PSE HARROHET VERA ISAK? – OPINION NGA FRROK ÇUPI

PSE HARROHET VERA ISAK? – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Sipas gjuhës sonë, fjalën “harrohet” mund ta përdorim në dy kuptime. Por Vera nuk u harrua vetë. Verën e harruan ditën që festuan 27-vjetorin e botimit, në diktaturë, të gazetës së parë të lirë, “Rilindja Demokratike”. Vera Isaku është një gazetare dhe shkrimtare mjaft e njohur. Por kontributi i saj në botimin e gazetës “RD”, nuk ka të zëvendësuar. Po jap vetëm një dëshmi, nga ato që u duhet ta dinë edhe gazetarët e brezave. Vera punoi për gazetën në ditët kur nuk kishte as tavolina, as makina shkrimi. Edhe ata dy tre vetë që punonim aty, i redaktonim shkrimet me laps, mbi letra të mbështetura në muret e brendshme të shtëpisë së një zyrtari komunist, që ishte shndërruar në redaksi.

Nuk më shqetëson thjesht harresa ndaj Vera Isakut (sa edhe më bën të ndjehem shumë keq për harresat e llojit të seleksionimit); aq më pak kjo shqetëson Verën. Bashkë me Verën, ata harruan thuajse të gjithë punëtorët e vërtetë të gazetës: Emin Barçin, Bujar Xhaferin, Mëhill Tanushin, Arjan Manahasën.

Por më shqetëson sëmundja e atyre që harrojnë.

Ja pse:

Ata që harrojnë janë gjithnjë “të mëdhenj” dhe tentojnë për “më të mëdhenj”. Të “vegjlit” shkelen me këmbë.

Në rastin tonë, “i madhi” i festës së gazetës "RD", ishte kryetari i Partisë Demokratike, zoti Basha. Shumë njerëz mund të pyesin: Po ç'punë ka partia për një festë të gazetës? Kjo është çështja themelore, me të cilën, fatkeqësisht, jemi pajtuar. Jemi pajtuar me të vërtetën që të mos kemi kurrë demokraci. Prandaj demokracia thuajse ka vdekur, se nuk arritëm të bëjmë një parti ndryshe nga Partia Komuniste dhe një marrëdhënie ndryshe nga marrëdhënia mes partisë komuniste dhe shtypit komunist.

Por në rastin tonë, pse duhet të shqetësohemi për “sëmundjen” e të madhit? Jo vetëm pse edhe kjo harresë ka një lidhje me stilin e diktatorit. Enver Hoxha, duke u ngjitur në pushtet “i harroi” ata që kryen veprën e Luftës, ata që nuk i interesonin, ata që mendonin ndryshe, ata që nuk bëheshin “urë” nga mëngjesi deri në mëngjes.

Por problemi është te sëmundja e “të madhit”. Amnezia është një sëmundje shumë e rëndë e trurit, e cila ka njëmijë forma si shfaqet dhe efektet. Lidershipi i opozitës, duke tentuar të ngjitet drejt qeverisë, me anë edhe të festimeve për një gazetë që nuk i takon, manifeston shenja të rënda amnezie. Nëse në këtë rast harrohet Vera dhe kolegët e saj të harruar, atëherë kush mund të besojë fjalën, premtimin a miqësinë e opozitës? Askush. Sidomos amnezia, si sëmundje e humbjes së kujtesës, është afërsisht si çmenduria ... E kush i afrohet një të çmenduri? Njerëzit tashmë, pas diktaturës, pak nga pak, janë mësuar të mos besojnë “perënditë” e vdekura.

Amnezia si sëmundje organike, do të ishte shumë më e lehtë se sa amnezia e imponuar. Opozita jonë politike e cila ka hyrë në një tunel mosbesimi, guxon të seleksionojë mes njerëzve dhe vlerave. Para pak “gazetës”, seleksionimi u zhvillua brenda themeluesve të Partisë Demokratike, brenda liderëve më të bujshëm, brenda besimeve fetare ku u kallëzuan katolikët si “kriminelë”. Pas këtij hapi, kush beson se nuk do të nisë seleksionimi mbi historinë, ose apeli kush nga të burgosurit e diktaturës ishte spiun e  kush jo; ose mbi krahinat e vendit në jug e veri; ose në dialektet, ose në të referuarit “e mi” dhe të pa preferuarit.

Cilët janë të pa preferuarit e lidershipit të PD-së, sot?

Askush nuk e di, sepse vetë lidershipi punon në “errësirë” dhe në fshehtësi të plotë nga militantët, udhëheqësit dhe populli tjetër. Opozita, për herë të parë në jetë, e ndërtoi listën e kandidatëve për deputetë pas mesnate, në shtëpinë e kryetarit, një natë para shpalljes. Një politikë në “errësirë”, ka të gjitha mundësitë që të seleksionojë. Po sikur opozita të vijë në pushtet, vallë çfarë mund të bëjë kundër Vera Isakut? Mund ta burgosë brenda ditës. Mund të më burgosë edhe mua që po i mbaj anën. Të gjithë duhet të kemi frikë, aq më tepër që opozita nuk ka shpallur kriteret pse “e ka harruar Verën”. Vetë diktatura komuniste, më e keqja në këtë jetë edhe si selektive, kishte shpallur kritere, të paktën: Kishte thënë se, “të hup” me gjithë racë, nëse flet edhe një fjalë kundër meje (!).

Kjo është e para opozitë që ka kopjuar në mënyrën më të keqe, diktaturën që shembi për ta zëvendësuar. Partia Demokratike u krijua si frymë popullore kundër diktaturës selektive dhe amnezisë së një regjimi antivlerë. Ne sot kemi po këtë PD, që ka marrë armën e vjetër për seleksionimin e njerëzve dhe të vlerave ... E ku ta di unë pse e kanë “harruar” Vera Isak, ose Jozefina Topallin, ose Bujar Xhaferin, ose Majlinda Bregun, tipografët e shtypshkronjës, ose Shpresën, - punëtore e RD-së ....

Atëherë, kjo është edhe e para opozitë që nuk ka asgjë më të mirë se qeveria...

Mua më shqetëson sëmundja, jo vogëlsirat, që të tilla mund të quhen “ftesa ose jo ftesa”.

Sëmundja mund të jetë e rëndë. Amnezia politike mund të ketë ardhur si paaftësi për të mos krijuar kujtesë të re - dhe ky është dëm i rëndë. Mund të ketë ardhur si efekt i paaftësisë për të thërritur ngjarje që kanë ndodhur deri më sot. Si humbje të kujtesës pas një traume, gjë që nuk është treguar; mund të ketë ardhur si shkak psikologjik, që ka dëmtuar seriozisht trurin; si lodhje psikologjike që garanton zero për të ardhmen; si humbje kujtese për ngjarje specifike, dhe, pas kësaj, kush e di se cili hyn në rastet specifike ...

Ju mund të thoni se ndodhi vetëm me ngjarjen e gazetës, RD. E pse? ... Sepse kryetari i sotëm i PD-së, ka xhelozi të madhe mbi ngjarjen që ndodhi në foshnjërinë e tij. Ai ka deklaruar se “ka shpërndarë gazetën” atëherë, por e quan fatkeqësi që nuk ishte krijues i saj. Roli i Zotit është amnezia më e thellë. U desh të kalojnë disa vite që nga rënia, kur dolën tregimet mbi sëmundjen e trurit të udhëheqjes komuniste ...

Prandaj, kam frikë nga kjo lloj amnezie politike, jo thjesht për gazetaren Vera Isak...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: