NË LISTË PRITJE PËR NË BE – OPINION NGA PLATOR NESTURI

NË LISTË PRITJE PËR NË BE – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vendimi i fundit nga ana e Brukselit, për të caktuar një kornizë kohore për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një lajm i mirë për rajonin. Deri pak kohë më parë, deklarata të krerëve të lartë të BE-së, shprehte se nuk do të ketë një zgjerim me anëtarë të rinj për në Union, datë që shkonte gati në mesin e shekullit. Tashmë, të paktën për dy vende ballkanike, Serbinë dhe Malin e Zi, viti 2015 shihet si kufiri për t’i anëtarësuar brenda familjes europiane dhe duke avancuar për më tej, me vendet e tjera të rajonit.

Ajo çfarë nuk ishte lajm i mirë për shqiptarët, është fakti se vendi nuk kualifikohej për në raundin e parë të procesit të anëtarësimit, por renditet në një grup përherë e më të vonuar si Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova. Një vonesë e cila duket se po shndërrohet në lodhje; nëse kujtojmë dekadën e kaluar, kur harta e zgjerimit të BE-së ende nuk kishte prekur ndjeshëm vendet e Ballkanit. Shqipëria ishe në një grup me Kroacinë, si dy nga vendet që kishin mundësitë më të shpejta për t’u anëtarësuar. Serbia, Mali i Zi, por dhe Bosnja me problemet e saj, vende që sapo kishin dalë nga lufta në ish-Jugosllavi, ishin ende larg proceseve dhe, më së shumti, mendohej për të shpërndarë hirin e luftës dhe plagët e shkaktuara, sesa të plotësoheshin kushtet e demokratizimit, sipas parimeve të BE-së. Trenin që mori Kroacinë për në BE, Shqipëria e humbi. Humbi kështu një sërë shansesh për të qenë një pol i ri i reflektimit të politikave të BE-së në Ballkan, si dhe humbi oportunitete të tjera që do të ndihmonin si zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë. Hapat e Tiranës arritën deri në selinë e NATO-s, si dhe në mundësinë për liberalizimin e vizave për qytetarët.

Tashmë, duket se e kemi humbur edhe trenin e dytë për në BE. Atë tren ku duket se kanë siguruar biletën vetëm Serbia dhe Mali i Zi, të cilat para 10 vitesh, as që mund të ëndërronin se do të ishin përpara Shqipërisë në BE. Mbetemi në listë pritje me vende si Bosnje Hercegovina, e cila ende nuk ka një funksionalitet të plotë shtetëror në gjithë territorin, për shkak dhe të ndasive dhe komuniteteve të ndryshme që e përbëjnë atë. Jemi në të njëjtin stol me Maqedoninë, e cila përveç problemit të zgjidhjes së çështjes së emrit që ka me Greqinë, hera-herës nuk i shpëton konfliktualitetit të brendshëm ku jetojnë, por me pak gjasa bashkëjetojnë, shqiptarët e maqedonasit. Si dhe me Kosovën që është shteti më i ri, por ende nuk ka mundur të marrë njohjen e plotë ndërkombëtarëve. Ky është grupimi ku e kemi vendosur veten, duke mbetur kështu gjithmonë një skuadër e kategorisë së tretë, që nuk po mundet të kalojë në një stad më të lartë.

Për ecjen përpara të Shqipërisë, në rrugën e procesit të integrimit, gjithmonë BE-ja ka përcaktuar një sërë detyrash për t’u përmbushur, dhe në kushtet kur për to as nuk bëhej hap përpara, detyrat shndërroheshin në kushte. Në çdo stacion të procesit, që me kërkesën për anëtarësim, marrje statusi për kandidat etj., Shqipëria ka arritur të kapërcejë jo në bazë të përmbushjes së kërkesa të BE-së, por si një vullnet politik të saj për të shtyrë e promovuar vendin në rrugën e demokratizimit. Tashmë kur presim të përcaktohet data për hapjen e negociatave për anëtarësim, kushtet mbeten të njëjta. Mbeten njëkohësisht të parealizuara. Lufta ndaj korrupsionit në administratë, e kemi çuar në stadin e një niveli më të lartë të korrupsionit në të gjithë sektorët. Vetë fakti që në raportin për Shqipërinë, vihet theksi për shqetësimin e nivelit të lartë të korrupsionit edhe në polici, është e kuptueshme se si është kurba e këtij treguesi dhe në institucionet e tjera. Dhe kjo ndodh ndërkohë që kemi marrë angazhim për kryerjen e reformës në drejtësi. Çështja e lirisë së votës dhe zgjedhje të ndershme e transparente, mbetet ende një standard që nuk po mund ta arrijmë. Përkundrazi, mbetemi të kënaqur ende kur ndërkombëtarët na i certifikojnë, thjesht, si të pranueshme. Po kështu dhe për kushtet e tjera që ka ravijëzuar prej kohësh BE-ja, ajo e të drejtave të njeriut dhe e drejta e pronës. Kjo e fundit po mbetet një gangrenë, e cila jo vetëm vijon të shkaktojë probleme të rënda sociale, por njëkohësisht bëhet pengesë dhe për zhvillimin normal të ekonomisë dhe thithjen e investimeve të huaja. Madje, mund të thuhet se këto çështje janë gangrenizuar më tej. Mjafton të kujtojmë faturën e lartë që vjen dhe nga gjykatat e Strasburgut për të gjitha shkeljet, si në të drejtën e pronës dhe liritë e tjera, të cilat do të paguhen si detyrim nga buxheti i shtetit me taksat e shqiptarëve. Ndaj, të duket një demagogji dhe imoralitet i pashpresë kur ata që drejtojnë fatet e këtij vendi, dje dhe sot, ende deklarojnë se mbeten të vendosur për të vijuar rrugën drejt BE-së. Drejt kujt BE-je po shkojmë me këtë performancë? Shqipëria po rrëshket. Po rrëshket drejt brigjeve të tjera, ku fryma e BE-së do ndihet gjithmonë e më e dobët.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: