Kuvendi në Maqedoni kalon ligjin për gjuhën shqipe, Edi Rama: Arritje historike

Kuvendi në Maqedoni kalon ligjin për gjuhën shqipe, Edi Rama: Arritje historike
Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Kuvendit të Maqedonisë, për miratimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë një arritje historike.

“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, ka qenë mesazhi i kryeministrit shqiptar.

Me 69 vota pro dhe asnjë kundër apo të përmbajtur, pa deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kuvendi vendosi ta kalojë Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri Rama takoi pak kohë më parë homologun e tij maqedonas Zaev, ndërkohë që Tirana dhe Shkupi i kanë ulur tensionet mes tyre gjatë vitit të fundit, pavarësisht akuzave që kanë ardhur nga qarqe të caktuar politike maqedonase ndaj kreut të qeverisë shqiptare se ka ndërhyrë shpesh në çështjen e brendshme të Maqedonisë, duke ndikuar sidomos te faktori politik shqiptar atje.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: