Rama akuzon PD-në për Vetingun, Basha ia kthen me Tahirin

Rama akuzon PD-në për Vetingun, Basha ia kthen me Tahirin
Përplasje në distancë ndërmjet kryetarëve të dy partive politike më të mëdha në vend.

Kryetari i Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama, ka akuzuar opozitën se, me qëendrimin e saj të fundit, mund të kërcënojë çeljen e negociatave.

“Seanca e fundit e Kuvendit për vitin e shkuar nxori në pah me ngjyra të forta dhe kërcitje të mëdha ishte pikërisht shprehja më kulmore e dëshpërimit dhe e mungesës së vizionit, strategjisë dhe ideve përballë faktit se reforma në drejtësi po bëhet çdo ditë më e pandalshme. Ndërkohë që procesi i vetingut ka nisur dhe jam besimplotë se dy tre muajt e parë të vitit do të ketë rezultate konkrete", tha Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është përgjigjyur nga Fieri, ku festoi 27-vjetorin e krijimit të degës së partisë në këtë qytet.

“Sot e gjithë qeveria është ngritur në këmbë për Saimir Tahirin, por asnjë nuk tha një fjalë për 22-vjeçarin që ndërpreu jetën për një cigare hashash. Edi Rama u bë edhe prokuror, edhe gjykatës për të mbrojtur Saimir Tahirin”, tha Basha në Fier.

Kryetari i opozitës akuzoi Kryeministrin se është ai që nuk e do vetingun.

“Menjëherë pas emërimit të Ramës Kryeprokuror, Saimir Tahirit ia kthyen pasaportën. Orest Sota u la i lirë, sepse Edi Rama e do me çdo kusht mbylljen e dosjes, sepse ky është fundi i qeverisjes. Rama bëri fushatë një vit duke akuzuar opozitën se nuk donte vetingun. Sot e zgjodhi kryeprokurorin pa veting”, tha Basha. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: