“Programi 1 miliard euro: Jo çdo gjë që investohet është gogol”

“Programi 1 miliard euro: Jo çdo gjë që investohet është gogol”
INTERVISTA/ Flet deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Ervin Bushati: “Nuk duhet t`i shohim me kaq dyshim investimet që bëhen”

Ekonomia shqiptare vijon të jetë mjaft e shëndetshme, madje s’ka qenë asnjëherë më parë më e shëndetshme se sot. Ajo jo vetëm që është më mire se katër vite më parë, por madje edhe më mirë se një vit më parë. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, deputeti i Partisë Socialiste , Ervin Bushati, teksa komenton projeksionin për ecurinë ekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2018. Duke e vënë theksin sidomos tek reforma në drejtësi, pasi sipas tij, “funksionimi i ligjit në mënyrë të saktë ka ndikim te drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit”. Ndërsa ngarkesën e re fiskale që ka nisur në fillim të këtij viti ai nuk e quan aspak një rritje taksash, porse një formalizim të tregut...

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Z. Bushati, cili është në këndvështrimin tuaj projeksioni për ecurinë ekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2018?

Ekonomia shqiptare vijon të jetë mjaft e shëndetshme, madje s’ka qenë asnjëherë më parë më e shëndetshme se sot. Sot ekonomia është më mirë se katër vite më parë, madje edhe më mirë se një vit më parë. Ne parashikojmë që papunësia të shkojë drejt rënies, edhe pse statistikat tregojnë për një trend pozitiv të paparë më parë në Shqipëri. Sot me bindje them se ekonomia është rritur, sot defiçiti buxhetor është 2-3 herë më i vogël nga ai që ka qenë dhe kjo na jep mundësi që ne të ulim borxhin kombëtar. Por ajo që dua të riktheksoj edhe njëherë është reforma në drejtësi. E ritheksoj sepse funksionimi i ligjit në mënyrë të saktë ka ndikim te drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Nuk do ketë më shmangie, nuk do ketë më evazion fiskal, do mblidhen më shumë të ardhura nga tatimet, qytetarët do shpenzojnë më shumë në treg, investitorët do të investojnë më shumë, sidomos bizneset shqiptare, kur e dinë që nesër do të ketë një sistem ligjor i cili i mbron bizneset dhe jo vetëm. Duke e patur më të sigurtë të nesërmen, do funksionojë shumë më mirë ekonomia. Parashikohet që rritja ekonomike të jetë 4%. Dhe e besoj plotësisht këtë gjë, sepse është një rritje e bazuar nga njëra anë te rritja e të ardhurave dhe nga ana tjetër, tek mundësia për investime, ato në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe bujqësi, që janë edhe sektorët më kryesorë që kanë nevojë për ndërhyrje. Reformat e ndërmarra deri tani dhe reformat që pritet të vihen në zbatim do të bëjnë të mundur këtë, kjo pasi janë reformat të vetmet realitete që e ndryshojnë fytyrën e vendit.

Një taksë e re prone, biznese të vogla që tashmë janë futur në skemën e TVSH-së, etj. A mendoni se ky “realitet” i ri fiskal i këtij viti, do të ndikojë në situatën e tyre financiare përgjatë tij?

Opozitës ose juve, ju pëlqen t`i quani rritje taksash, ndërsa unë do ta cilësoja formalizim të tregut. Ne kemi hequr tatim- fitimin për bizneset e vogla, sot që flasim është zero, është ulur në maksimum për 95% të njerëzve që paguajnë. Unë e kam shpjeguar edhe herë të tjera këtë taksë, e cila u hiperbolizua nga opozita me qëllim trembjen e bizneseve. Por po e sqaroj edhe njëherë, që shtrirja e TVSH-së nuk sjell rritje të kostos, por rritje kostoje sjell vetëm aty ku ka pasur informalitet. Aty ku ka formalitet, nuk ka asnjë rritje kostoje, përkundrazi, shkon në favor të konsumatorit dhe qytetarit të zakonshëm. Kurse taksa e pronës do të jetë një taksë simbolike bazuar mbi vlerën e tregut, e cila do të formalizojë të ardhurat për pushtetin vendor. Kjo lloj takse që ju e cilësoni si diçka më shumë nga xhepat e qytetarëve, nuk sjell rritje taksash për qytetarët, por përkundrazi kjo është një lloj drejtësie që u bëhet atyre, pasi më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë, që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha. Kjo nuk është diçka e habitshme, pasi kudo në botë paguhet taksa e pronës dhe është mëse normale. Këtë lloj takse e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu ka propozuar që edhe për tokat bujqësore të paguhet një taksë prej 21 euro në vit, apo 1.1% e të ardhurave minimale vjetore të fermerit. Besoj se kjo është një shumë simbolike, e cila është një detyrim moral dhe shoqëror për t`u paguar, ndaj mos spekuloni me terma të pavërtetë, ose mos u nxisni nga ato deklarata të opozitës e cila nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të alarmojë qytetarët me ‘fake neës’. Unë do të them vetëm një fakt, nëse qytetarët sdo të kishin besim në ekonominë e vendit dhe do të ishin pesimist për shkak të taksave të larta siç thoni ju, atëherë pse rezultojnë rreth 30 mijë biznese të reja të regjistruara? Këtë përgjigje po ua lë juve.

Si e parashikoni ecurinë e investimeve të huaja direkte për vendin tonë gjatë këtij viti, tani që kanë përfunduar edhe ato rreth gazsjellësit TAp apo HEC-it të Devollit? A keni pritshmëri për rritjen e tyre dhe ku bazoheni për këtë?

Ne si mazhorancë i kemi bërë të gjitha detyrat në konceptet ekonomike se çfarë duhet bërë. Reformat strukturore, parametrat makroekonomikë janë mbajtur shumë mirë dhe rezultatet janë dhënë. Defiçiti është shumë i ulët, borxhi është nën kontroll, reformat strukturore janë shumë të thella, reformat në financat publike dhe ajo më e rëndësishmja, reforma në drejtësi. Them më kryesorja, pasi në momentin që ekziston një shtet demokratik, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, ku ekonomia funksionon më mirë, patjetër që investimet e huaja do të rriten. Ne jemi të vendosur që biznesi të ketë vëmendjen që i takon. Në projektet tona, biznesi ka patur përparësi dhe shumë projektligje janë hartuar në ndihmë të biznesit.

Viti 2018 shënon edhe nisjen e vënies në zbatim të programit qeveritar “1 Miliard euro për ndërtim”. A mendoni se ai do të ndikojë në rritjen e borxhit, teksa edhe vetë institucionet ndërkombëtare e kanë paralajmëruar qeverinë rreth kësaj?

Ky programi “1 Miliardë” duket se po fryhet aq shumë saqë më duket se në çdo intervistë po përsërit veten. Atëherë, edhe njëherë për të gjithë ata që e kanë merak këtë projektin “1 Miliard”. Ky program është një ftesë për sipërmarrjen dhe bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizmin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh, duke garantuar nga pikëpamja financiare, financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit me një shtrirje të arsyeshme në vite. Ky program fokusohet në tre sektorë të rëndësishëm siç janë shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, tre fusha ku asnjëherë nuk mjafton investimi. Ky projekt, përveçse bën të mundur që vendi të përfitojë 1 miliard euro investime, garanton po ashtu që të mos të kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit. Theksoj edhe njëherë se ky program nuk do të ndikojë aspak në ndryshimin e parametrave ekonomik të vendit, por përkundrazi do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e punësimit në vend. Jo çdo gjë që investohet është gogol, sepse gogol e ka bërë opozita, por jo gjithnjë duhet të dëgjoni opozitën. Nuk duhet t`i shohim me kaq dyshim investimet që bëhen. Të ftosh bizneset të investojnë në Shqipëri qoftë ato të huaja apo shqiptare në çdo lloj formati bashkëpunimi, nuk më duket aspak e fshehtë apo jo transparente. Formati si do zgjidhen, apo si do të negociohet nëpërmjet të gjithë aktorëve në treg, për mua nuk është problem për sa kohë ka rregulla të qarta loje, ka një sistem dhe një shtet ligjor që është mbi politikën dhe stabiliteti politik që gjithmonë e më shumë po kthehet në një faktor pozitiv.

INTEGRIMI

“BE - sfida të mëdha, por edhe hapa të mëdha”

Jo vetëm mbështetja politike, por edhe sinjalet ashtu si në ekonomi janë pozitive, ashtu dhe të partnerëve ndërkombëtarë janë shumë pozitive. Unë di të them se Shqipëria ka ndërmarrë një reformë shumë pozitive sa i përket sundimit të ligjit dhe reformës kushtetuese, për të pasur më në fund ligj në Shqipëri dhe zgjedhjet kanë qenë transparemte, të lira dhe të ndershme. Kuptohet, jo çdo gjë është fushë me lule, sepse probleme ka kudo në çdo cep të botës, por që gjithmonë janë drejt përmirësimit. Jo vetëm nga ana politike, por edhe në pikëpamjen ekonomike kemi investime dhe Shqipëria shumë shpejt me pak fat ndoshta, do ta marrë këtë vit ftesën për BE. Ekonomia është shumë e rëndësishme, por është reforma në drejtësi ajo që jo vetëm çliron ekonominë dhe e lejon të rritet me potencialin e saj të vërtetë, e cila deri më sot ka qenë e kapur dhe nuk ka funksionuar ashtu siç duhet të funksionojë një shtet demokratik. Reforma në drejtësi po ecën shumë mirë dhe ka qenë kërkesa kryesore e BE-së për të qenë sa më pranë tij, ndaj jam besimplotë që dita për të qenë sa më pranë Bashkimit Europian është afër. Shqipëria është Europë. Europa ka probleme, jo vetëm Europa Lindore, apo ato vende me demokraci të brishtë si e jona që po lufton për t`u bërë pjesë e kësaj familje. Nuk ka një Europë Lindore dhe një Europë Perëndimore: ka vetëm 1 Europë. Përderisa kemi probleme të përbashkëta, duhet të kërkojmë edhe zgjidhje të përbashkëta, kur jemi partnerë në luftë, duhet të jemi edhe në paqe. Ne kemi sfida të mëdha, edhe kemi bërë hapa të mëdha. Duhet bërë edukimi i brezave të rinj, politika duhet të ndryshojë e të përmirësojë sistemin arsimor. Ne kemi lëvizur shpejt, por duhet të lëvizim akoma më shpejt.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: