PD kërkon largimin e Gramoz Ruçit, "zgjedhja e Arta Markut antikushtetuese"

PD kërkon largimin e Gramoz Ruçit, "zgjedhja e Arta Markut antikushtetuese"
Partia Demokratike mori pjesë në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve për vit, ku do të diskutohet programi i punimeve të Kuvendit.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho rindezi debatin mbi zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, Arta Marku, duke akuzuar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi për shkelje të Kushtetutës.

Spaho pretendoi se Arta Marku u zgjodh në krye të Prokurorisë me 69 vota, pa kaluar procesin e Vetting-ut.  “Me 18 Dhjetor u krye puç kushtetues, i urdhëruar nga Edi Rama, por i zbatuar nga Ruçi. Kryeprokurori duhej te zgjidhej me 3/5, i propozuar nga KLP dhe me vetting. U emërua me 69 vota, nga PS dhe pa vetting.”

Sipas Spahos, “qëllimi i emërimit antikushtetues i Kryeprokurorit është t’i japë mbrojtje ligjore pushtetit të  inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës. Qëllimi i emërimit antikushtetues i Kryeprokurorit për të mbrojtur Saimir Tahirin nga akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës, Vangjush Dako, nga përgjimet e shërbimeve të huaja për blerjen e votës nga kriminelë në këmbim të tenderave, Qazim Sejdinin për lidhjet me krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe blerjen e zgjedhjeve.”

Prandaj kreu i grupit parlamentar demokrat shtoi se, “Opozita nuk mund të lejojë shkeljen e vazhdueshme të Kushtetutës dhe delegjitimimin e institucioneve. Opozita do të qëndrojë fort në mbrojtje të Kushtetutës dhe institucioneve demokratike. Dorëheqja e Ruçit është hapi i parë i kthimit të normalitetit në parlament.”

Kësisoj, pas kërkesës së vazhdueshme dhe protestave për dorëheqje të Saimir Tahirit në mandatin e parë qeverisës të së majtës së bashkuar, opozita edhe me LSI në përbërje do të ketë në qendër të sulmeve  për dorëheqje pikërisht kreun e Kuvendit, i propozuar dhe zgjedhur nga partia e vetme në qeverisje, PS.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: