Ndotja e ajrit, çdo ditë 6 persona humbin jetën në Shqipëri

Ndotja e ajrit, çdo ditë 6 persona humbin jetën në Shqipëri
Ekspertët e mjedisit dhe shëndetit publik deklarojnë se shkak për këto sëmundje janë grimcat e imëta të shkaktuara nga djegia e karburanteve dhe pluhuri i rrugëve

Pluhuri i rrugës dhe grimcat e imëta të cilat shkaktohen nga djegia e karburanteve janë përgjegjëse për vdekjen e rreth 2100 personave çdo vit në vendin tonë. Shifra alarmante është bërë publike nga specialistët e mjedisit dhe shëndetit publik të cilët deklarojnë se niveli i ndotjes së ajrit në vendin tonë është në nivele tepër të larta.

Ndotja e mjedisit

Specialistët e Shëndetit Publik theksojnë se ndotja e ajrit nuk është përgjegjëse vetëm për vdekjen e 2100 personave, por edhe shkaktarë për shumë sëmundje të tjera respiratore, kancerit të mushkërive apo probleme të zemrës.  “Është fakt që Shqipëria ka një problem madhor me ajrin urban. Sipas raportimit më të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në vitin 2016, Shqipëria ka 2120 vdekje në vit nga ndotja e ajrit. E klasifikuar teknikisht kjo është rreth 2 mijë vdekje nga grimcat e imëta që janë dhe ndotësit kryesor PM10, PM2,5 dhe pjesën tjetër nga oksidet e azotit dhe nga ozoni që janë po ashtu gaze që lidhen me transportin automobilistik” thekson Agron Deliu, ekspert i ajërit dhe mjedisit. Sipas tij, raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit për  ndotjen e ajrit gjatë 2016, tregon se vitin e kaluar janë shënuar 2,120 vdekje për shkak të përqendrimit të lartë në ajër të grimcave të dëmshme. Agjencia Evropiane këshillon shtimin e përpjekjeve për të reduktuar nivelet e ndotjes së ajrit nën ato të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, gjë e cila kërkon angazhim global. Raporti i vitit 2016 për cilësinë e ajrit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit ka publikuar shifra të frikshme për vendin tonë sa i përket numrit të vdekjeve të parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit. Sipas tij, 2.120 persona humbën jetën gjatë vitit 2016, prej të cilëve 2.010 ishin viktima të përqendrimit të lartë të grimcave të imëta në ajër, 10 të përqendrimit të dioksidit të nitrogjenit dhe 100 nga përqendrimi i ozonit. Krahasuar me vitin 2013, kur numëroheshin 776 të vdekur, kjo shifër thuajse është trefishuar.

Masat

Por çfarë duhet bërë për ndryshimin e situatës? Specialistët kërkojnë që të merren masa për të ulur ndotjen e ajrit duke nisur nga pastrimi më i mirë i rrugëve brenda të qyteteve dhe kontrolli i cilësisë së karburanteve.  “Është një gamë e gjerë masash që duhen marrë, të kontrollohet më mirë cilësia e rrugëve, cilësia e karburanteve, cilësia e motorëve të makinave, gjelbërimet e qyteteve, sepse gjelbërimi përveç faktorit estetik ka një faktor shumë të madh si filtrues i grimcave të imëta dhe i gazrave që çlirohen në qytet” nënvizon Deliu.  Nga ana tjetër, drejtues të Ministrisë së Mjedisit u bëjnë apel qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e makinave.  “I bëj thirrje qytetarëve që të lëvizin sa më pak me mjete dhe mundësisht të përdorin mjete në mënyrë të përbashkët do të thotë qoftë transportin publik ose në rast se përdorin makinat të kemi sa më shumë njerëz në mënyrë që të lëvizim të gjithë së bashku duke përdorur konceptin e ndarjes së mjetit. Kushti kryesor që ne do të impelmentojnë është futja e metodologjisë së re të mjeteve të transportit të qëndrueshëm siç janë mjetet elektrike” ka pohuar Kledi Xhaxhiu përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit. Ndërkohë ekspertët kanë këshilluar përdorimi e transportit publik dhe mjeteve që nuk ndotin ambientin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: