PËRSE TË GJITHË KANË FRIKË NGA JANARI - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PËRSE TË GJITHË KANË FRIKË NGA JANARI - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në janar, fillon shkundja e shtetit të gjunjëzuar shqiptar, nga murtaja e krimit dhe korrupsionit. Sipas të gjitha premtimeve dhe gjasave, një tërmet 10 ballë, pritet të trondisë politikën dhe administratën, e të shkatërrojë lidhjet e saj me krimin. Kanë kaluar afro 16 muaj nga votimi i 21 korrikut të vitit 2016, kur 140 vota e shndërruan reformën në drejtësi në një rast unikal në historinë e Parlamentit shqiptar. Por ajo ditë duket disi e largët dhe janari i cili ka pak ditë që ka hyrë, pritet të shndërrohet në preludin e kësaj reforme. Në fakt, ai nuk pritet të jetë i lumtur për ata që do bien në rrjetë dhe, për ta, agjentët e FBI që ndodhen prej kohësh në Tiranë, janë kthyer në makth. Më 7 nëntor 2017, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, tha:

“Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh. Organet e drejtësisë kanë dështuar deri tani. FBI është këtu për tu angazhuar në luftën kundër krimit. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikës dhe ky realitet nuk duhej mohuar”.

Mes 40 veprave penale që pritet të aplikohen për të arrestuar politikanët e korruptuar dhe zyrtarët e lidhur me krimin, më e rëndësishme se kaq, janë të dhënat e raporteve vendasve dhe të huaja, për të treguar se në çfarë momenti kritik ndodhet Shqipëria. Prokurori i ri i përhershëm, ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ngritja e SPAK-ut dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë të vetmet që mund të çmontojnë dhe shkatërrojnë të dhënat nga raportet që janë publikuar për periudhën e fundit, për situatën në Shqipëri.

  1. Shqipëria gjatë vitit 2017, kishte 60 mijë përdorues droge, sipas ISKSH-së.
  2. Shqipëria në vitin 2017, kishte prevalencën më të lartë vjetore të përdorimit të kokainës në botë, sipas raportit vjetor të drogave.
  3. Shqipëria gjatë vitit 2017, ishte furnizuesi numër një në Europë i kanabisit, sipas raportit të Europolit.
  4. Kanabisin, tashmë, trafikantët e drogës e quajnë misri shqiptar, sipas medias italiane.
  5. Në vitin 2016 në Shqipëri, ishin futur 21 tonë farë kanabisi, sipas raportit të SHISH.
  6. Sasia e kanabisit të trafikuar nga Shqipëria në Itali, është trefishuar gjatë vitit 2017, duke pushtuar Italinë dhe se ky trafik po financon terrorizmin islamik, sipas prokurorit të Antimafias italian, Franco Roberti.

Mjaftojnë të dhënat dhe shifrat për këto 6 raporte dhe konkluzione, për të thënë se sa i rëndësishëm është viti 2018, dhe veçanërisht muaji janar, në të cilin priten goditjet e mëdha.

Kur në 27 vjet janë dënuar dhe këta me gjobvënie, vetëm tre gjykatës. Kur i vetmi politikan i rangut të lartë i dënuar për korrupsion, është Spiro Ksera me 1.8 vjet burg, zbatimi I reformës në drejtësi është i vetmi shpëtim.

KUSH KA FRIKË NGA ARRESTIMET

Nëse do përmendeshin emër për emër, do ishte manipulim, por do të kuptojmë shumë, nëse sërish do t’i referohemi ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, i cili e tha shkoqur fare, po më 7 nëntor 2017:

“Ky nuk është problem vetëm i një partie, por një problem që ka pllakosur politikën shqiptare, që nga rënia e komunizmit. Shtetet e Bashkuara do të angazhohen fuqimisht, kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve me njerëz të fuqishëm, me prokurorë, gjykatës apo biznesmenë të fuqishëm. Askush nuk është mbi ligjin. Peshku i madh e ha të voglin dhe për një herë të vetme, duhet të hamë peshkun e madh”.

Po cili është peshku i madh? A ndodhet ai vetëm në politikë dhe në cilën parti bën pjesë, majtas apo djathtas? Pa përjashtim, të gjithë palët tani kanë frikë. Shumica duket si më e qesëndisur, por aty frika është më e madhe. Rregulli e do që korrupsioni nuk quhet i luftuar, nëse nuk goditet në qeveri. Prandaj, kryeministri Rama është i vetëdijshëm për këtë. Ministra, deputetë, ish-ministra e ish-deputetë, janë në listën e atyre që jo vetëm kanë frikë, por tashmë frika është bërë pjesë normale. Por si do të sillet shumicca dhe vetë kryeministri Rama me arrestimet, do të tregojë shumë, nëse ai dhe forca politike që përfaqëson, e ka seriozisht zbatimin e reformës në drejtësi. Me dhjetëra skandale nëpër këmbë, sidomos ai i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me një ekonomi rakitike dhe me raporte ndërkombëtare aspak të favorshme, e vetmja varkë shpëtimi e shumicës, do të jetë sjellja e saj ndaj zbatimit të reformës në drejtësi. Por nëse Rama dhe kjo shumicë do të marrin në mbrojtje të arrestuarit që i përkasin asaj, kjo do të ishte fundi politik i Partisë Socialiste.

Frikë kanë edhe në opozitë. Mjaftuan arrestimet e dy demonstruesve të saj, që kjo opozitë të shpërthente në reagime deri kërcënim. Ne nuk mund të kemi një opozitë që reagon, nëse do arrestohen ish-ministrat e saj të korruptuar, kur kjo forcë ishte në qeveri. Nëse ndodh kjo, opozita do t’i bëj një dëm të madh vendit dhe Shqipëria do të kthehej në vitet 1997-1998, kur për çdo arrestim ndaj politikanëve që organizonin prita me armë, për opozitën e asaj kohe, e kishte fajin kryeministri Fatos Nano.

Frikë kanë edhe pjesëtarët e administratës të të gjitha niveleve. Drejtorë të mëdhenj dhe të vegjël, që deri dje krekoseshin se e kishin mirë me shefin e partisë, tashmë kanë lepurin në bark. Rasti i Saimir Tahirit tregoi se çdo të thotë menaxhim i pushtetit. Ministri i Brendshëm më i vlerësuari dhe më jetëgjati në detyrë, më i fuqishmi në këto 28 vjet, befas është shndërruar në simbol se si shkatërrohet karriera politike dhe statusi juridik, nëse nuk menaxhon këtë pushtet.

A do të ketë përpjekje dhe betejë mes të arrestuarve dhe njerëzve të drejtësisë? Patjetër! Dhe kjo pritet të jetë një nga betejat më të mëdha që, realisht, nuk kanë ndodhur në Shqipëri. Por në SHBA, adhurojnë Zotin dhe jo qeverinë dhe meqenëse drejtësia shqiptare ka marrë bekimin nga SHBA-ja edhe mënyra se si do të funksionojë ajo, do të jetë me koncept amerikan.

PASOJAT E ARRESTIMEVE

Në një parashikim për vitin 2018 që “The Economist” ka bërë në një nga numrat e muajit janar, rezulton se Rumania do të jetë në vend të parë nga vendet anëtare të BE-së që pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike, në krahasim me të gjithë vendet e tjera. Rumania pritet të ketë një ekonomi me rritje 6 për qind, duke ia kaluar të gjithë anëtarëve të BE-së. Pikërisht Rumania që i dha një grusht të fortë korrupsionit të jakave të bardha, duke bërë revolucion në drejtësi dhe arrestoi dhjetëra zyrtarë të lartë, arrin të vjelë rezultatet. Për Shqipërinë nuk ka shembull më të mirë, se mbi të gjitha është drejtësia dhe se rritja e mirëqenies që ne kërkojmë, vjen po nga kjo drejtësi. Prandaj, janari është starti se si do të jetë kjo drejtësi, dhe arrestimi i peshqve të mëdhenj është me rëndësi kombëtare.

Aaaa, nëse kjo nuk ndodh, atëherë vërtetë ka vend shprehja amerikane se do kalojmë nga e keqja, në të keqen më të madhe. Dhe duke ditur që krimi dhe korrupsioni nuk janë kambial që skadojnë, na duhet ta ilustrojmë këtë me historinë e një të moshuari që, pasi humbi gjyqin në gjykatën e Tiranës, i bindur që gjyqtari ishte korruptuar, vuri në derën e zyrës së këtij gjykatësi, një tabelë në të cilën shkruhej: Të zëntë vettingu!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: