Problemet në zemër, kur një pacient duhet të operohet dhe çfarë duhet të dijë  

Problemet në zemër, kur një pacient duhet të operohet dhe çfarë duhet të dijë  
Prof. Arben Baboçi, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, tregon se cilat janë ndërhyrjet, më të shpeshta, që kryhen nga ekipi i mjekëve të këtij pavijoni. Sipas tij, pacientët e operuar duhet të jenë  të kujdesshëm. Ndërhyrjet në zemër, nga njëra anë shtojnë jetëgjatësinë e të sëmurit, nga ana tjetër përmirësojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së tij. Një pjesë e të sëmurëve, duke u ndjerë mirë pas operacionit, neglizhojnë kujdesin që duhet të tregojnë ndaj vetes

Sonila Isaku

Rreth 750 persona çdo vit, kanë nevojë t’i nënshtrohen operacioneve në zemër, për shkak të problematikave të ndryshme. Por, sa e rëndësishme është faza paraoperatore, këshillat që duhen ndjekur pas operacionit, prof. Arben Baboçi jep këshillat e nevojshme për këtë kategori pacientësh. Sipas tij, në shërbimin e kardiokirurgjisë kryhen të gjitha llojet e operacioneve në zemër, me ndonjë përjashtim të rrallë, si dhe çdo urgjencë kardiokirurgjikale, sado e ndërlikuar qoftë. Prej disa kohësh, ky aktivitet ka ardhur në rritje, duke kapur, vitet e fundit, shifrën e rreth 750 operacioneve çdo vit, me një vdekshmëri spitalore shumë të ulët, aktualisht 0,6 - 0.7%.

Ndërhyrjet

Kur një ekip rrit ndjeshëm numrin e ndërhyrjeve dhe plotëson rutinën e aktivitetit me një cilësi të lartë, natyrshëm kërkon, më pas, të zgjerojë gamën e operacioneve të nevojshme dhe të zhvillojë nënspecialitetet. Me këtë trend po punohet edhe tek ne, për disa projekte si ai i kirurgjisë së aortës, i kirugjisë miniinvazive valvulare dhe në fëmijët, i ablacionit kirurgjikal në çrregullimet e ritmit, i ultrafiltracionit në sallë e në reanimacion, i përdorimit të qelizave staminale, implantimi i valvulave pa sutura etj. Rezultat i tyre kanë qenë edhe disa modifikime të teknikave të veçanta kirurgjikale, të propozuara nga ne dhe të pranuara ndërkombëtarisht. Kjo punë voluminoze, është ndjekur natyrshëm edhe nga një aktivitet i gjerë shkencor brenda e jashtë vendit, i reflektuar në një numër të madh artikujsh e referimesh shkencore.

Ndërhyrjet më të shpeshta

Ndërhyrjet më të shpeshta, sigurisht, janë ato që kryhen mbi sëmundjet më të shpeshta të zemrës. Sot, në plan të parë, është sëmundja ishemike e zemrës, pra, ajo që shkakton infarktin e miokardit, për pasojë edhe ndërhyrjet, më të shumta, janë ato të by-pass aortokoronar. Më pas, vjen kirurgjia valvulare dhe ajo e sëmundjeve të lindura të zemrës tek fëmijët.

Ndërhyrjet  më të ndërlikuara?

Një sërë sëmundjesh të zemrës, kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale mjaft të ndërlikuara si dhe pajisje dhe procedura të veçanta. Të tilla janë ndërhyrjet urgjente në disekimin e aortës, në kirurgjinë miniinvazive valvulare, disa tumore të zemrës, në një pjesë të rindërhyrjeve tek ata që operohen për herë të dytë apo të tretë etj. Ndërsa tek fëmijët, mund të përmend mjaft ndërhyrje të ndërlikuara në moshë fare të vogël, në rastet me keqformime komplekse, si transpozicioni i enëve të mëdha të gjakut, kanali AV i plotë, tetralogjia e Fallot etj. Duhet vënë në dukje që, të gjitha ndërhyrjet në zemër, ca më shumë e ca më pak, janë të ndërlikuara, për vetë procedurat komplekse. Çelësi i suksesit qëndron në punën e përbashkët të të gjitha hallkave të ekipit, kirurg-anestezist-reanimator-kardiolog dhe personel i mesëm.

Ndërhyrjet te fëmijët

Stafi i kardiokirurgjisë dhe operacionet që ata kryejnë, mund ta rendisin punën e tyre, jo duke u krahasuar me fqinjët, por edhe me shumë nga qendrat e vendeve më të zhvilluara. Nuk janë të shumta qendrat kardiokirurgjikale, që kanë një volum të tillë pune dhe rezultate si ato që përmenda më lart. Për më tepër, në rajonin tonë, jemi e vetmja qendër që realizon ndërhyrjet në sëmundjet e lindura të zemrës tek fëmijët. Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, nuk i mbulojnë vetë këto ndërhyrje. Jemi qendër e cila ka realizuar hapjen e qendrave të tjera të kardiokirurgjisë, sikurse rasti i Qendrës Universitare të Kosovës. Gjithashtu, jemi i vetmi shërbim në QSUT, i cili ka një memorandum bashkëpunimi për trajnimin e specializantëve të kardiokirurgjisë, me një Universitet të Komunitetit Europian, në rastin konkret me Universitetin e Padovës në Itali.

Ç’duhet të përmirësohet në sistem

Nisur nga kërkesat e larta për shërbim, në qendrën tonë është e pashmangshme ekzistenca e një liste pritjeje për të sëmurët. Shkurtimi i kohës së pritjes, do të ishte një arritje e rëndësishme në përmirësimin e shërbimit. Kjo mund të realizohet duke shfrytëzuar plotësisht kapacitetin e strukturës sonë, nëpërmjet shtimit të buxhetit nga njëra anë, dhe shtimit të personelit nga ana tjetër, shoqëruar edhe me një ndërhyrje për restaurimin e strukturës. Kështu mund të arrihet në kryerjen e 1000 operacioneve në vit. Thellimi i bashkëpunimit dhe i funksionimit si një unitet, me shërbimet e kardiologjisë dhe të kardiopediatrisë. Edukimi në vazhdim i personelit është, padyshim, një element tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit dhe rritjen e cilësisë. Faktor tjetër, mjaft ndikues, mbetet edhe motivimi më i mirë i personelit mjekësor, duke shfrytëzuar paketat e ofruara nga FSDKSH-ja.

Operacioni

Operacioni i zemrës është një ndër ndërhyrjet kirurgjike më të ndërlikuara. Kohëzgjatja varet nga gjendja e pacientit dhe ndërlikimi i operacionit. Për këtë arsye është e vështirë të përcaktohet kohëzgjatja e ndërhyrjes.  Mesatarisht, kohëzgjatja e ndërhyrjes kirurgjikale, zgjat 4-5 orë. Pacienti zgjohet pas disa orësh, nga momenti i kryerjes së operacionit. Shumica e pacientëve janë në gjendje që në ditën e ardhshme, të marrin frymë në mënyrë të pavarur. Qëndrimi në kujdesin intensiv (reanimacion) zgjat 24 - 48 orë. Në rastet më të rënda, qëndrimi në reanimacion mund të vazhdojë deri në momentin kur gjendja e pacientit të stabilizohet plotësisht. Zakonisht, pas qëndrimit në spital prej  5-7 ditësh, pacienti mund kthehet në shtëpi.

Këshilla

Ndërhyrjet në zemër, nga njëra anë shtojnë jetëgjatësinë e të sëmurit dhe nga ana tjetër përmirësojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së tij. Një pjesë e të sëmurëve, duke u ndjerë mirë pas operacionit, neglizhojnë kujdesin që duhet të tregojnë ndaj vetes. Harrojnë që nga kjo, sëmundja mund të përsëritet apo të ndërlikohet ajo që është bërë më parë. Për këto arsye, rekomandohet ndjekja e rregullt dhe periodike e tyre nga mjekët kardiologë, marrja e saktë e mjekimit të përshkruar, një mënyrë jetese e shëndetshme, ku përfshihet dieta e përshtatshme dhe aktiviteti fizik i rekomanduar. Vetëm kështu mund të shmangen surprizat e pakëndshme

Shpërndajeni me miqtë tuaj: