NUK PO U MBAJNË MË NERVAT – OPINION NGA FRROK ÇUPI

NUK PO U MBAJNË MË NERVAT – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pyetja e fundit, mund të shtrohet që në fillim: Çfarë ka ndodhur, që i vuri këta njerëz në zgripin nervor?

Për shembull, çfarë ndodhi në shtetin tonë, që një grupim njerëzish i vunë kazmën Republikës Demokratike? ... Nuk e shikoni që ndërtesa e Republikës është e lëshuar përdhe? ... Ja t’ua them edhe një herë: Kuvendi - organi ligjvënës ka rënë që në momentin kur krijoi “monstrën Drejtësi”. Dita e fundit ishte 8 dhjetori, kur në Kuvend “u zgjodh” Prokurori i Përgjithshëm “i përkohshëm”. Që në elementin më të thjeshtë, “i përkohshëm”, Kuvendi dhunoi Kushtetutën e  Republikës.

Që këtu Kuvendi ra, sepse kur bie Kushtetuta, vallë, ku mund të qëndrojë Kuvendi?...

Sapo u dhunua Kushtetuta, asnjë nga kolonat e shtetit nuk qëndron. Të gjitha janë në ajër, për shkak të “Reformës në Drejtësi”. Që nga  Prokurori i Përgjithshëm, të gjithë janë “të përkohshëm” dhe funksionojnë jashtë ligjit ... Mund të ndodhë që, shteti politik të nxjerrë në treg shtetin fizik, dhe askush nuk i thotë “pse?”. Se nuk i thotë ligji.

Pse gjithë ky nervozizëm?

Për shembull 2:

Brukselin që është ‘Moska’ e hershme e shtetit tonë politik, e kanë lëshuar nervat. Tani nuk po ruan më as etikën, as fshehtësinë e domosdoshme të qëllimit të keq. BE-ja na shfaqet si një grupim kaotik, që tërheq për nga e kundërta e Europës tradicionale qytetëruese. As ka principe, as ka korniza, as ka politesë.

Ja, tre fakte:

Presidenti i Komisionit Europian, Junker, para tri ditësh, lëshoi një “faturë” për të gjitha shtetet anëtare. Në një konferencë për shtyp, ai bëri thirrje nervoze: “Sillni paratë për BE-në, kamata i shtohet çdo shteti”. Nga 27 vende të BE-së që kanë mbetur pas largimit të Britanisë, kërkoi 18 miliardë euro, sepse “nuk kemi Britaninë”. I bie që dikush më shumë se 1 miliard dhe dikush më pak, të japë për administratën e BE-së. Po çfarë kosto e çfarë arrogance?

Fakti i dytë:

Guy Verhofstadt, në emër të Parlamentit Europian, deklaroi përmes nervozizmit se, ata që nuk i binden administratës së BE-së do të përjashtohen. Praktikisht, ai kërcënoi Hungarinë dhe Poloninë që nuk pajtohen me politikat e BE-së mbi emigracionin. Politikani i lartë, ish-kryeministër belg, shkoi edhe më tej. Ai tha se “ato kombe që do të votojnë për të djathtët, nuk kanë vend në BE”. Kurrë më parë nuk mund të mendohej se në emër të Europës mund të bëheshin këto kërcënime, gati si në panik.

Fakti i tretë:

Përfaqësuese e lartë e politikës së jashtme të BE-së, zonja Federica Mogherini, javën e kaluar ka udhëtuar për në Kubë, ku është pritur në rangje të larta. Ajo ka guxuar t’i kthehet sjelljes së saj të vjetër politike si marksiste-leniniste. Para BE-së, ajo ishte sekretare e rinisë marksiste në Itali, aktiviste e egër kundër BE-së. Qëndroi sa qëndroi në hije, por, më në fund, e bëri: U kthye në Kubën komuniste. Atje kërkoi ndjesë pse Perëndimi e kishte lënë vetëm Kubën dhe e ftoi për bashkëpunim me Brukselin ... Kjo dihet pse u bë. BE-ja po tenton të “izolojë” Amerikën, qoftë edhe duke bashkëpunuar me shtete që shkelin liritë e njeriut si Kuba. Vetë Mohgerini e tha në Kubë se, vendet me diktatorë duhen afruar, pasi “ulet kosto”. Me këtë, secili kupton se në BE nuk ka më as përmbajtje.

Po vallë, pse ndodhin të gjitha këto? ... U kthyem te pyetja e fillimit, që normalisht e kishte vendin këtu në fund.

Në Tiranë nxitojnë dy palë, por për një padron:

Reforma në drejtësi dhe droga, këtu u ngritën si dy pemë paralele, të mbjella në të njëjtën kohë, për t’i bërë hije njëra-tjetrës.

Reforma - nga njëra anë - do të frymëzonte popullin “dele” me entuziazmin sovjetik se, “ja, po i burgosim armiqtë, po fitojmë”. Vlerë tjetër nuk kuptuan ata të popullit. Por kjo e nxirrte pikturën e vendit si një anije, ku njëra palë ngrihej në direk, ndërsa pala tjetër mbytej. Para popullit, qeveria pikturohej  “pastër”, si Shën Pjetri që po mbyste Dragoin e korruptuar. U tha se “shumë peshq do të piqen”.

Ky ishte nderi. Ndërsa pasuria? ...

Pasuria do të ishte droga. Me drogën e poseduar nga makina e shtetit, do të krijohej buxheti i “panumërueshëm”, me rreth 8 miliardë euro, gati sa dyfishi i buxhetit legal të shtetit. Me këtë do të paguheshin zgjedhjet, do të mbahej pushteti për njëmijë vjet, do të paguheshin ambasadorët dhe ndërkombëtarët e tjerë ...

Dhe ja ku jemi: Tani pushteti nuk funksionon, ka ngecur në rërë. Nervozizmi para “rrënojave” të shtetit, ka kapur të dy palët, ndërkombëtarët dhe kombëtarët. Ndërkombëtarët kanë gati valixhet dhe tani duan vetëm certifikatën se “e bëmë reformën”. Pas kësaj “bye bye!” Në Uashington dhe në Bruksel shijohen mirë fitimet nga Shqipëria.

Por ka nervozizëm, sepse ku ta dish çfarë ndodh deri ditën që ikin. Këta që mbetën këtu, do të kërkojnë “ndërkombëtarë” të rinj.

Po rreth nesh, në Bruksel, nga ku varemi?

Edhe ata janë me valixhe në dorë. Në vitin 2018-’19, do të ketë zgjedhje në shumicën e vendeve të BE-së. Kudo në harta po vërshon ngjyra blu e konservatorëve populistë - ndjekës të Trump, Brexit dhe Vishegrad. Elitat liberale të vjetra demagogjike, po kundërshtohen kudo. Edhe vetë “mama Merkel” nuk po arrin të bëjë qeveri  pas zgjedhjeve të shtatorit të kaluar. Në vitin 2019, zhvillohen edhe zgjedhjet e institucioneve të BE-së, që nga Parlamenti e Këshilli. Askush nuk e di ku do të jetë. Të gjithë nxitojnë dhe gabojnë. Vërshimi i fenomenit Brexit dhe zgjedhja e Trump-it, e kanë bërë sistemin që të mos përmbahet. Sa vjen e më shumë, “liberalët” nuk kanë fjalë. Administrata e Trump-it, brenda një viti, shtoi 2.1 milionë vende pune dhe uli papunësinë nga 1 në 4.1 për qind ... Cili në Europë ka shifra? ... Përveç fjalëve!

Tani nuk po i mbajnë më nervat.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: