“Na pret një vit i vështirë nga këndvështrimi ekonomik”

“Na pret një vit i vështirë nga këndvështrimi ekonomik”
INTERVISTA/ Flet administratori i Përgjithshëm i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku: “Problematika 27-vjeçare e mënyrës së keqndërtimit të sistemit ekonomik shqiptar tashmë është në shpërthim. Jo për çdo gjë negative, gishti duhet drejtuar te qeveria e radhës”

 Ekonomia shqiptare është futur në një rrugë të pakthyeshme ndryshimesh thelbësore të saj dhe nuk do të jetë kurrë si më parë. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, përfaqësuesi i njohur i botës së biznesit, Gjergj Buxhuku, teksa komenton projeksionin për ecurinë ekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2018, rreth të cilit ai parashikon një përfundim pesimist. “Kriza globale e ka përshpejtuar shfaqjen e problematikës. Pasojat natyrshëm bien mbi mirëqenien e qytetarëve”, argumenton ai. Duke shtuar këtu edhe një ulje deri në 25% të investimeve të huaja direkte në 2018-ën, sipas parashikimit të bërë nga vetë Banka Botërore ...

Intervistoi për “Albanian  Free Press”: Eglantina Nasi

Z. Buxhuku, cili është në këndvështrimin tuaj projeksioni për ecurinë ekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2018?

Në mënyrë të përmbledhur do të shprehesha se na pret një vit i vështirë, parë nga këndvështrimi ekonomik. Mund të them me bindje se ekonomia shqiptare është futur në një rrugë të pakthyeshme ndryshimesh thelbësore të saj dhe nuk do të jetë kurrë si më parë. Nuk parashoh ndonjë politikë të rëndësishme qeveritare të ndërtuar në 2017-ën ose më parë, për të parandaluar pasojat, që shoqërojnë ndryshimet e forta të sistemit ekonomik. Shto edhe krizën energjetike me pasoja qindra milionë euro të vitit të shkuar për të kuptuar përfundimin pesimist ekonomik të mësipërm për vitin e ri 2018.

Si mendoni se ka ndryshuar gjendja ekonomike e secilit qytetar shqiptar në fillimin e këtij viti. Me çfarë ngarkesash të reja përballen ata dhe a do ta rëndojë kjo koston e jetesës së tyre? 

Duhet të kuptojmë që jo për çdo gjë negative, gishti duhet drejtuar te qeveria e radhës. Problematika 27-vjeçare e mënyrës së keqndërtimit të sistemit ekonomik shqiptar tashme është në shpërthim. Kriza globale e ka përshpejtuar shfaqjen e problematikës. Pasojat, natyrshëm bien mbi mirëqenien e qytetarëve. Rritja e pamjaftueshme ekonomike prej mesatarisht 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 4-5 vitet e fundit për më shumë pashpërndarje uniforme në popullatë, fshehja fiskale e lartë, rënia e konsumit, kreditimi radhazi historikisht i ulët dhe nevoja për nxitje investimesh, kërkonte ulje taksash. Ndërkohë, edhe në buxhetin e vitit 2018‎ kemi një shtim prej 25 milionë euro shtim taksash. Përgjegjësia e qeverisjes qëndron te kokëfortësia e pashpjegueshme për t’i qëndruar një politike ekonomike dhe fiskale qartësisht të paefektshme dhe qe prek në terma afatgjatë zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

 Tani që kanë përfunduar edhe investimet e huaja direkte të kryera në kuadrin e gazsjellësit TAP apo HEC-it të Devollit, a mendoni se do të ketë një rritje pozitive të tyre gjatë vitit që sapo ka nisur?

 Banka Botërore parashikon një ulje prej -25% të investimeve të huaja direkte në 2018-ën. Kjo është pa koment, por e pritshme. Konfindustria me kohë e ka ngritur shqetësimin, se përveç të tjerash, Shqipëria ka dobësi të theksuar në konkurrencë rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Mungojnë politikat ekonomike që krijojnë tregje të reja dhe hapin tregjet e mbyllura monopolistike të sotme. Në mjaft pika, ngarkesa fiskale është pothuaj 25-30% më e lartë sesa rajoni. Pa përmendur tregjet strategjike të mbyllura, çmimet e larta të energjisë, karburanteve, politikat ekonomike problematike, etj.

Ka arritur në 13 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv gjatë gjithë vitit 2017. Si e komentoni këtë shifër dhe a besoni në një klimë më të mirë të biznesit përgjatë këtij viti, tani që edhe një pjesë e atij të vogël do të kalojë nën regjimin e TVSH-së?

Falimentimi është proces natyral i tregut të lirë. Rëndësi, ka që të mos përballemi me falimentime të sforcuara‎ biznesesh dhe të kemi mjedis konkurrencial të ndershëm dhe të mjaftueshëm. Natyrisht, për aq sa lejon një treg objektivisht i vogël si i yni. Për sa më sipër, Konfindustria i ka kërkuar qeverisë në paketën fiskale 2018 të shtyje të pakten për 1 vit hyrjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së.

Tashmë nis edhe implementimi i Buxhetit të vitit 2018. A besoni se ai do të arrijë të përmbushë të gjitha objektivat qeverisëse të caktuara rreth tij? Apo do të arrihet që të ketë sërish rishikime të tij përgjatë vitit, si edhe herët e tjera?

Shpresoj dhe uroj që të realizohet. Para së gjithash, të kemi rritje ekonomike të prekshme, pavarësisht se për arsyet e shpjeguara më lart, e quaj jo të lehtë.

Lidhur me procesin e integrimit evropian si të tillë, a mendoni se ekonomia vendase po e ndihmon përshpejtimin e tij? Po në lidhje me hapjen e tregut rajonal a besoni se Shqipëria do të përfitojë ekonomikisht, apo do të humbasë prej tij?

Shqipëria ka nevojë të ushtrohet për të qenë realisht pjesë përbërëse e tregjeve rajonale dhe europiane. Konkurrenca është në fakt thelbi i fuqisë së tregut të lirë dhe burimi i mirëqenies për qytetaret. Hapja e tregjeve nënkupton garë ku mund të përfitosh, por edhe të humbësh. Dhe gara duhet të jetë e drejtë. Në këtë pikë, qeveria jonë duhet të kuptojë se nuk mjafton të nënshkruash marrëveshje për t’u dukur si europian, modern dhe globalist para drejtuesve të BE-së‎. Duhet të kesh përllogaritur përpara sesa cilat janë kostot dhe çfarë masash duhen marrë që firma e hedhur në marrëveshje të përkthehet në përfitime dhe jo humbje për ekonominë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve nënshtetas të tu. Përndryshe mbetet, që shqiptaret të shikojnë për mbijetesë vetëm rrugën e largimit nga atdheu.

Në fund, cilët sektorë sipas jush janë më potencialët për të gjeneruar rritje ekonomike dhe cilët po shkojnë drejt “pikiatës”?

Shqipëria ka mundësi të qarta për rritje të qëndrueshme ekonomike‎, që do t’i siguronin pjesën e saj të qëndrueshme në tregun rajonal dhe europian. Jam i sigurt në sa më sipër. Disa sektorë natyrisht që do të preken nga globalizimi dhe rajonalizimi i tregjeve. Kjo është e natyrshme dhe në fakt, duhet të ndodhë. P.sh. pavarësisht luhatjeve, sektori i ndërtimeve urbane, fasonët e thjeshtë dhe sidomos disa sektorë prodhues, që mbështeten në tregun e brendshëm do të preken në afatmesëm nga proceset objektive të hapjes. Ndërkohë, me politika të vërteta ekonomike dhe modele zhvillimi të qëndrueshëm, janë të gjitha mundësitë të përfitojmë nga përparësitë tona në pasuri natyrore, minerale, naftë, pozicioni strategjik i vendit si udhëkryq ndërkombëtar, rrjeteve rrugore, portuale, energjetike, etj. Nëse do të shtojmë dhe mundësitë e mira për zhvillim të turizmit, agroturizmit, bujqesia, etj., kuptojmë sigurinë dhe shpresën, që Shqipëria nuk duhet të jetë më vetëm si "materniteti i Europës" me shqiptarë, që bëjnë çmos të largohen.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: