Pier Noshi: Kitara ime, një e dashur xheloze!

Pier Noshi: Kitara ime, një e dashur xheloze!
Nuk ka hyrë rastësisht në muzikë, ka studiuar për të, e kështu, ka rrjedhur natyrshëm që ta ketë pasionin e jetës. Pier Noshi, me band-in e tij ose vetëm, i ka dhënë një vizion të ri muzikës shqiptare, sepse, me dashje e me punë, ka risjellë një aset kulturor që do të mbetet, me dhjetëra këngë nga fondi i ekselencës së muzikës shqiptare, të rivizatuara në format “acoustic”, pra të kënduara prej tij e të shoqëruara nga kitara e tij e dashur. Një djalë i ri, që këndon si në kompeticione televizive të këngës, edhe në jetën e natës në Shqipëri e gjetkë, pa harruar kapelën e zezë dhe humorin e zgjuar që e karakterizon. Vjen në një intervistë ekskluzive për Albanian Free Press

Artisti që ka të pandryshuar një dëshirë, të eksperimentojë me muzikën, në të gjitha drejtimet, pra do të shohim ende shumë prej tij.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si u bë Pier Noshi këngëtar?

 

Që në fëmijërinë e hershme kam pasur një lidhje shumë të madhe me tingullin, muzikën dhe artin, për ta përforcuar më tej dëshirën dhe intuitën time, unë ndoqa studimet në Liceun “Jordan Misja” dhe Akademinë e Arteve për kitarë. Të kënduarit erdhi shumë natyrshëm tek unë, me shumë punë, studim dhe pasion, mbi të gjitha.

 

Në rrjetet sociale shkruan “Unë zhvesh këngë.” Më jep një shpjegim më të gjerë të kësaj…

 

Stili që unë kryesisht luaj dhe këndoj është “Acoustic”. Të këndosh një këngë vetëm me një kitarë dhe zërin sipër saj, unë e krahasoj si të zhveshur. Pra kënga nuk ka instrumente të tjera në strukturë dhe të gjitha linjat që ajo ka, i luan kitara.

 

Sa e ndryshon muzika e mirë këtë vend?

 

Muzika lidhet shumë me gjendjen shpirtërore të njeriut. Tekstet dhe muzika e mirë kanë të bëjnë shumë. Se sa muzika e mirë mund të ndryshojë një vend, un këtë nuk mund ta them saktësisht por jam i mendimit që duhet marrë shumë parasysh dhe t’i jepet rëndësi.

 

Ka publik të kultivuar ambienti i natës në Shqipëri? Sa i madh është ai?

 

Ka njerëz që vërtetë e duan muzikën live dhe  e ndjekin në çdo qytet që këndoj, përherë i gjej plot me njerëz që i njohin shumë këngët e mira.

 

 

Si është lidhja jote me kitarën? Një mik?

 

Kitara është një e dashur shume xheloze, hahaha.

 

Çfarë të kanë sjellë pjesëmarrjet në eventet e muzikës, p.sh në Top Fest? Ke pasur emocione?

 

Më kanë sjellë eksperiencën tek pjesa e krijimtarisë. Emocionet i kam patur në fillimet e mia dhe në daljet e para në skenë.

 

Sa reale janë kompeticionet kanore në Shqipëri? Fitojnë vërtetë më të mirët?

 

Mendoj që ne nuk kemi kompeticione aq sa duhet. Të mendosh se sa artistë janë në këtë vend të vogël, dy kompeticione janë shume pak për të thënë. Sa reale janë nuk di ta them me siguri, sepse si çdo artist, kam dhe unë dyshimet e mia.

Kë vlerëson ti si “muzikë e mirë”?

 

Unë si muzikë të mirë vlerësoj, së pari, poezinë e mirë, mesazhin që sjell një këngë. Vlerën vokale dhe instrumentale.

 

Përpara disa muajsh ti solle në versionin cover mbi 25 këngë shqiptare. Si u prit nga publiku një iniciativë e tillë?

 

Deri tani janë bërë pothuajse 80 këngë shqiptare në versionin akustik. E nisa si një eksperiment me veten time. Në fillim pati shumë reagime të mira dhe vendosa ta çoj më tej. Nga komentet dhe mesazhet e shumta mendoj që ka pasur sukses, si iniciativë.

 

Të risjellësh këngët më të dashura, në version të ri, tregon se je pak old fashion si karakter?

 

Unë jam Old and New, në karakter. Shumë nga këngët e vjetra kanë shumë vlera dhe në një farë mënyrë i risolla ato për t’i rifreskuar pak. Ato këngë nuk kishin një version akustik dhe mendova të jem unë i pari që t’i risjell në një formë të tillë. Këngët vërtetë janë Old, por stili fingerpicking në kitarë është shumë New.

Ti këndon live në klubet e Tiranës dhe jo vetëm. Tipologjia e muzikës që ti bën, ka shumë ndjekës?

 

Unë performoj çdo javë dhe muzika që bëj unë ka ndjekës shumë të mirë nga të gjitha grupmoshat.

 

Kanë edhe humor këngët e tua, herë herë edhe sarkazëm. Bën pjesë e zgjedhjes tënde kjo?

 

Patjetër që po. Muzikën mund të përdorësh shumë mirë për t’u shprehur. Mundohem që me muzikën time, unë të prek pak dhe problematika sociale dhe kulturore.

 

Sa të pëlqen të eksperimentosh me muzikën?

 

Pafund! Nuk i kam vënë kurrë vetes korniza në muzikë. Dhe për këtë jam diskutuar shumë në fakt, për mos qëndrimin në një lloj zhanri muzikor. Mos u habisni kur të më shikoni duke kënduar edhe Hip-Hop me kitarë ndonjëherë.

Me këtë jetë të vrullshme që bën, ke kohë të çlodhesh?

 

Shumë pak kohë kam, por dhe atë pak kohë mundohem t’ia kushtoj familjes.

 

Cilat janë planet për të ardhmen tënde në muzikë? Ke ndonjë ide që sapo ka lindur?

 

Momentalisht jam në një periudhë shumë kreative. Shumë shpejt do të sjell një këngë timen.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: