Në “Mirazh”-in e Anila Zajmi Katanollit

Në “Mirazh”-in e Anila Zajmi Katanollit
Nga Juela Meçani

Të hedhësh ngjyra në telajo, si shprehje e lirisë për të ëndërruar, me moton “Në kërkim të shpirtit shqiptar!”. Anila Zajmi Katanolli përsëri e mbylli vitin 2017 dhe e hapi njomëzakun 2018, përmes artit të saj, sepse ekspozita personale e artistes, do të kapë pranverën. Frymëzimi i artistes së mirënjohur nuk ka pasur asnjëherë trajta të përcaktuara. Ajo është një stiliste nga ato të parat e këtij vendi, është një kostumografe që ka veshur pjesët klasike e moderne më të suksesshme të viteve të fundit në opera e në balet, është një hulumtuese e entosit shqiptar, por mbetet edhe një piktore që ka shënuar me dhjetëra ekspozita, brenda e jashtë vendit.

Këtë herë, Anila ka vendosur që, përmes penelit, të proklamojë harenë e saj ndaj lirisë për të “fotografuar” në mendje, mirazhe natyre e personazhesh, e për t’i hedhur në telajo, ashtu siç ajo i imagjinon objektet e njerëzit, e jo ashtu siç i shikojmë të gjithë ne, me sy të lirë. E takoj teksa pimë një çaj mali, në galerinë “Art and the City”, mjedis tepër interesant, në gjirin e Pazarit të Ri, të rivizatuar së fundmi. Të hedhësh një sy të shpejtë, nga 26 veprat e ekspozuara, në këtë galeri me dy kate, është si një udhëtim i freskët mes ngjyrave, por pa shquar menjëherë ambientimin dhe vendet se nga janë shkëputur imazhet. Por valëzimet e fustanellave dallohen, nëse nuk shikon, por ndalon. Fustanellat shqiptare që i gjen edhe në disa nga pikturat, mbi vasha elegante, por me portrete jo të qarta, i gjen edhe në mesin e panoramave, në vijëzimet e maleve e kodrave, por edhe buzë liqeneve ose detit.

“E rigjete përsëri pikturën, Anila?” - e pyes, duke kujtuar pikturat e mëdha që, dekada më parë, mbushnin muret e Atelie Katanollit, të parës galeri mode në Shqipëri.

“Thjesht u riktheva te rrënjët. Këto janë punimet e mia të këtyre tre katër viteve. Por piktura ishte zanafilla e të gjithë artit tim. Aty nisi çdo vepër tjetër e imja në art. Piktura ka qenë gjithmonë brenda meje, por dhe jashtë meje. Ka qenë një frymëmarrje, mundësi për të qenë tërësisht e lirë, pa asnjë lloj kufizimi, pa ju përshtatur kërkesave të dikujt tjetër. Për mua, teknika dhe zhanri që unë përdor, nuk është fare i rëndësishëm, sepse artisti duhet të jetë shumë dimensional. Është një përshtypje, përsiatje mes reales dhe ireales, të kaluarës dhe të sotmes, mbase dhe të ardhmes”, - më thotë ajo dhe sytë i ndriçojnë.

“Jam shumë e lumtur Juela, sepse unë ëndërroj shumë, vazhdoj ëndërroj, aty marr energji. Unë besoj shumë tek energjitë, e dashur. Tek shkëmbimi i energjive, mes së mirës e së keqes.”

E pyes për disa nga peizazhet, e ajo më përgjigjet se, frymëzimi i vjen shpesh në mënyrë të beftë.

“Ja, e shikon atë pikturën aty? Isha në makinë me disa mikesha. E pashë atë kënd relievi dhe ndalova. Mendja dhe sytë i fotografuan menjëherë. Më pas, unë e hodha në telajo, por ashtu siç unë e lexova atë peizazh.”

Bisedoj me Anilën edhe për udhëtimet e saj, sepse, prej 2-3 vitesh, kohën e lirë e kalon duke pikturuar me kolonitë e artistëve “Plein Air”,  ku ajo gjen dimensionin e një lirie, e cila jep rreze si kur pikturon liqenet e Belshit, ashtu dhe kur zbulon peizazhin arbëresh në Kalabri.

“U ngritëm të hamë mëngjes, në një nga fshatrat e Kalabrisë. Ja, është ajo dritarja aty. Teksa ushqenim shqisat me mjaltë e qumësht, pamja që kishim përballë, ishte ajo. Miqtë e mi hanin mëngjes, unë ndaloja në mendje këtë pamje, që ti shikon sot. Çdo gjë për mua është vazhdimësi, asgjë nuk ndodh rastësisht.”

Jo shumë artdashës e dinë që jashtë vendit, ka të pasionuar që koleksionojnë punët në pikturë të Anila Zajmi Katanollit, por ajo është dalluar për “profil të heshtur” në reklamimin e punës së saj, duke preferuar të flasin për të ngjyrat dhe shtrirja e formave. Anila as vendin e ekspozimit nuk e zgjodhi rastësisht. Një mjedis që pak ka të ngjashëm në shumë ekspozita tradicionale, i ngrohtë, tipik etno, me shumë dru e ngjyra të ngrohta, shilte, postiqe e mindere.

“Pash vendin e m’u duk mjaft i ngrohtë dhe i bukur estetikisht, pavarësisht se mendoj që nuk është fare i rëndësishëm vendi. Artisti mund t’i shfaqi veprat e veta të artit edhe në rrugë, madje i bën shumë mirë publikut që të afrohet më thjeshtë me artin, të lehtësojnë marrëdhënien me të.  Por çfarë i ka falur më shumë, kjo ekspozitë dhe pikturat e saj, artistes?

“Më kanë shkëputur nga e përditshmja e më kanë futur në një botë më të paqtë, në një botë të realitetit e të ëndrrës, dhe kjo ka lidhje të ngushtë me të gjithë konceptin tim të krijimtarisë. Pikturat e mia kanë në thelb, gëzimin dhe dritën. Nëse kjo lexohet në këto telajo, atëherë ka pak nga shpirti im aty dhe shumë nga shpirti shqiptar.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: