NJË PËRMBLEDHJE, PËR TË MOS HARRUAR 2017-n – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

NJË PËRMBLEDHJE, PËR TË MOS HARRUAR 2017-n – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

1.      Situata politike

 Fundviti 2017 dha të njëjtën panoramë të zakonshme të tensionit të vazhdueshëm, që zotëron skenën politike. Pavarësisht se përplasjet në Parlament apo media duken të ashpra, gjithsesi mbeten në rrafshin deklarativ. Kjo vazhdueshmëri e tensionit, e ka shndërruar në një normalitet agresiv. Sidoqoftë, kryeministri Rama arrin ta mbajë nën kontroll situatën dhe kjo dhe falë medias, ku pjesa më e madhe është rreshtuar apo i shërben shumicës. Ndërkohë, PD-ja në opozitë, ende nuk po gjen forcat për të dalë nga impakti i dy zgjedhjeve radhazi të humbura. Përçarja brenda opozitës është e dukshme dhe kryetari Basha ende nuk ka gjetur çelësin për të qenë një lider i pranueshëm nga të gjithë. Ka patur disa përpjekje për të ulur gjakrat dhe që një pjesë e kritikëve nga ish-figurat e larta në PD, të rikthehen në strukturat e partisë, por kjo duket proces i vështirë. Vetë Basha duket se nuk e do sinqerisht këtë afrim dhe me politikën e tensionit të sforcuar ndaj shumicës, e çon linjën e veprimit jashtë shtëpisë së vet, pasi kështu mbetet më i fokusuar e për të mbajtur spektrin e liderit të opozitës. Ndërkohë brenda familjes së të djathtëve në opozitë, strukturat janë të demotivuara dhe anarshi të plotë. Kjo e bën më të lehtë për kryeministrin Rama përballjen me opozitën, pavarësisht problemeve me tepri që i kanë dalë në këto muaj.

Po ashtu, dhe LSI-ja në opozitë, nuk ka rolin që u pretendua në fillim. Largimi i Metës si president dhe zëvendësimi me bashkëshorten e tij, Monika, si kreu i ri i LSI, e ka ulur shumë më tepër profilin. LSI-ja ka dhe haraçe nga e shkuara, pasi ka qenë në bashkëqeverisje për 8 vjet, si me Berishën dhe me Ramën, dhe shumë nga politikanët e saj akuzohen për korrupsion nga mediat. Ndërkohë, partia tjetër PDIU e komunitetit çam, ndonëse mbështet Ramën, duket se është zbërthyer. Njëri prej deputetëve dha dorëheqjen, dhe një tjetri i është kërkuar heqja e mandatit me ligjin e dekriminalizimit, pasi akuzohet për vjedhje në Itali. Dhe në rastin e parë, dorëheqja mendohet se ka lidhje po me ligjin e dekriminalizimit.

Dorëheqja e papritur e kreut të shërbimit informativ, Ajazi, rinxori në pah përplasjen kryeministër – president. Fillimisht, nga presidenti por dhe nga opozita, u tha se kryeministri i kishte bërë presion për dorëheqje dhe se Rama do të kapë dhe shërbimin informativ për interesat e tij. Por Rama e dekreton kreun e SHISH-it si ambasador të Shqipërisë në NATO, çka tregoi se dorëheqja ishte bërë me një marrëveshje. Përplasja doli blof, por deri më tani pas dy muajsh, presidenti ende nuk ka dekretuar emrin e propozuar nga kryeministri për kreun e ri të SHISH-it.

 2.      Kanabisi dhe çështja Tahiri

Viti 2017 mund të quhet një vit rekord i sasive të kapura të kanabisit, por dhe drogave të tjera, si në Shqipëri ashtu dhe në vende të tjera si Itali e Greqi, sasi këto të nisura nga Shqipëria. Nuk ka javë që në media të mos raportohen kapje të sasive të konsiderueshme. Kjo dëshmon sasinë e madhe të mbjellë gjatë 2016 dhe gjysmën e 2017. Tashmë raportohet se sasia e sipërfaqeve të mbjella gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, ka rënë ndjeshëm. Këtë fakt, qeveria e deklamon si sukses të saj dhe si tregues i luftës ndaj kanabizimit të vendit. Por, si nga opozita ashtu dhe nga media në përgjithësi, këtë ulje të sasive të mbjelljes e lidhin me të tjera arsye. Së pari, se gjatë periudhës së mëparshme pati një mbjellje masive dhe sasia e madhe e prodhuar, ka sjellë që një pjesë e mirë e saj të gjendet ende stok në magazinat e trafikantëve. Këta mundohen gjatë gjithë vitit, ta trafikojnë mallin jashtë. Së dyti, prodhimi i madh i kanabisit, solli dhe uljen drastike të çmimit në tregun e brendshëm, pra të çmimit që merrnin fshatarët nga trafikantet grosistë. Së treti, duket se ka rënë mbështetja e strukturave të shtetit dhe atyre të policisë, të cilët deri dje mbyllnin sytë apo dhe ishin bërë pjesë në tregun e kultivimit të kanabisit.

Çështja Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe një nga beniaminët e Ramës, goditi rëndë reputacionin e qeverisë. Gjithsesi, përfshirja e ish-ministrit në një rrjet të trafikimit të drogës, vjen jo nga hetimet e institucioneve shqiptare, por nga prokuroria e Katanias në Itali. Policia e shtetit fqinj arrestoi pjesëtarët e një grupi të strukturuar shqiptarë dhe italianë dhe nga përgjimet prej më se një viti ndaj tyre, përmendej dhe emri i tij gjatë kohës që ishte ende si ministër në kabinetin Rama. Menjëherë, Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit dhe për këtë duhej leje nga Parlamenti. Kryeministri Rama nga njëra anë, e largoi nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së, por, nga ana tjetër, deputetët e tij, pas një maratone disaditore, nuk pranuan të jepnin aprovimin për arrestim, por vetëm kontroll të banesës dhe leje për gjykim. Politikisht, kryeministri i lau duart nga ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, por e mbrojti nga arrestimi. Tashmë në deklaratat e tij, Rama shpjegon se i takon Tahirit të mbrojë veten dhe del apo jo i fajshëm, kjo nuk ndikon aspak te qeverisja dhe as te legjitimiteti i pushtetit të tij.  Nga ana e saj, opozita cilësoi të drejta akuzat e kahershme të përfshirjes të strukturave të shtetit e të policisë në kanabizimin e vendit dhe se me paratë e trafikantëve, janë blerë edhe zgjedhjet e qershorit. Nga përgjimet italiane të trafikantëve, dilte se dhe një numër drejtuesish të lartë të policisë ishin bashkëpunëtorë të tyre. Ndaj një pjese prej tyre, u lëshua urdhërarrest, por ata u larguan menjëherë nga vendi. Opozita kërkoi largimin e vetë Ramës nga kryeministër, duke e akuzuar se vetë Tahiri nuk mund ta kishte bërë këtë në nismën e tij.  Vetë kjo çështje e nxiti më rëndë tensionin politik në vend. Ndërkohë, procesi i hetimit ndaj Tahirit, vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndonëse ish-ministri mbetet ende deputet.

3.      Reforma në drejtësi. Vetingu dhe institucionet

Reforma në drejtësi mbetet kryefjala në deklaratat e politikanëve të të dy kaheve, por gjithsesi procesi diku mbetet i bllokuar e diku tjetër ecën me hapin e breshkës. Në fakt, të gjitha afatet kushtetuese për ngritjen e institucioneve të vetingut dhe atyre që ngrihen rishtas të drejtësisë, janë shkelur prej kohësh. Gjithsesi, më në fund, komisionet që do të merren me vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, më së fundi, filluan aktivitetin e tyre. Ende nuk janë ngritur komisionet si Këshilli i Prokurorëve apo ato mbi gjykatat, të cilat do të formojnë këto institucione, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, apo që do të hapin rrugën për krijimin e institucioneve të tjera, si Byroja e Hetimit dhe SPAK.

Ndërkohë që procesi i vetingut vijon, nga Prokuroria e Përgjithshme në dhjetor, u kërkua heqja e mandateve për dy deputetë të cilët u kapën në shkelje nga ligji i dekriminalizimit, për dënime në vende të BE-së e të padeklaruara në formularët e vetëdeklarimit. Një deputet është i LSI-së dhe tjetri i PDIU-së. Gjithashtu është kërkuar heqja e mandatit dhe për një kryetar bashkie në Pogradec dhe dy funksionarë të lartë, ish-deputetë.

4.      Zgjedhja e kryeprokurores së Përkohshme. Proteste e opozitës

Mbarimi i mandatit të kryeprokurorit të Përgjithshëm Llalla, solli problematikën pasi Parlamenti nuk kishte zgjedhur Këshillin e Prokurorëve, që i takon në bazë të ligjit të ri të zgjedhë kryeprokurorin e ri. Kjo ishte një krizë e paralajmëruar, por nga politika nuk u bë asnjë hap. Opozita u shpreh se, është e udhës që kryeprokurorit aktual t’i zgjatet mandati deri sa të zgjidhet Këshilli i Prokurorëve për të zgjedhur një të ri, sipas ligjit. Shumica kërkoi zëvendësimin e tij me një Kryeprokuror të përkohshëm. Ndonëse nga ana ligjore kjo nismë e shumicës nuk kishte bazë ligjore të qëndrueshme, u vendos që zgjedhja të bëhet me shumicë të thjeshtë, dhe jo sipas ligjit që duhet 3/5 e votave. Kjo acaroi situatën politike dhe opozita akuzoi se Rama do të kapë dhe Prokurorinë. Opozita e bojkotoi procesin e votimit dhe organizoi jashtë Parlamentit, një protestë të mbështetësve të saj. Konfliktualiteti ishte si brenda sallës dhe jashtë tij. Në fund, u votua kryeprokurore e re, Marku, e cila mori mbështetjen e grupit socialist të deputetëve dhe mori 69 vota nga 140 që ka Parlamenti. Kryeprokurorja e re ka nisur një sërë lëvizjesh të drejtuesve, ndërkohë ambasada e SHBA-së në Tiranë, u shpreh e kënaqur që u largua një kryeprokuror që nuk hapte hetime mbi dosjet e politikanëve.

5.      Takimi Bushati-Kotzias dhe marrëdhëniet greko-shqiptare

Gjatë mandatit të kaluar të kryeministrit Rama, marrëdhëniet me Greqinë patën një ftohje dhe acarim të herëpashershëm. Deklaratat e të dyja palëve, shpesh ishin larg të qenit diplomatike dhe nën rreshta, me tone kërcënuese. Greqia ngriti tonet sidomos për mbrojtjen e pronave dhe të drejtave të njeriut të popullsisë me etni greke në Shqipëri. Ndërkohë, Tirana e quante si ndërhyrje në punët e brendshme dhe i kujtonte Greqisë masakrat ndaj popullsisë çame në luftën e dyte botërore dhe mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës. Pas kontakteve midis dy ministrave në OKB gjatë muajit shtator, u vendos të bëhej një fazë bisedimesh ku të trajtoheshin gjithë problematikat e marrëdhënieve. Takimi u zhvillua në Kretë në 17 nëntor, dhe zgjati tri ditë. Pas takimit, të dyja palët nuk dhanë detaje të hollësishme, veç u shprehën se u cekën një sërë problemesh, që nga çështja e kufirit detar që është bllokuar nga gjykata kushtetuese shqiptare, ligji i luftës, varrezat e luftëtarëve grekë të rënë në luftën italo–greke, çështje të pronësisë që prekin shtetasit e të dy vendeve, dhe nënshkrimin e një Traktati të ri Miqësie etj. Gjithsesi, nuk u raportua për një marrëveshje qoftë edhe të pjesshme, por që bisedimet do të shtrihen në një fazë të dytë në Korçë në Shqipëri, gjatë muajit janar. Ndërkohë, ministri i jashtëm grek në Parlament dhe në median greke, është shprehur se ligji i luftës është absurd dhe duhen gjetur mekanizmat për ta hequr.

6.      Ekonomia dhe fondi 1 miliard euro i qeverisë, në partneritet me biznesin

Shifrat e ekonomisë kanë njohur rritje dhe këtë vit, ndonëse ende mbetet i paqartë niveli i saktë i tyre. Sipas INSTAT, rritja është me 3.2 % që, gjithsesi, mbetet shumë më poshtë se ajo çfarë kishte pretenduar qeveria Rama. Sidoqoftë, një sërë analistësh ekonomikë shprehen se qeveria nuk ka llogaritur si borxhe një pjesë të kredive të brendshme, që edhe kështu kanë shkuar në mbi 72% të PBB-së. Nga ana tjetër, duhet thënë se në këto dy vite, shifrat ekonomike i kanë ndihmuar dhe dy investime të mëdha që janë kryer në vend, gazsjellësi TAP që përfundon këto dy muaj dhe hidrocentrali i Kalivaçit, një tjetër investim serioz. Përfundimi i këtyre investimeve tashmë e lë zbuluar rritjen e pretenduar dhe ky nuk është tregues i mirë për të ardhmen, shprehen analistët.

Ndërkohë, qeveria Rama ka ndërmarrë një nismë të re, krijimin e një fondi 1 miliard eurosh për investime në infrastrukturë etj., si partneritet me biznesin. Nga analistët, por dhe nga opozita, shprehen se kjo do të sjellë një rritje të mëtejshme të borxhit të brendshëm. Njëkohësisht, nuk mungojnë dhe akuzat politike se, këto fonde janë një mënyrë për të pastruar paratë e trafikut të drogës, nga mbështetësit e kryeministrit. Rama i ka hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se këto do të bëhen nëpërmjet transaksioneve bankare.

Një nismë tjetër për të siguruar shtim të investimeve, është dhe ajo në sektorin e turizmit, ku qeveria me anë të një ligji të ri, për investimet që kalojnë mbi 5 milionë euro, u jep statusin e investitorit strategjik, duke u krijuar një sërë lehtësirash fiskale. Po ashtu, për hotelet e reja me 5 yje, do të hiqen taksa të ndryshme, si facilitet për këto biznese.

Këto nisma opozita i ka cilësuar si një ndarje parash me oligarkët dhe mbështetësit e qeverisë, dhe këtë e mbështet me faktin se, sidomos në sektorin e turizmit, nuk ka investitorë të huaj, aq më pak brande, dhe se bregdeti është ndarë në funksion të ndërtimeve të njerëzve të lidhur me kryeministrin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: