Rriten rastet me viroza e grip, shënohet viktima e parë

Rriten rastet me viroza e grip, shënohet viktima e parë
Më shqetësuese në këtë situatë gripi, është shfaqja e fruthit në vendin tonë. Në shërbimin e pediatrisë janë 11 fëmijë të vegjël, të cilët janë prekur nga virusi i fruthit. Të 11 fëmijët janë të pavaksinuar ndaj tij

Sonila Isaku

Në Shqipëri, gripi ende nuk është në fazën e epidemisë gripale, pasi vetëm gjatë javës që sapo lamë, 11 mijë raste janë evidentuar në të gjithë vendin, me grip apo viroza respiratore. Ndërkohë që, për të shpallur epideminë, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se duhet 16-18 mijë raste në javë. Gjatë ditës së djeshme, u shënua e dhe viktima e parë nga gripi, një vajzë 7-vjeçare e cila u paraqit me komplikacione të rënda në Spitalin e Durrësit, dhe nuk mundi t’ia dalë.

E ndërsa bëjnë apel për vaksinim dhe paraqitje tek mjeku kur gripi shfaqet në forma të rënda, ekspertët e ISHP-së ngrenë alarmin për vaksinimin e fëmijëve  të vegjël, si dhe grupmoshave të cilat i përkasin ditëlindjeve nga vitit ’80 deri në ’99, pasi gjatë ditëve të  fundit në vendin tonë, janë evidentuar 11 raste me fruth.

Gripi

Shqipëria zyrtarisht ende nuk e ka kaluar pragun e epidemisë gripale dhe mjekët raportojnë për një situatë normale, por nuk përjashtohet mundësia që gripi mund të shfaqet në forma të ndërlikuara, në rast se neglizhohet. Instituti i Shëndetit Publik, deri më tani, raporton për 11 mijë persona në javë të prekur nga infeksionet respiratore dhe virozat. Ekspertja e ISHP-së, Silva Bino, hedh poshtë akuzat se, në vendin tonë po qarkullon grip toksik, ndërsa thekson masat që duhet të merren.

“Nuk ka grip toksik e kjo nuk shkruhet në asnjë manual; po ashtu, nuk kemi as grip të zakonshëm me formë të rëndë. Kemi thjesht qarkullim të gripit, i cili paraqitet më i lartë se një javë më parë. Viruset që qarkullojnë, janë B dhe AH1N1. Krahas gripit qarkullojnë intensivisht dhe viroza të tjera respiratore. Shenjat e gripit i njohin të gjithë, por kemi komplikacione kur temperatura zgjat mbi tre ditë dhe shenjat e tjera rëndohen, si vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, dhimbje të forta koke e të vjella, apo këputje e theksuar me temperaturë të lartë, të cilat flasin përkatësisht për bronkopneumoni, bronkiolite, encefalite dhe miokardite. Komplikacione kemi edhe kur temperatura ndërpritet disa ditë dhe pastaj rifillon dhe këtu mund të kemi kryesisht komplikacione bakteriale, që kërkojnë trajtim me antibiotikë” - pohon Bino.

Rastet

Sa i takon rasteve, rezulton se çdo ditë në urgjencën e QSUT-së, paraqiten 15-30 pacientë të rritur, kurse tek ajo e fëmijëve, deri në 300 gjatë 24 orëve. Në vendin tonë, qarkullojnë dy tipe viruse, ai A dhe B. Mjeku infeksionit, Arjan Harxhi, u shpreh se asnjë nga tipet e gripit nuk ka mutacione dhe janë krejtësisht të njohur për vendin tonë.

“Një grip bëhet problematik në subjekte që janë të ndjeshëm, vulnerabël për shkak të kushteve fiziologjike, siç mund të jenë moshat ekstreme; pra, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna. Këto grupe fiziologjike, jo të sëmura, por që bëhen të ndjeshme ndaj virusit. Si dhe në grupe të caktuara popullatash, që janë me sëmundje kronike” - thekson Harxhi.

Sa i takon këshillave, mjekët apelojnë për kryerjen e vaksinës, larja e shpeshtë e duarve, është një masë e thjeshtë, por mjaft efikase, sepse gripi transmetohet si me spërkla, ashtu edhe nëpërmjet sekrecioneve që kontaminojnë sendet. Në lidhje me alarmin që dhanë mediat britanike, për afrimin e gripit të frikshëm australian, që do të jetë sipas tyre më i keqi në 50 vite, mjeku infeksionit thotë se rastet janë vetëm në Amerikë dhe Britani, jo në Evropë dhe jo në vendin tonë.

Fruthi

Më shqetësuese në këtë situatë gripi, është shfaqja e fruthit në vendin tonë. Në shërbimin e pediatrisë janë 11 fëmijë të vegjël, të cilët janë prekur nga virusi i fruthit. Të 11 fëmijët janë të pavaksinuar ndaj tij, ndonëse disa prej tyre e kanë kaluar 1 vjeç, moshë në të cilën duhej aplikuar kjo vaksinë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, por që prindërit e tyre e kanë refuzuar apo shtyrë në kohë. Ndërkohë që, disa të tjerë të prekur janë bebe të vogla që nuk e kanë mbushur moshën kur aplikohet vaksina MMR, që përfshin edhe atë ndaj virusit të fruthit. Autoritet e Shëndetësisë kanë izoluar të 11 fëmijët, pasi rrezikojnë të infektojnë fëmijët e tjerë që janë të shtruar në pediatri.

“U bëj një apel të gjithë prindërve, të vaksinojnë fëmijët e pa vaksinuar ndaj fruthit, në mënyrë që të mos rrezikojnë shëndetin e tyre dhe sidomos të fëmijëve të tjerë që janë nën moshën e vaksinimit. Vaksinimi i plotë ndaj fruthit kryhet me dy doza të vaksinës. Përsëri një apel për personat e lindur në vitet ’80 –’99 që nuk janë rivaksinuar, të rivaksinohen dhe mos neglizhojnë. Po ashtu, një apel për punonjësit shëndetësorë të vaksinohen ose rivaksinohen ndaj fruthit” - ka pohuar specialistja e ISHP-së, Silva Bino.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik po hetojnë burimin e përhapjes së këtij virusi. Megjithatë, mendohet se ka qenë një fëmijë i paraqitur për vizitë mjekësorë në urgjencën e pediatrisë, i prekur nga ky virus, çka ka infektuar edhe fëmijët e tjerë që kanë qenë prezent atë ditë. Mjekët apelojnë që prindërit të bëjnë kujdes dhe nëse nuk e ke të domosdoshme paraqitjen në urgjencën e pediatrisë këto ditë të mund ta shmangin, duke marrë mjekimin e duhur tek pediatrit e qendrave shëndetësorë. Fruthi është sëmundje ngjitëse, që shfaqet me temperaturë të lartë, ekzema në fytyrë. Virusi i fruthit përhapet nëpërmjet kollitjes, teshtimës dhe zgjat nga 10 deri në 20 ditë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: