Peter Pacult, ndryshimi i madh i janarit i takon Kukësit

Peter Pacult, ndryshimi i madh i janarit i takon Kukësit
Merkato e dimrit nuk ka sjellë ndryshime të spikatura në përbërje të skuadrave pretendente apo për një biletë në Kupat e Europës, me përjashtim të Kukësit, që diferencën po e bën trajneri 

Aranit Muraçi      

Në Antalia ku disa nga ekipet kryesore të Kategorisë Superiore po zhvillojnë përgatitoren e dimrit, pavarësisht ndryshimeve në merkato, Kukësi falë afrimit të trajnerit, Peter Pacult, duket se ka ndryshuar më shumë, duke premtuar për një rikthim të madh në pjesën e dytë të garës. Mbi ndryshimet në përbërjen e ekipeve, ato thuajse nuk kanë ndryshuar asgjë.

Partizani

Partizani do të luajë një miqësore sot, ora 13:00, me Pakhtator Tashkent. Trajneri Sulejman Starova kërkon të testojë, edhe një herë, ekipin para se të kërkojë ndërhyrjet e fundit në merkato. Në miqësoren e fundit të humbur ndaj Kosimpasa, luajtën Hoxha, Kotobelli, Ibrahimi, Atanda, Kalari, Telushi, Batha (kap), Progni, Trashi, Asani, Bardhi si dhe  Belica e Fili. Pas largimeve të disa lojtarëve titullarë si Vila e Krasniqi, pavarësisht afrimeve, Partizani ende nuk i ka bindur tifozët për t’u rikthyer ndryshe, në pjesën e dytë të garës.

Skënderbeu

Skënderbeu, pas humbjes 3-2, në miqësore ndaj Beshiktash, ka firmosur me ish-sulmuesin e larguar nga Partizani, Emiljano Vila. Trajneri Ilir Daja, sakaq, ka siguruar edhe shërbimet e Kristal Abazajt e të Dejvi Bregut, në fund të këtij sezoni. Skënderbeu kërkon të sigurojë edhe dy lojtarë të tjerë, deri në mbyllje të merkatos së dimrit. Albi Doka i Tiranës, mbetet një prej dëshirave të mëdha të merkatos së presidentit Takaj. Të sigurt se titulli do të rikthehet në Korçë, drejtuesit e Skënderbeut kanë hartuar një platformë më afatgjatë, për të pasur sukses në Champions League, sezonin që vjen.

Kukësi

Kukësi gjatë përgatitores së dimrit, ka ndryshuar rrënjësisht, falë trajnerit austriak, Peter Pacult. Pas dy fitoreve në dy miqësoret e kaluara, Kukësi barazoi 2-2 me Fenerbahçen, një prej ekipeve elitare të Turqisë, madje ishte 2-0 në avantazh, gjatë pjesës së parë.  Pas gjeorgjianit Dzaria, Filip Zderiç është prezantuar si blerja e dytë e kampionëve në fuqi, por më tepër se pritshmëritë nga dy lojtarët, Kukësi po i gëzohet trajnerit austriak me përvojë, nga i cili pret të rikthehet si rival i Skënderbeut, e të fitojë një nga dy trofetë e këtij sezoni. Në kupë, Kukësit i duhet të rivalizojë fort me Partizanin, por edhe me Flamurtarin, pa llogaritur Skënderbeun që shihet më pranë titullit.

Flamurtari

Pas disa përforcime në dhjetor dhe me disa të rinj të talentuar që seleksionoi nga ekipi U-19 i Flamurtarit, trajneri Shpëtim Duro, ka luksin të kërkojë diçka më tepër në pjesën e dytë të garës. Flamurtari, jashtë pritshmërive, mban aktualisht vendin e dytë, por objektiv mbetet të ruajë të paktën këto pozita, nisur nga fakti se e pret një garë edhe më e ashpër me Partizanin e Kukësin.

Tirana

Përforcimi i bujshëm, pritet kapiteni i klubit kenian

Ndonëse kryeson bindshëm grupin në Kategorinë e Parë, për rikthimin në elitën e futbollit, Tirana duket se nuk ka hequr dorë nga merkato. Mësohet se është arritur akordi përfundimtar me ekipin kenian, Gor Mahia, teksa nga ky klub i është dhënë leje kapitenit, Musa Mohammed, për t’u bashkuar me bardheblutë ditët e ardhshme. Tirana arriti, në fillim të janarit, akord edhe me Muguna, një tjetër talent i Gor Mahia, por ky i fundit u bllokua, duke qenë se ishte ende në kontratë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: