“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Punëtorët e fushave, dalin kundër Dukës. Duam që të fitojë Fino!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Punëtorët e fushave, dalin kundër Dukës. Duam që të fitojë Fino!
Satirë

E meqë ra llafi te luani. Sot po sjellim diçka që ka lidhje me "luanin", Armand Duka, i cili kërkon të marrë drejtimin e FSHF-së, për herë të pestë.

Lajmi i dhënë nga kolegët e portalit "Vipsport", se në zgjedhjet për kreun e Federatës së Futbollit kanë votuar edhe disa shoqata joligjore, ka krijuar pakënaqësi te punëtorët që merren me mirëmbajtjen e fushave. Ata vetë na kontaktuan në telefon. Ja bashkëllafosja e bërë me ta.

Punonjësit: Alo, "Antena Jashtë Familjes" jeni?

Antena: Po, flisni ju lutem!

Punonjësit: Jemi mbledhur këtu, në mes të një fushe futbolli, e pasi pleqëruam çështjen, dolëm në përfundimin se, shoku Armand duhet të largohet nga Federata. Na ka ofenduar rëndë, të gjithëve ne.

Antena: Ku e bazoni këtë që thoni?

Punonjësit e fushave: Morëm vesh se ka vite që ju ka dhënë të drejtë, arbitrave dhe mjekëve të ekipeve, që të votojnë për Federatën, ndërsa neve jo. Kujton ai se, meqë punojmë për të rritur barin, hamë bar neve dhe nuk i kuptojmë gjërat. Ç'bëjnë më shumë arbitrat?! Këtë ia thamë kur na takoi.

Antena: Mesa di unë, shoku Duka ju ka rehatuar pak. Ka bërë disa fusha të reja futbolli, e jua ka ulur lodhjen. Gjithsesi. Po ai, ç'tha?

Punonjësit e fushave: Kam gabuar, na tha. Edhe juve duhej t'ju jepja të drejtë vote.

Antena: I paskeni sheshuar kundërshtitë, d.m.th. ...

Punonjësit e fushave: Jo, or jo. Nuk jemi më pak të aftë se arbitrat, neve. Madje, që ta dini ju, më shumë vrapojmë ne, sesa ata. Ai Duka, ju kishte dhënë të drejtë vote edhe mjekëve, pale. Klubet tona nuk kanë mjekë fare. Punën e mjekut dhe të fizioterapistëve me të fërkuar lojtarët, e bëjmë ne. Nuk ia falim Armandos! Ndaj duam që të fitojë Fino...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: