, xhup, lokal, etikë? Mos ndoshta e gjitha kishte lidhje me diçka të epërme, diçka që lidhet me qiellin, me Zotin? Se Zoti e ka një të mirë. Kur ke dilema dhe ankthe, të dërgon një shenjë dhe të ftillon. Në vazhdim të arsyetimit me Allah dhe Shenjë, ndoshta ai kamerier, bashkë me atë çaj dhe atë kapuç, ishte një nga ato prova që dëshmojnë se, pirja me etikë e çajit në një mjedis publik, është një stacion i rëndësishëm në rrugën drejt progresit. Nëse është kështu, paska qenë e thjeshtë. Si ka thënë Naimi i madh” "E kërkova nëpër mure e gurë, por paskësh qënë ndaj meje e s'e dija". Pse jo? Bota, për më tepër dheú i Skënderbeut të lavdishëm, është plot me shenja që duken enigma. Fakt është se me kalimin e kohës, Shqipëria ka gjithmonë e më pak ulërima, boria, kolla, teshtima. Ku Parlamenti mbushet me tym të kuq dhe këpucë fluturuese, ku gjysma e pikturon tablonë të zezë dhe gjysma tjetër e vizaton të ndritur, ndoshta ka diçka shpresëdhënëse. Mbase janë ato tymra e ato këpucë, gjeneratori i një mesatareje që vazhdimisht ngrihet, lubrifikanti që i bën nyjet të lëvizin dhe të tërën të funksionojë. Ndoshta, falë Zotit të shenjave, s'ka pse të jetë çudi që, ai kapuç i vogël dhe ajo etikë mesatare, i vuri kapak një dileme të madhe. Ku ka përkujdesje për respektim të etikës së lokalit gjatë pirjes së çajit, s’ka pse të duket e pabesueshme që kemi të bëjmë me përmirësime të ngadalshme, por të sigurta; paqëtim përmes sherrit, ngjallje përmes vrasjes, ngjitje përmes zbritjes. Nëse është kështu, ku ma gjen. S'paskemi arsye të dëshpërohemi tej mase. Nuk jemi aq afër vetëvrasjes.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: