POLICIA PA HAKI ÇAKON – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

POLICIA PA HAKI ÇAKON – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

As Albert Kamy e as Milan Kundera nuk e ndihmuan të shtunën, Edi Ramën për të ngritur  moralin, gjatë fjalës në 105-vjetorin e Policisë, teksa përmendi citate nga romanet e tyre, duke përsëritur: “Nuk e kam thënë unë, e kanë thënë ata”. Edi Ramën nuk e ndihmoi dot, as shifra 40 milionë euro sekuestro sipas tij, ndaj personave të lidhur me krimin. Edi Ramën nuk e ndihmoi dot, as shifra 900 tonë  kanabis të trafikuar sipas tij, nga krahina autonome e drogës Lazarati, deri në vitin 2013. Në pritje të emërimit të drejtorit të 16-të, pas rrëzimit të sistemit komunist, dhe të tretin që nga ardhja e tij në pushtet, Policia e Shtetit nuk është ajo që Rama deklaroi në këtë 105 - vjetor. Mbi supe, mban një nga skandalet më të mëdha ndër vite, ku një grup i strukturuar kriminal, rezultoi se ka qenë i lidhur kokë e këmbë me policinë dhe sado që shefi i qeverisë tentoi ta anashkalonte, mos përmendja e rëndoi edhe më tepër situatën. Janë 4 shifra që Edi Ramën nuk e ndihmojnë dot, - as atë dhe as drejtimin e policisë - që, edhe këto shifra në fakt, nuk i ka thënë Rama, por agjencitë e sigurisë vendase dhe të huaja:

  1. Janë 2 mijë plantacione të mbjella me kanabis, gjatë vitit 2016;
  2. Janë 8 milionë rrënjë kanabis të mbjella, gjatë vitit 2016;
  3. Janë 21 tonë farë kanabis të futur në Shqipëri, gjatë vitit 2016;
  4. Janë 650 milionë euro e ardhur nga trafiku i drogës, në vitin 2016.

Se si i përgjigjet Rama këtyre shifrave shumë kokëforte, vetëm ai e di! Megjithatë, gjatë fjalës së tij, ai vazhdoi me refrenin se kritikat ishin të pabazuara. Por, për të mos qenë tendenciozë, por të saktë, mbi të gjitha për ta mbështetur Policinë, vetëm në një pikë kryeministri kishte të drejtë. Me 50 vrasje të ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 2017, shënohet rekordi i 27 viteve, sa i takon numrit më të ulët të vrasjeve në vit. Padyshim, këtu policia meriton një bravo të madhe!

Por, përsëri kryeministri gaboi. Edhe këtë krahasim e bëri me vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, a thua se ka dy Shqipëri, - një Shqipëri e Partisë Socialiste me Edi Ramën dhe një Shqipëri e Partisë Demokratike me Sali Berishën. Ka 5 vjet që qeveris dhe përsëri vazhdon të krahasojë shifrat e veta me 2013-ën, që i ngjan krahasimeve që bënte komunizmi i Enver Hoxhës, me shifrat e vitit 1938, të mbretërisë së Ahmet Zogut.

Për të kuptuar piruetën e të shtunës me policinë, po japim, fjalë për fjalë, atë që Rama deklaroi për situatën në Polici, natyrisht në formën e tij:

“Në vitin 2017, vendi mbylli një plagë të thellë e cila pati infeksionet që ne njohim. Sot më 2018, ne nuk kemi as Lazarat dhe as lazaratas të shpërndarë në trupin e saj. Vjet, policia hoqi nga duart e organizatave kriminale, mbi 40 mln euro pasuri, ndërkohë që 4 vite më parë, kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro”.

“Në 2017, garantoi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e statistikave pas ’90. Ndodhën vetëm 50 vrasje, nuk është shifër shumë e ulët, por minimumi historik dhe më shumë se gjysma e 107 vrasjeve të vitit 2013 dhe 126 të vitit 2012; një shifër më e ulët se shifra e një vendi të BE-së, ku flitet shumë për krimin shqiptar”.

“Kush punon edhe gabon, dallimin e bën një gjë: vetëdija për gabimet, eksperienca nga humbjet dhe vendosmëria për të mos përsëritur të njëjtat gabime dhe për të mos humbur për të njëjtat arsye”.

Shumë herë më realist se Rama, ishte ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa. Në fjalën e tij kishte realizëm teksa dënoi publikisht ndikimin politik dhe përdorimin e saj në këto 27 vjet, duke mos bërë asnjë përjashtim; pra, as Partinë Socialiste.

“E gjithë historia e këtyre 27 viteve, ka treguar qartësisht se ndikimi, apo më keq akoma, përdorimi politik i Policisë ka qenë një dështim i madh politik, i vetë atyre që e kanë tentuar këtë sipërmarrje. Ne e dimë shumë mirë këtë mësim të historisë”.

“Policia e Shtetit është e Shtetit, dhe jo e ministrit të radhës. Ndaj dua të ftoj qytetarët, të mbështesin fort Policinë e Shtetit, sepse ajo është e qytetarëve dhe vetëm në shërbim të tyre!”

“Procesi i vetingut do reformojë policinë, duke synuar të promovojë më të ndershmit”.

Nisur jo vetëm nga “përplasja” e fjalimeve të kryeministrit me atë të ministrit të Brendshëm, por edhe me atë që jemi të informuar, që nga shpërthimi i skandalit të ministrit Saimir Tahiri, Policia është gjendet në një situatë të çoroditur. Kishte një drejtor policie të cilit i ishin shkarkuar ministri dhe 9 drejtorë qarqesh, për inkriminim me grupe të akuzuara për trafik droge. Ky është skandali më i madh i ndodhur në polici, këto 27 vjet. Ndërsa, “arratisja” e tre drejtuesve të tjerë të Policisë, nga prangat e prokurorisë, është një rast i paprecedentë. Tani nuk është në detyrë as drejtori i përgjithshëm dhe në kupolën e policisë, shumica e drejtuesve, kanë frikë se mos kanë bërë gabim. Ndodhur në këtë situatë, policia ka vetëm një mundësi për tu ringritur, larg patetizmave politikë dhe mburrjeve që shkaktojnë humor të pavetëdijshëm.

  1. Emërimi urgjent i një drejtori policie, i mbështetur vetëm mbi ligj. Ministri Xhafa duhet të tregojë se, ai nuk është ministër që do drejtorin e vet, siç kanë bërë pothuajse të gjithë paraardhësit. Ai duhet të përzgjedhë një drejtor policie, që plotëson kriteret e ligjit, pa bërë asnjë manovrim. Dhe kësaj duhet t’i shtojë një cilësi shumë të rëndësishme, që ky drejtor policie të jetë i pa përfolur në lidhje me korrupsionin apo me krimin. Emri i tij nuk duhet të lidhet me emrin e policisë, por me funksionimin e strukturave dhe zbatimin e ligjit, në mënyrë që politikanëve të mos u japë mundësinë të thotë policia e Çakos, policia e Didit, apo policia e drejtorit të radhës. Vetëm kështu do të kthehet besimi se, jo vetëm vetingu në polici, por e gjithë platforma e një policie europiane, është mbështetur vetëm në ligj dhe ndershmëri.

  1. Lufta ndaj kanabisit, nuk do të thotë se meqenëse nuk ka kanabis të mbjellë, nuk ka më fenomen. Shqipëria u helmua gjatë vitit 2015 dhe 2016, në atë formë sa do të duhen vite e dekada të çrrënjoset ky helm. Në këto 27 vjet, Shqipëria mban mbi shpinë dy gunga: E para trazirat e marsit 1997, dhe e dyta kanabizimi i vendit, në vitet 2015-2016. Gunga e parë ende nuk është hequr nga memoria. Dhe për të dytën, do të duhen shumë e shumë vite, për ta hequr. Prandaj, i takon policisë të bëjë luftë frontale, ndaj këtij fenomeni, për të eliminuar sa më shumë, jo vetëm gungën, por edhe imazhin negativ të vendit.

  1. Policia të riorganizohet mbi bazën e strukturave të policisë. Në vitin 2014, ne kishim një organizim total të ri të policisë. U krijua një strukturë e re, mbi bazën e të cilës policia ishte një. Por më shumë se kaq, organizimin e atyre që u quajtën inspektorët e zonave, ishte më i thelli. Aktualisht, kjo mënyrë ka dështuar. Reformimi dhe ri strukturimi duhet të jetë një detyrë e re e policisë, në mënyrë që ajo të jetë më efikase.

  1. Policia duhet të rikthejë në detyrë, të gjithë ata oficerë policie të ndershëm, që u hoqën me një të rënë të lapsit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që, 1200 oficerë policie të hiqen nga puna brenda disa muajve. Dikush mund të thotë se, në Parlament është miratuar një ligj që e pengon rikthimin e tyre. Por na duhet të themi se, në këtë vend që është ndryshuar kushtetuta brenda natës, nuk është fare problem të ndryshohet një ligj i tillë. Do ishte në nderin e kësaj policie dhe shumicës parlamentare, ta ndryshonte këtë ligj dhe të vinte në vend një të drejtë të mohuar, radhës së atyre policëve që u larguan na detyra dhe organizata e policisë.

  1. Procesi i vetingut të bëhet me ndershmëri dhe pa asnjë ndikim politik. Është një proces që ka shumë pritshmëri. Madje mund të thuhet se, ai do jetë çelësi i të ardhmes së policisë. Nëse vettingu në Polici do të ketë sukses, atëherë kjo do të shënojë një erë të re për të. Mbi të gjitha, do të rikthejë besimin se, ndershmëria dhe zbatimi i ligjit, triumfojnë

Vetëm nëse realizohen këto pesë detyrime, në polici do të rikthehet besimi dhe do të triumfojë shteti ligjor. Dhe vetëm pasi të vendoset kjo, kryeministri mund ta krahasojë Policinë tonë me atë franceze dhe të përmendë citate nga Kamy apo Kundera, që dikur shkruan disa fjalë të mira për policinë. Atëherë dhe vetëm atëherë, Rama do të ketë të drejtë.

DREJTORËT E POLICISË SË SHTETIT, NGA VITIT 1990 DERI MË SOT

  1. Fadil Canaj, 17 korrik 1990 -1 maj 1992;
  2. Astrit Mehaj, 1 maj 1992 - 22 qershor 1993;
  3. Sabri Jacaj, 22 qershor 1993 - 15 qershor 1995;
  4. Agim Shehu, 15 qershor 1995 - 30 qershor 1997;
  5. Sokol Bare, 3 korrik 1997 - 16 maj 1998;
  6. Besnik Bregu, 16 maj 1998 - 4 shtator 1998;
  7. Hasan Ahmetaj, 4 shtator 1998 - 9 nëntor 1998;
  8. Veton Gjoliku, 9 nëntor 1998 - 20 janar 1999;
  9. Veli Myftari, 20 janar 1999 - 22 nëntor 2000;
  10. Bilbil Mema, 23 nëntor 2000 -19 gusht 2002;
  11. Bajram Ibraj, 12 shtator 2002 - 30 mars 2007;
  12. Ahmet Prençi, 30 mars 2007 - 28 tetor 2009;
  13. Hysni Burgaj, 28 tetor 2009 - 9 tetor 2013;
  14. Artan Didi, 9 tetor 2013 - 15 prill 2015;
  15. Haki Çako, 15 prill 2015 - 8 janar 2018.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: