PROTESTA DHE PALLATI – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

PROTESTA DHE PALLATI – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vendimi i gjykatës së Strasburgut, për dëmshpërblimin e pronarëve të apartamenteve të prishura nga qeveria Rama, në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ishte një lajm i keq për Lulzim Bashën. Bash në kohën kur ai po mobilizon përkrahësit e PD-së për protestën e 27 janarit, mediat po gëlojnë nga titujt e tipit: "Vjehrri i Bashës, do të marrë 13 milionë euro nga qeveria".

Pavarësisht se 13 milionë eurot e dëmshpërblimit, do t'i marrin pronarët e apartamenteve të prishura, dhe pavarësisht se vjehrri i Bashës kishte qenë vetëm një nga ortakët e firmës që i shiti ato apartamente (ai kishte ortakë, ndoshta, edhe më të rëndësishëm), në media dhe në publik ka ngjitur ideja se, ai pallat ishte pronë e vjehrrit të Bashës.

Dhe kur Basha po bën thirrje, qytet më qytet, që shqiptarët e thjeshtë të vijnë në Tiranë, për të protestuar kundër qeverisë Rama, ideja se vjehrri i Bashës do të marrë 13 milionë euro, bash nga kjo qeveri, nuk është frymëzuese. Për më tepër, mediat po u rikujtojnë shqiptarëve të thjeshtë, historinë e dyshimtë të ndërtimit të atij pallati brenda në det, si dhe faktin se Rama, vetëm pak ditë pas takimit të tij me Bashën më 18 maj, pranoi të paguante për atë pallat, plot 11 milionë euro (vetëm dy më pak se sa e caktoi dëmshpërblimin gjykata e Strasburgut).

Nga ana e saj, kjo historia e pallatit të Ujit të Ftohtë në Vlorë, po u rikujton shqiptarëve të thjeshtë, pyetjen që Rama i bëri Bashës në Kuvendin e Shqipërisë, rreth oligarkëve të favorizuar nga qeveria. Ai pyeti me emër, për secilin prej tyre, duke theksuar se secili nga ata, kishte qenë një përkrahës dhe sponsorizues i PD-së. Mesazhi ishte i qartë – kur vjen puna te biznesi, të gjitha partitë menderosin në të njëjtin oturak ...

Në një situatë të tillë, shumë shqiptarë të thjeshtë, edhe pse mund të kenë njëqind arsye për të protestuar kundër qeverisë, nuk mund të frymëzohen nga Lulzim Basha. Ai padyshim do të jetë në gjendje të mobilizojë militantët e PD-së nëpër rrethe, të cilët mezi presin të rikthehet PD-ja në pushtet, që të rifitojnë vendet e humbura të punës, apo favoret që përfitonin prej saj. Por sidoqoftë, ata përbëjnë një pakicë të 455 mijë votuesve të djathtë, të cilët votuan për partitë e djathta më 2017-ën.

Gjithashtu, një ndihmë të madhe për rritjen e pjesëmarrjes në protestë, Basha do ta ketë nga LSI-ja, e cila ka një regjiment të disiplinuar militantësh. Militantët e saj e organizojnë sjelljen me autobusë në Tiranë të protestuesve. Të mësuar me qenien në pushtet për tetë vjet, ata nuk mund të durojnë gjatë në opozitë, dhe çdo thirrjeje për rrëzimin e qeverisë, ata i përgjigjen me entuziazëm e përkushtim.

Duke e përmbledhur, protesta e 27 janarit duket se do të ketë më tepër pamjen e një përpjekjeje për afrimin e ardhjes në pushtet, se sa të një proteste popullore kundër qeverisë. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, për dëmshpërblimin e pronarëve të apartamenteve të prishura nga qeveria Rama në Ujin e Ftohtë të Vlorës, duket se e shfryu jo pak tullumbacen që po mundohej të frynte Basha.

Sa do kishte dashur kryedemokrati, që ai dreq vendimi të ishte shpallur pas 27 janarit ...!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: